Koha që dëshmon!
- Arian Galdini

- Oct 7
- 5 min read

Nga Arian Galdini
Koha është gjykatësi i padukshëm i çdo mashtrimi.
Ajo nuk ngutet, por as nuk harron.
Ajo nuk flet me zë, por në heshtje rishkruan çdo faqe që pushteti ka përvijuar me gënjeshtra.
Dhe sot, pesë vjet pas asaj që nisi si ëndërr dhe vazhdoi si betejë, koha ka filluar të flasë.
Në vitin 2020, kur çdo zë i lirë tingëllonte si çrregullim në harmoninë e kontrolluar të regjimit, një njeri doli vetëm përballë sistemit.
Pa para. Pa sponsorë. Pa media. Pa logjistikë. Pa kompromise e pakte të nëndheshme.
Vetëm me një celular, një faqe Facebooku, dhe një ide që nuk kërkonte bekimin e askujt.
Kështu nisi LRE.
Jo si projekt politik, por si akt shpirtëror.
Si dëshmi se edhe në një shoqëri që rrihet përditë nga apatia, mund të lindë një zë që nuk është blerë.
Ata që komandonin skenën e dinin, nuk ka pushtet që nuk dridhet kur një ide e pastër lind jashtë kontrollit të tij.
Dhe ndaj asaj ideje nisi menjëherë fushata më tinzare e shekullit, jo për ta luftuar, por për ta zëvendësuar.
Në vitet që pasuan, ndodhi ajo që unë e pata paralajmëruar që në ditët e para të LRE-së,
Regjimi do të përpiqej të më zhdukte, jo thjesht dhe vetëm duke më mohuar, por duke më kopjuar.
Dhe ashtu ndodhi.
U prodhuan parti të reja, të shfaqura si risi, por që mbanin në ADN-në e tyre gjakun e vjetër të sistemit.
U shpallën “antisistem”, por lindën në laboratorët e vetë pushtetit.
U paraqitën si “të rinj”, por u ushqyen me fondet e vjetra.
U pagëzuan si “të pastër”, por u lëmuan nga duart e ndotura të propagandës që i mbështeste.
Ata s’e kuptuan se kopja nuk mund të mbijetojë pa origjinalin.
Ata u frynë, u pompuan, u ngritën mbi ajrin e një mediatizimi artificial, dhe sot po shfaqen për atë që janë në të vërtetë, e po tkurren, ashtu si çdo imitim që nuk ka shpirt.
E paralajmërova atëherë, e përsëris edhe sot, kur e vërteta mohohet, pushteti shpik pasqyrat për ta imituar.
Në vend të idealit, krijuan imitacione.
Në vend të lirisë, prodhuan “figura të pavarura” me kontrata të nënshkruara nën tryezë.
Në vend të moralit, shpikën moralistë televizivë.
Në vend të frymës, krijuan zhurmë.
Por çdo pasqyrë që s’ka dritë për vete, thyhet në kontakt me realitetin.
Dhe tani, koha po i thyen një nga një.
Ata që e quanin veten të rinj, po plaken përpara syve të publikut.
Ata që flisnin për guxim, sot bëjnë selfie me frikën.
Ata që donin të ndanin popullin nga regjimi, u bënë vetë fytyra e tij e butë.
Ata janë produktet e një makinerie që kopjon, amplifikon dhe konsumon çdo shpresë që nuk mund ta shkatërrojë dot.
Por makineria e pushtetit është si një pasqyrë që përtyp vetveten, në fund mbetet bosh.
Në këtë vend, mëkati më i madh është të mos jesh i kontrolluar.
Dhe dënimi më i egër për këtë mëkat është harresa e qëllimshme.
Mua s’më burgosën, por më zhdukën nga ekrani.
S’më ndaluan, por më bënë të padukshëm.
S’më vranë, por më shpallën të pavlefshëm.
Kjo është forma moderne e persekutimit, kur e vërteta nuk mund të vritet, fshihet.
Por edhe heshtja ka një kufi, dhe pas tij fillon përsëri zëri.
Në çdo cep të vendit, më takojnë njerëz që më thonë:
“Ne të njohim, e dimë kush je, sepse s’ngjason me askënd tjetër.”
Dhe unë e di se nuk isha unë që u fshiva nga historia, ishte historia që u tremb nga fakti se një njeri, vetëm me një celular dhe një faqe Facebooku, mund të ngrinte një lëvizje që nuk kërkoi leje nga askush.
E vërteta ka rrënjë të padukshme.
Ata që e shkelin, mendojnë se e kanë zhdukur.
Por rrënjët janë gjithmonë nën tokë, dhe presin stinën e duhur për t’u ringjallur.
Sot, shumë nga ata që u bënë pjesë e farsës, po zgjojnë ndërgjegjen.
Ata po kuptojnë se janë përdorur për të zëvendësuar, jo për të ndryshuar.
Po kuptojnë se u rritën për t’u djegur, u lavdëruan për t’u harruar, u përdorën për të mbuluar boshllëkun e një sistemi që nuk e pranon dot origjinalin.
Në fund, koha po i rrëzon me të njëjtën shpejtësi që propaganda i ngriti.
Sepse koha nuk njeh mëshirë, ajo nuk i përkulet as pasqyrave, as pasuesve të rremë, as atyre që bëjnë moral me kontratë.
Unë jam i mohuari i madh i këtij vendi,
por gjithashtu jam edhe dëshmia më e gjallë se e vërteta nuk shuhet, ajo vetëm pritet me durim.
Pushteti mund të të ndalojë, por nuk mund ta ndalë kohën.
Dhe koha gjithmonë e shpërblen atë që është djegur për të ndezur një dritë.
Ata harruan një gjë themelore, një njeri që flet nga ndërgjegjja nuk ka nevojë për mikrofon.
Sepse zëri i ndërgjegjes udhëton më thellë se çdo valë zëri, ai udhëton në kujtesë.
Sot, kur i shoh të gjithë “të rinjtë” e laboratorit të pushtetit që radhiten në krah të atyre që dikur i quajtën armiq, unë nuk zemërohem.
Unë shoh provën që paralajmërimi im ishte i saktë.
Sepse koha e ka bërë punën e saj, i ka çveshur nga imazhi dhe i ka kthyer në kopje të vetes.
Historia e LRE dhe historia ime janë një.
Historia e një njeriu që nisi me një celular dhe një faqe Facebooku.
Historia e dikujt që nuk pati fonde, as famë, as financime, as kompromise, as projekte e kontrata, por pati besim.
Historia e dikujt, që nuk pati media, por pati guxim, që nuk pati parti, por pati vizion, që nuk pati lojë politike e as lojëra pushteti, por pati ndërgjegje.
Ata e quajtën dështim, por ishte fillimi i shkuljes së maskës nga një regjim që jetonte me iluzione.
Dhe sot, gjithçka që ndodh me partitë e reja surrogato, me liderët që lindin nga sqetullat e pushtetit, është vërtetimi që paralajmërimi im ishte profetik.
Koha nuk ka nevojë për gazeta, as për podiume.
Ajo flet me rrëzime, me heshtje, me kthjellime.
Ajo po flet tani, çdo ditë që kalon, një tjetër surrogat bie, një tjetër maskë thyhet, një tjetër klon zhduket nga skena.
E vërteta s’është më e imja.
Ajo i përket kohës.
Dhe koha është tani aleatja e vetme e njerëzve që nuk pranuan të klonohen.
Ata më mohuan për vite.
Por e di, do vijë dita kur ata do kujtojnë se më mohuan, dhe do kuptojnë se më mohuan vetëm për t’u zhdukur vetë.
Sepse koha është arkitekti i drejtësisë së padukshme.
Ajo e shemb çdo gënjeshtër, e zhvesh çdo surrogat, dhe e ngre në dritë çdo njeri që u përpoq të bëhej zë i së vërtetës me vetëm një celular, një faqe, dhe një shpirt që nuk pranoi të shitej.
Nuk kërkoj as rikthim, as shpagim.
Kërkoj vetëm që njerëzit ta kujtojnë se gjithçka që është ndërtuar mbi gënjeshtër, ka datë skadence.
E vërteta jo.
Ajo s’ka datë, s’ka nënshkrim, s’ka kontratë, ka vetëm kohë.
Dhe koha, përfundimisht, është në anën e së vërtetës.
Koha thotë gjithmonë të vërtetën.
Ajo s’ka nevojë për mikrofon, për sondazh, apo për sponsor.
Ajo ka kujtesën e njerëzve dhe shenjën e njeriut që s’u përkul kurrë.
Dhe në atë kujtesë, në atë shenjë, do mbetet përgjithmonë historia e një njeriu që me një celular dhe një ide, sfidoi një sistem të tërë, dhe fitoi të vetmen gjë që s’e fiton dot askush tjetër, të drejtën që koha të flasë për të.
Arian Galdini
.png)










Comments