top of page

Kryeministria nuk është kufiri i ligjit…

Sep 8
3 min read

Pretendimet e bëra publike nga Arben Ahmetaj janë tepër serioze për t’u konsumuar si episod televiziv.


Materialet që ai paraqet si regjistrime nuk janë vendim gjykate, autenticiteti teknik, plotësia, konteksti dhe ajo që mund të vërtetojnë juridikisht janë çështje të ndryshme.


Pasiguria mbi to nuk është arsye për mbyllje.


Është arsye për verifikim.


Kur një ish-zëvendëskryeministër pretendon se zotëron materiale që prekin majën e ekzekutivit, shteti nuk mund të presë emisionin tjetër.


Organi kompetent i akuzës duhet të vlerësojë pa vonesë të dhënat e bëra publike dhe të ndërmarrë çdo veprim procedural që kërkon ligji, sigurimin e origjinalit, ekspertizën teknike, administrimin e akteve, ndjekjen e parasë dhe marrjen e dëshmive.


Kryeministria nuk është kufiri gjeografik i ligjit.


Edhe një regjistrim autentik mund të jetë i paplotë, i shkëputur nga konteksti ose të mos mbështesë përfundimin që i atribuohet.


Drejtësisë, pra, nuk i kërkohet të besojë Arben Ahmetajn.


I kërkohet të përcaktojë çfarë është materiali, në çfarë rrethanash qëndron dhe çfarë mund të vërtetohet prej tij.


Nëse verifikimi nuk nxjerr asgjë që mbështet pretendimin, ai bie.


Kur, përkundrazi, dalin elemente që kërkojnë hetim të mëtejshëm, ato ndiqen deri në fund.


Dhe nëse ajo gjurmë ngjitet deri te Edi Rama, politika nuk ka të drejtë t’i vendosë hetimit një tavan një kat më poshtë.


Fajësinë penale të Kryeministrit nuk e shpall kundërshtari politik dhe nuk e vendos televizioni.


Atë e përcakton gjykata mbi faktet e administruara sipas ligjit.


Por prezumimi i pafajësisë nuk është prezumim i moshetueshmërisë.


Funksioni publik nuk mund të shndërrohet në juridiksion të përjashtuar.


Pas trembëdhjetë vjetësh qeverisjeje, Edi Rama nuk është vëzhgues i epokës së vetë. Është përgjegjësi politik më i lartë i saj.


Kur një njeri që ka qenë ministër Financash dhe zëvendëskryeministër në qeveritë e tij nxjerr pretendime të kësaj peshe, Rama nuk mund ta zëvendësojë përballjen me përmbajtjen duke gjykuar vetëm karakterin e denoncuesit.


Biografia e Arben Ahmetajt nuk falsifikon një regjistrim autentik, armiqësia e tij me Ramën nuk i jep vërtetësi një materiali të manipuluar.


Propaganda mund të gjykojë njeriun, vetëm hetimi mund të përcaktojë çfarë vlen materiali.


Arben Ahmetaj, ndërkaq, nuk është dëshmitar i jashtëm i qeverisjes Rama.


Ka qenë në majën e saj.


Denoncimet e sotme nuk ia rishkruajnë vitet kur ushtronte pushtet.


Aty ku veprimtaria e tij shtetërore lidhet me ato që sot denoncon, duhet të përcaktohet jo vetëm çfarë dinte dhe kur e dinte, por edhe çfarë kompetencash ushtronte, cilat vendime mbajnë firmën e tij dhe çfarë roli kishte vetë, dëshmitar, vendimmarrës, firmëtar apo pjesëmarrës në veprimet për të cilat flet sot.


Nëse ndihmon zbardhjen e fakteve, kjo mund t’i vlejë drejtësisë, nuk ndryshon atë që ka qenë dhe atë që ka bërë kur kishte pushtet.


Dhe llogaria e Ahmetajt nuk mund të bëhet strehë për Ramën.


Këtu konflikti i dy ish-bashkëpunëtorëve bëhet dytësor.


Në plan të parë del aftësia e institucioneve shqiptare për t’i rindërtuar faktet pa pyetur sa pushtet ka emri që del prej tyre.


Një hetim serioz mund të kërkojë heshtje dhe ruajtjen e sekretit që parashikon ligji, kjo nuk mund të përdoret si mbulesë për mosveprimin.


Nuk kërkoj verdikt politik në vend të vendimit gjyqësor.


Kërkoj që ligji të mos humbasë fuqinë e vetë kur gjurma ngjitet.


Nëse ajo ndalet te Arben Ahmetaj, ligji vepron ndaj Arben Ahmetajt.


Nëse vazhdon më lart, vazhdon edhe ligji.


Lartësia e funksionit nuk mund të përcaktojë lartësinë ku ndalet drejtësia.


Edhe nëse adresa është Kryeministria.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page