Kamera nuk është drejtësi…

Një kamerë mbi trupin e inspektorit mund të jetë mjet i dobishëm.
Por prania e saj nuk e bën vetvetiu kontrollin më të drejtë.
Pyetja fillon pasi kamera ndizet.
Nëse regjistrimi përdoret për një gjobë apo një vendim administrativ, qytetari ose sipërmarrësi duhet të ketë të drejtë ta shohë të plotë, të dijë se është ruajtur i paprekur dhe të mund ta përdorë për të kundërshtuar shtetin.
Sepse, nëse shteti regjistron qytetarin për ta kontrolluar, qytetari duhet të mund ta përdorë të njëjtën dëshmi për të kontrolluar shtetin.
Këtë e quaj e drejta mbi dëshminë administrative.
Ajo nuk mbaron te kopja e videos.
Duhet të dihet kush ka pasur qasje në të, nëse është ndërhyrë, çfarë është ruajtur dhe çfarë është fshirë.
Dhe kur regjistrimi që administrata kishte detyrë ta krijonte e ta ruante mungon, shteti nuk mund të përfitojë juridikisht nga mungesa e dëshmisë së vetë.
E njëjta vijë duhet të vlejë edhe për inteligjencën artificiale.
Automatizimi mund ta ndihmojë vendimin, nuk mund ta bëjë përgjegjësinë anonime.
Kur preket një e drejtë, prona apo vendoset një ndëshkim, qytetari duhet të dijë kush vendosi, kujt t’i kërkojë rishikim dhe kush përgjigjet për vendimin.
Republika nuk mund të ketë pushtet pa autor.
Përndryshe kemi modernizuar syrin e administratës, por jo mbrojtjen e njeriut përballë saj.
Teknologjia i shërben lirisë vetëm kur çdo fuqi e re që i jep shtetit sjell me vete edhe të drejtën që i duhet qytetarit për ta kundërshtuar atë.
Arian Galdini





Comments