top of page

Kosova bashkë me Shqipërinë!

2 days ago
9 min read

Bashkimi Kombëtar dhe Parimi i Mosmbylljes së së Ardhmes


Nga Arian Galdini

Autor i librit “Neoshqiptarizmi”


Kombet nuk jetojnë vetëm nga ajo që kujtojnë.


Jetojnë edhe nga ajo që ende mund të zgjedhin së bashku.


Gjuha, flamuri, të rënët, plagët dhe kujtesa mbajnë të shkuarën.


Brezat që vijnë, megjithatë, nuk trashëgojnë vetëm rrëfimet tona.


Trashëgojnë institucionet ku do të jetojnë, të drejtat që do të kenë, tregjet ku do të punojnë, aleancat ku do të mbështeten dhe rrugët politike që ne ua lamë të hapura, ose i lejuam të mbylleshin.


Këtu nis çështja Shqipëri - Kosovë.


Jo te Europa si armik dhe as te Perëndimi si pengesë.


Te koha.


Shqiptarizmi, Bashkimi Kombëtar dhe orientimi euroatlantik nuk janë alternativa.


Sfida shqiptare është t’i bëjë pjesë të së njëjtës arkitekturë, projekti kombëtar të bëhet më i mundshëm duke u bërë më demokratik, më i lirë, më perëndimor dhe juridikisht më i denjë për t’u realizuar.


Shqipëria i ka hapur të 33 kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian dhe më 14 korrik 2026 mbylli përkohësisht kapitujt 25, 26 dhe 30. Kosova vazhdon të jetë vend potencial kandidat, pesë shtete të BE-së, Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, ende nuk e njohin pavarësinë e saj.


Ky hendek nuk është ende fat.


Mund të bëhet trajektore.


Prandaj pyetja e madhe nuk është vetëm se kur hyn Shqipëria në Bashkimin Europian.


Është se çfarë do t’i bëjë hyrja e saj lirisë së brezave shqiptarë për të zgjedhur nesër një të ardhme më të përbashkët me Kosovën.


Aty fillon politika kombëtare.


Kombi si bashkëautorësi e mundshme


Një komb nuk është vetëm bashkësi kujtese.


Është edhe mundësia që njerëz të së njëjtës përkatësi historike të vazhdojnë ta njohin njëri-tjetrin si bashkautorë potencialë të së ardhmes.


Kjo është bashkëpritja.


Jo profeci. Jo fatalitet.

Pikërisht e kundërta, vetëdija se e ardhmja nuk është mbyllur ende.


Mund të lindin në të njëjtën ditë dy fëmijë, njëri në Tiranë dhe tjetri në Prishtinë.


Të dy mund të flasin shqip, të mësojnë të njëjtat poezi dhe ta njohin veten në të njëjtën histori.


Por pas njëzet vjetësh mund të mos kenë trashëguar të njëjtën hapësirë të mundësisë.


Nëse Shqipëria është anëtare e BE-së, shtetasit e saj janë edhe qytetarë të Unionit, me të drejta që përfshijnë lëvizjen dhe qëndrimin e lirë në shtetet anëtare dhe disa të drejta politike.


Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk krijon të njëjtin status juridik.


Në fillim kjo është diferencë juridike.


Me kohë mund të bëhet diferencë biografish.


Njerëzit ndërtojnë jetën aty ku shohin mundësi.

Kapitali mëson itinerare.


Universitetet krijojnë rrjete.


Familjet horizonte. Institucionet zakone. Zakonet, interesa.


Dhe ajo që nisi si asimetri mund të bëhet normalitet.


Një ndarje nuk ngurtësohet vetëm kur mbi të ngrihen tela.


Mund të ngurtësohet edhe kur mbi të ndërtohen jetë.


Mbyllja pa mandat


Vendimet e mëdha demokratike zakonisht kanë një datë.


Një parlament voton. Një traktat ratifikohet. Një kushtetutë ndryshohet.


Një referendum jep përgjigje.


Por disa vendime historike nuk kanë ditë.


Një alternativë mund të mos ndalohet kurrë juridikisht dhe përsëri të shuhet politikisht.


Statusi prodhon të drejta, të drejtat ndikojnë vendimet, vendimet krijojnë asete, rrjete dhe interesa, interesat fillojnë të mbrojnë rendin që i ka prodhuar.


Secili hap mund të jetë i vogël.


Efekti i tridhjetë viteve jo.


Mund të vijë një ditë kur askush nuk ka votuar se Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të mund të ndërtojnë një rend të përbashkët politik, por rruga që do ta bënte atë zgjedhje reale është bërë ndërkohë pothuaj e paecshme.


Në ligj, alternativa ekziston.


Në jetë, ka vdekur.


Kjo është Mbyllja pa Mandat, një zgjedhje themelore mbetet formalisht e lejueshme, por institucionet dhe koha e konsumojnë pa pasur kurrë mandat demokratik për ta shuar.


Atëherë nuk është populli që vendos për historinë.


Është historia institucionale që ka vendosur përpara tij.


Parimi i Mosmbylljes


Brezi i sotëm ka të drejtë të qeverisë të tashmen.


Asnjë shoqëri nuk mund të ruajë pafundësisht çdo rrugë të mundshme.


Kushtetutat mbyllin disa dyer, aleancat krijojnë detyrime, vendimet serioze prodhojnë vazhdimësi.


Prandaj Mosmbyllja nuk është një kult i pavendimmarrjes.


Është kufi ndaj parikuperueshmërisë së panevojshme.


Sa më themelore të jetë zgjedhja, sa më e madhe pasiguria për atë që do të dëshirojnë brezat që vijnë dhe sa më e vështirë të jetë rindërtimi i alternativës së humbur, aq më e rëndë duhet të jetë arsyeja që e ngushton atë sot.


Ky parim nuk ruan çdo të ardhme.


Tirania, diskriminimi etnik dhe mohimi i lirisë nuk fitojnë dinjitet nga fakti se mund të imagjinohen.


Vetëm alternativat e pajtueshme me demokracinë, barazinë qytetare dhe të drejtat themelore meritojnë të mbeten brenda hapësirës së zgjedhjes.


Mosmbyllja nuk i jep së ardhmes veto mbi të tashmen.


I kujton së tashmes se nuk është pronarja e fundit e historisë.


Kthyeshmëria nuk mjafton


Një ligj mund të ndryshohet.


Historia jo aq lehtë.


Një parlament mund ta shfuqizojë një normë brenda një dite, nuk mund të rikthejë me një votë dekada migrimi, kapitali, infrastrukture, institucionesh, rrjetesh universitare dhe interesash.


Kthyeshmëria pyet nëse norma mund të ndryshohet.


Rikuperueshmëria pyet nëse alternativa që koha ka konsumuar mund të rindërtohet ende.


Një zgjedhje mund të mbetet juridikisht e ligjshme dhe historikisht e vdekur.


Në atë çast liria bëhet procedurë pa fuqi.


Sepse zgjedhja kërkon më shumë se një fletë votimi.


Kërkon që alternativat e saj të vazhdojnë të kenë një botë ku mund të bëhen jetë.


Pse bashkimi ka vlerë?


Bashkimi Kombëtar nuk mbrohet vetëm me gjuhën, gjakun, plagën apo padrejtësinë e kufijve.


E mira e tij politike është më e thellë.


Është bashkëautorësia dhe bashkëpërgjegjësia mbi të njëjtën fuqi publike.


Dy shtete mund të afrohen shumë.


Mund të kenë treg të hapur, lëvizje të lirë, universitete të lidhura, energji, hekurudha, kulturë dhe koordinim diplomatik.


Por bashkëpunimi nuk është bashkëqeverisje.


Mbeten dy qendra të fundit të përgjegjësisë politike.


Dy buxhete. Dy borxhe.


Dy sisteme llogaridhënieje.


Dy hapësira ku ndahet risku dhe ku qytetari kërkon llogari.


Integrimi funksional prodhon afërsi.


Një rend i përbashkët politik prodhon diçka tjetër, përgjegjësinë që nuk mund t’ia kalosh më palës tjetër.


Të njëjtin pushtet autorizojnë qytetarët.


Nga i njëjti pushtet kërkojnë llogari.


Barrën e vendimit nuk e eksportojnë përtej kufirit.


Rrezikun publik nuk e ndajnë në “tonin” dhe “tuajin”.


Solidariteti kombëtar bëhet kështu më shumë se ndjenjë.


Bëhet detyrim reciprok i institucionalizuar.


E mira specifike e Bashkimit nuk është thjesht afërsia.


Është përgjegjësia politike e përbashkët.


Kjo është arsyeja pse edhe integrimi maksimal i dy shteteve nuk është domosdoshmërisht ekuivalent me një rend të përbashkët.


Dy partnerë mund të bashkëpunojnë thellë.


Bashkautorët mbajnë së bashku pasojën.


Bashkimi nuk është centralizim


Nga kjo nuk del se forma e ardhshme duhet të jetë domosdoshmërisht një shtet unitar.


Bashkëautorësia mund të ketë arkitektura të ndryshme kushtetuese.


Federalizëm, ndarje e fortë kompetencash, vetëqeverisje territoriale apo forma të tjera mund ta ruajnë pluralitetin brenda një rendi të përbashkët.


Bashkimi Kombëtar nuk ka pse të nënkuptojë zhdukjen e Kosovës brenda Shqipërisë.


Një rend i përbashkët, nëse do të zgjidhej ndonjëherë, do të duhej të ishte krijim i ri kushtetues, jo absorbim i njërës republikë nga tjetra.


Kjo është arsyeja pse pyetja e vërtetë nuk është:


Kush e merr kë?


Është:


Çfarë rendi mund të bëjnë bashkë qytetarët e dy republikave?


Aty fillon Bashkimi si politikë dhe mbaron Bashkimi si hartë.


“Ne” - ja nuk dekretohet


Kombi dhe bashkësia që autorizon shtetin nuk janë e njëjta gjë.


Kombi mund t’i paraprijë shtetit si histori, gjuhë dhe solidaritet.


Por nuk mund ta shpallë vetë të krijuar një rend të ri.


Një Bashkim i ardhshëm do të kërkonte autorësi konstituente, jo vetëm qytetarë që qeverisin brenda institucioneve, por qytetarë që autorizojnë vetë krijimin e atyre institucioneve.


Dhe kjo autorësi nuk mund të prodhohet nga një shumicë e vetme e agreguar që e tret njërën republikë brenda tjetrës.


Çdo rend i përbashkët do të duhej të mbështetej mbi pëlqim demokratik të dallueshëm në të dy republikat, përmes procedurave të ligjshme kushtetuese të secilës dhe me garancitë që vetë rendi i Kosovës u jep komuniteteve joshumicë.


Sot Kushtetuta e Kosovës e përcakton Republikën si shtet sovran të shtetasve të saj, shoqëri shumetnike dhe ndalon kërkimin e bashkimit me një shtet tjetër.


Çdo arkitekturë tjetër do të kërkonte ndryshim kushtetues të ligjshëm, amendamentet kërkojnë shumicë të dyfishtë në Kuvend dhe kontroll paraprak kushtetues për të drejtat themelore.


Pra “ne” - ja e ardhshme nuk mund të shpallet përpara pëlqimit.


Duhet të lindë prej tij.


Vlerë kombëtare, legjitimitet qytetar


Këtu qëndron dallimi mbi të cilin mbështetet e gjithë doktrina.


Kombi ka kujtesë, vazhdimësi, solidaritet dhe një interes moral që shprehja e unitetit të tij të mos bëhet arbitrarisht e pamundur.


Por shteti taton, ligjëron, gjykon dhe detyron.


Prandaj vlera kombëtare nuk prodhon vetvetiu legjitimitet shtetëror.


Formula mbetet:


Kombi jep arsyen për ta ruajtur mundësinë.

Qytetari jep autoritetin për ta realizuar.

Kushtetuta i jep formën.

Drejtësia i vendos kufijtë.


Kombi mund të prodhojë aspiratë politike.


Vetëm qytetarët mund të prodhojnë autoritet politik.


Atdheu nuk zotëron njeriun


Shqiptarizmi humbet kuptimin në çastin kur kërkon ta bëjë shqiptarin pronë të tezës së vetë.


Atdheu nuk zotëron njeriun.


Njeriu trashëgon gjuhë, emra, kujtesë, sakrifica dhe përgjegjësi.


Por trashëgimtari nuk është pronë e trashëgimisë.


E merr, e gjykon, e ndryshon dhe ua lë të tjerëve.


Prandaj shqiptari që kërkon dy shtete nuk bëhet më pak shqiptar.


Përkatësia kombëtare nuk është shpërblim për votën e duhur.


Bashkimi duhet ta bindë qytetarin, jo ta përjashtojë kur ai nuk bindet.


Një komb i lirë nuk ka nevojë për bindje të detyruar.


Ka nevojë për qytetarë që e njohin veten në të.


Prova e qytetarit joshqiptar


Kosova nuk është vetëm e shqiptarëve.


Kushtetuta e saj e përcakton si shtet të shtetasve të vetë dhe shoqëri shumetnike.


Prandaj një rend i ardhshëm nuk mund të ndërtohet sipas logjikës, shumica shqiptare vendos dhe më pas u garanton të tjerëve mbrojtje.


Qytetari serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian, goran apo cilido tjetër duhet të jetë pjesë e autorësisë së rendit që do ta qeverisë.


Pyetja nuk është vetëm nëse do t’i ruhen të drejtat.


Është nëse mund ta konsiderojë rendin po aq të vetin sa shqiptari.


Një shtet i drejtë nuk është pronë e shumicës ku pakicat jetojnë me garanci.


Është një rend ku qytetaria nuk ka pronar etnik.


Pa këtë, Bashkimi mbetet aspiratë kombëtare.


Nuk bëhet ende rend politik i denjë.


Europa si provë


Asimetria europiane mund ta rrisë distancën Shqipëri - Kosovë.


Mund edhe ta zvogëlojë.


Nëse anëtarësimi i Shqipërisë e përshpejton përafrimin europian të Kosovës, nëse ekonomitë, universitetet, infrastruktura dhe investimet lidhen më fort, nëse pozita ndërkombëtare e Kosovës forcohet, dhe nëse brezat e rinj vazhdojnë ta shohin njëri-tjetrin si pjesë të së njëjtës hapësirë të mundshme politike, atëherë hyrja më e hershme e Shqipërisë nuk e ka forcuar ndarjen.


E ka dobësuar.


Growth Plan i BE-së synon pikërisht afrimin gradual të Ballkanit Perëndimor me tregun e vetëm, integrimin ekonomik rajonal dhe përshpejtimin e konvergjencës përpara anëtarësimit.


Prandaj çështja nuk është medoemos e njëjta datë.


Është i njëjti drejtim.


Anëtarësimi i Shqipërisë kërkon të kthehet në fuqi që e afron Kosovën, jo në rehati që e harron.


Procesi i pranimit në BE nuk zotërohet vetëm nga Tirana dhe Prishtina, neni 49 kërkon unanimitet në Këshill dhe ratifikim sipas procedurave kushtetuese të palëve.


Kriteri, pra, nuk është kush kalon pragun i pari.


Është çfarë bën i pari me fuqinë që fiton.


Bashkimi përmes Perëndimit


Kombëtarizmi shqiptar nuk ka nevojë për një Perëndim armik.


Shtetet e Bashkuara kanë qenë aleat vendimtar i lirisë së Kosovës.


NATO ka ndryshuar pozitën strategjike shqiptare.


Bashkimi Europian është rendi ku Shqipëria po hyn dhe ku Kosova kërkon të hyjë.


Prandaj projekti është Bashkimi përmes Perëndimit.


Një aspiratë shqiptare që nuk mund të jetojë me demokracinë, lirinë, barazinë qytetare dhe aleancën perëndimore nuk është mjaftueshëm e fortë.


Projekti kombëtar duhet të kërkojë të kundërtën, një Bashkim aq të drejtë sa askush të mos ketë nevojë të humbasë lirinë që shqiptarët të fitojnë të tyren.


Prova është e Ardhmja


Shqipëria dhe Kosova janë sot dy republika.


Shqiptarët janë një komb.


Këto dy të vërteta nuk kanë nevojë ta zhdukin njëra-tjetrën.


Por realiteti i sotëm nuk duhet të shndërrohet, pa votë dhe pa mandat, në të vetmen të ardhme praktikisht të mundshme.


Sepse një komb nuk është vetëm ajo që kujton së bashku.


Është edhe ajo që ende mund të zgjedhë së bashku.


Bashkëpritja është njohja e njëri-tjetrit si bashkautorë potencialë të një të ardhmeje që askush nuk ka të drejtë ta shkruajë i vetëm.


Nëse institucionet e ruajnë këtë aftësi, koha punon për lirinë.


Nëse e shkatërrojnë, koha fillon të marrë vendime në vendin tonë.


Dështimi nuk do të ishte që shqiptarët e së ardhmes të zgjedhin mosbashkimin.


Ata mund ta zgjedhin.


Dështimi do të ishte të mos kenë më çfarë të zgjedhin.


Këtu fillon Bashkimi Kombëtar.


Kombi jep arsyen për ta ruajtur mundësinë.


Qytetari jep autoritetin për ta realizuar.


Kushtetuta i jep formën.


Drejtësia i vendos kufijtë.


Dhe nëse një ditë Bashkimi zgjidhet, ai nuk mund të jetë bashkim hartash.


Duhet të jetë bashkim autorësie dhe përgjegjësie, një rend ku qytetarët pranojnë të mbajnë së bashku pushtetin, llogarinë, riskun dhe pasojën.


Aty Bashkimi nuk është pronësi.


Është përgjegjësi.


Nuk është fundi i dy republikave në emër të një historie.


Është fillimi i një rendi të ri, vetëm nëse qytetarët e tij e bëjnë të vetin.


Kosova bashkë me Shqipërinë.


Jo sepse e ardhmja është shkruar.

Por sepse askush nuk duhet ta shkruajë në vendin tonë.


Arian Galdini


Rinisja


Autor i librit “Neoshqiptarizmi”

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page