Kosova është më e madhe se marrëveshja…

Nuk më takon mua t’u them deputetëve të Kosovës kë duhet të votojnë për President.
As të hyj në përplasjet e brendshme të partive të saj.
Kam një anë, megjithatë e domosdo: Kosovën.
Një marrëveshje politike vlen për aq kohë sa arrin të prodhojë zgjidhjen për të cilën është bërë.
Kur numrat mungojnë, nuk është Republika që duhet të mbahet pezull derisa marrëveshja t’i gjejë.
Është marrëveshja që duhet rishikuar, zgjeruar ose zëvendësuar.
Kush propozon një zgjidhje duhet të provojë se e ka shumicën.
Kush e kundërshton ka të drejtë ta rrëzojë me votë.
As shumica që mungon nuk zëvendësohet me paralizë, as kundërshtimi politik me mosfunksionimin e shtetit.
Humbja e një kandidati nuk është humbje e Kosovës.
As dështimi i një marrëveshjeje.
Humbje është kur funksionimi i shtetit bëhet mjet presioni për të prodhuar rezultatin që politika nuk ka arritur ta prodhojë me votë.
Kosova e paguan paralizën më shtrenjtë se një shtet që e ka përfunduar betejën për njohjen dhe sigurinë e vetë.
Ajo ende duhet ta ushtrojë shtetësinë çdo ditë, përballë Serbisë, në diplomaci dhe brenda institucioneve të veta.
Koha që politika ia merr funksionimit të Republikës nuk mbetet bosh, është kohë në të cilën Kosova mund të kishte vepruar si shtet.
Prandaj mandati parlamentar nuk i është dhënë askujt për ta mbajtur Republikën peng të marrëveshjes së vetë, por as për ta bërë mosfunksionimin e saj armë kundër marrëveshjes së tjetrit.
Politika mund të humbasë një marrëveshje.
Republika nuk duhet të humbasë aftësinë për të vendosur.
Kryetarët ndryshojnë, shumicat prishen dhe marrëveshjet zëvendësohen.
Republika është ajo që duhet t’u mbijetojë të gjithave.
Arian Galdini





Comments