Kur krimi mësoi të flasë si zhvillim!
- Arian Galdini
- 1 day ago
- 7 min read

Nga Arian Galdini
Dhjetë vjet më parë, kur Shqipëria fliste për kanabisin si skandal dhe për plehrat si ligj, unë shkrova se problemi ishte më i thellë se një fushë e mbjellë, më i thellë se një kamion mbetjesh, më i thellë se një pabesi politike e radhës. ( https://www.balkanweb.com/kanabisi-plehrat-a-po-qeverisemi-nga-mafia/#gsc.tab=0 )
Problemi ishte çasti kur krimi fillon të mos duket më si krim, sepse mëson të flasë gjuhën e biznesit, të kontratës, të koncesionit, të televizionit, të investimit dhe të zhvillimit.
Sot, pas dhjetë vitesh, nuk më intereson të them se kisha pasur të drejtë.
Kjo do të ishte shumë pak për një vend që ka humbur kaq shumë.
Më intereson të them se ajo që atëherë dukej si alarm, sot është bërë formë.
Nga kanabisi te inceneratorët.
Nga plehrat te bregdeti.
Nga koncesionet te resortet.
Nga paraja në dorë te pronari përfitues i padukshëm.
Nga banditi i rrugës te kontrata që kërkon të duket e pastër vetëm sepse ka firmë, vulë, fjalim dhe flamur zhvillimi.
Mafia moderne nuk vjen gjithmonë me armë.
Shpesh vjen me buzëqeshje televizive.
Vjen me fjalën “investim”.
Vjen me premtimin e punësimit.
Vjen me një projekt të bukur mbi një tokë të paqartë.
Vjen me një gardh në një zonë të mbrojtur.
Vjen me një tender që qytetari nuk e lexon.
Vjen me një shpjegim që i kërkon publikut besim përpara dokumentit.
Mafia e vjetër përdorte frikën.
Mafia e re përdor bukurinë.
Të parët vinin me kërcënim.
Të dytët vijnë me strategji.
Të parët të merrnin dyqanin.
Të dytët të marrin bregun dhe të thonë se po të sjellin të ardhmen.
Ky është ndryshimi i madh i kohës sonë.
Krimi nuk ka më nevojë të duket gjithmonë i pistë.
I mjafton të ketë një gjuhë të pastër.
I mjafton të ketë këshilltarë, studio ligjore, kompani ndërmjetëse, media të gatshme, qeveri që buzëqesh, opozitë që pret radhën dhe një qytetar të lodhur që nuk ka më fuqi të lexojë zinxhirin.
Në 2016, ne shihnim kanabisin dhe plehrat. Sot shohim një hartë shumë më të madhe.
Shohim inceneratorë që nuk janë më vetëm histori mbetjesh, por histori të një shteti që nënshkroi, pagoi, heshti dhe pastaj u soll sikur ishte i befasuar nga vetja.
Shohim tendera infrastrukture ku prokuroria e posaçme ka hyrë në zemër të pushtetit, ndërsa politika përpiqet ta shesë çdo hetim si luftë institucionesh, jo si nevojë të thjeshtë për llogari.
Shohim bregdetin që nuk trajtohet më si pasuri e përbashkët, por si sipërfaqe ku fjalët “strategjik”, “turizëm”, “investim” dhe “zhvillim” kërkojnë të vijnë përpara regjistrit, përpara historisë së tokës, përpara pronarit përfitues, përpara lejes së publikuar, përpara qytetarit.
Shohim Zvërnecin, Vjosë-Nartën, Sazanin, Rrjollin, gardhet, dokumentet e paqarta, protestat, banorët që dalin përballë rrethimit dhe shtetin që flet për të ardhmen ndërsa qytetari kërkon të kuptojë të tashmen.
Shohim edhe më larg, rrjete shqiptare të krimit që nuk janë më thjesht histori lagjesh, portesh apo bandash vendore, por pjesë e qarkullimit ndërkombëtar të drogës, pastrimit të parave, lojërave të fatit, kompanive, restoranteve, hoteleve, ndërtimit, pronës dhe politikës.
Këtu duhet të jemi të saktë.
Asnjë regjistër nuk është gjykatë.
Asnjë grafik pronësie nuk shpall fajësi.
Asnjë raportim mediatik nuk zëvendëson vendimin penal.
Asnjë kompani e huaj nuk është e dyshimtë vetëm pse është e huaj.
Katari nuk është faj.
Amerika nuk është faj.
Holanda, Luksemburgu, Delaware-i apo çdo juridiksion tjetër nuk janë vetvetiu akuzë.
Një vend serioz nuk bën politikë me frikë ndaj kapitalit të huaj.
Por një vend serioz nuk i kërkon qytetarit besim para dokumentit.
Ky është dallimi i madh.
Kapitali i huaj i ligjshëm duhet mirëpritur.
Paraja e pastër nuk ka pse të trembet nga regjistri.
Investimi i ndershëm nuk ka pse të trembet nga pronësia e qartë.
Turizmi i vërtetë nuk ka pse të trembet nga historia e tokës.
Një projekt i pastër nuk ka pse të trembet nga pyetja, kush kontrollon, kush përfiton, kush firmos, kush mban përgjegjësi.
Armiku nuk është kapitali i huaj.
Armiku është errësira.
Armiku është kontrata që publiku nuk e lexon dot.
Armiku është pronësia që qytetari e kupton vetëm pasi del gardhi.
Armiku është shteti që kërkon të trajtojë çdo pyetje si pengesë.
Në 2016 shkruaja për mafian që hyn në bizneset legjitime për të pastruar para.
Në 2026 problemi është bërë më i hollë dhe më i rrezikshëm, jo vetëm paraja që kërkon të pastrohet në ekonomi, por gjuha e pushtetit që kërkon ta pastrojë errësirën në sytë e qytetarit.
Paraja nuk pastrohet vetëm në bankë.
Pastrohet edhe në fjalë.
Kur një tender quhet zhvillim përpara se të lexohet.
Kur një koncesion quhet reformë përpara se të matet.
Kur një resort quhet e ardhme përpara se të dihet historia e tokës.
Kur një gardh quhet procedurë përpara se qytetari të shohë dokumentin.
Kur një protestë quhet prapaskenë përpara se pushteti t’i përgjigjet pyetjes së saj.
Aty fillon pastrimi moral i grabitjes.
Shqipëria nuk është grabitur vetëm kur është vjedhur paraja.
Është grabitur edhe kur krimi mësoi të flasë gjuhën e zhvillimit.
Kjo është arsyeja pse skandalet tona nuk duhen lexuar si ishuj të ndarë.
Kanabisi, plehrat, inceneratorët, tenderat, koncesionet, kullat, bregdeti, resortet, kompanitë ndërmjetëse, pronarët përfitues, gardhet në zona të ndjeshme, protestat që shpërthejnë dhe mediat që shpejt kërkojnë t’i përkthejnë sipas interesit, nuk janë thjesht lajme të veçuara.
Janë shenja të të njëjtit model.
Modeli ku krimi bëhet para.
Paraja bëhet kompani.
Kompania bëhet kontratë.
Kontrata bëhet ligj.
Ligji bëhet propagandë.
Dhe propaganda bëhet moral publik.
Në këtë pikë, një vend nuk humb vetëm paratë.
Humb shqisën e së drejtës.
Humb aftësinë për ta dalluar zhvillimin nga grabitja e zbukuruar.
Humb durimin për dokumentin.
Humb turpin për gardhin.
Humb kujtesën e tokës.
Kjo është më e rëndë se skandali.
Sepse skandali kalon.
Modeli mbetet.
Një vend i vogël nuk rrënohet vetëm nga kriminelët e mëdhenj.
Rrënohet kur njerëzit e zakonshëm mësohen të mendojnë se çdo gjë është e tillë, se të gjithë janë njësoj, se çdo projekt ka errësirën e vet, se çdo qeveri merr pjesën e vet, se çdo investim ka hije, se çdo protestë ka pronarin e vet, se çdo dosje ka pazarin e vet.
Kjo është fitorja më e madhe e modelit mafioz, jo kur vjedh, por kur e bind qytetarin se vjedhja është natyra e vetme e shtetit.
Atëherë qytetari nuk kërkon më Republikë.
Kërkon vetëm një pronar më pak të egër.
Këtu duhet ndalur.
Shqipëria nuk ka nevojë të ndërrojë një pronar politik me një tjetër.
Nuk ka nevojë të nxjerrë një aparat nga dera për të futur një aparat nga dritarja.
Nuk ka nevojë të zëvendësojë një pushtet që kërkon besim me një tjetër që kërkon të njëjtin besim në emër të një flamuri tjetër.
Shqipëria ka nevojë të çmontojë modelin.
Kjo do të thotë, regjistër përpara fjalimit.
Pronësi përpara projektit.
Kontratë përpara propagandës.
Leje të publikuar përpara gardhit.
Pronar përfitues përpara premtimit.
Histori toke përpara resortit.
Audit përpara duartrokitjes.
Përgjegjësi politike përpara alibisë.
Pa këto, fjala “zhvillim” është vetëm kostumi i ri i errësirës.
Dhe errësira, kur vesh kostum, bëhet më e rrezikshme se kur vjen me maskë.
Në këtë kuptim, protesta e sotme është edhe mundësi, edhe rrezik.
Është mundësi sepse qytetari po e ndjen se plaga nuk është vetëm mjedisore, nuk është vetëm pronësore, nuk është vetëm politike.
Është plagë e rendit.
Njeriu nuk del në shesh vetëm për një shpend, vetëm për një gardh, vetëm për një tokë, vetëm për një resort.
Del sepse ndjen se në vendin e tij po merret një vendim i madh pa të, mbi të, përtej tij.
Por protesta është edhe rrezik nëse kthehet në zhurmë pa dokument, në hakmarrje pa rend, në britmë që kërkon vetëm të ndërrojë emrin e pronarit.
Atëherë modeli merr frymë përsëri.
Sepse modeli di të mbijetojë duke ndërruar fytyrë.
Sot vishet si zhvillim.
Nesër vishet si shpëtim.
Pasnesër vishet si drejtësi.
Prandaj beteja nuk është vetëm kundër Ramës.
Rama duhet të ikë sepse është kryearkitekti politik i kësaj kulture ku zhvillimi kërkon besim përpara dokumentit dhe ku çdo pyetje për pronën, lejen, tenderin, kompaninë, përfituesin apo kontratën trajtohet si sabotim.
Por ikja e tij nuk mjafton.
Nëse ikën njeriu dhe mbetet modeli, Shqipëria do të marrë vetëm një administrator të ri të mjegullës.
Nëse ikën emri dhe mbetet gjuha, fjalët do të ndërrohen, por kontratat do të vazhdojnë të fshihen.
Nëse ikën qeveria dhe mbetet uria për pronë pa llogari, atëherë vendi nuk do të çlirohet. Do të riciklohet.
Këtu ndahet opozitarizmi nga Republika.
Opozitarizmi kërkon të zëvendësojë pushtetin.
Republika kërkon të zëvendësojë besimin e detyruar me llogarinë.
Kjo është arsyeja pse beteja e vitit 2026 duhet të jetë më e lartë se beteja e vitit 2016.
Atëherë mund të thoshim, mos ia dorëzoni Shqipërinë mafias.
Sot duhet të themi diçka më të vështirë, mos ia dorëzoni Shqipërinë modelit që e bën mafien të duket si zhvillim.
Sepse mafia e vjetër e trembte qytetarin.
Mafia e re kërkon ta bindë.
E para merrte me forcë.
E dyta merr me dokument të pashpjeguar.
E para thyente derën.
E dyta ndërton gardhin dhe të thotë se po të sjell turizëm.
E para fshihej nga shteti.
E dyta kërkon shtetin si noter.
Kjo është sëmundja.
Dhe kundër kësaj sëmundjeje nuk mjafton zemërimi.
Duhet rend.
Nuk mjafton britma.
Duhet regjistër.
Nuk mjafton akuza.
Duhet provë.
Nuk mjafton ikja.
Duhet llogari.
Unë nuk dua Shqipëri të mbyllur.
Nuk dua vend që trembet nga investitori i huaj.
Nuk dua shtet që sheh armik te çdo kapital, te çdo projekt, te çdo partner ndërkombëtar.
Dua një Shqipëri që nuk trembet nga kapitali i pastër dhe nuk gjunjëzohet përpara parasë së errët.
Dua një Shqipëri ku shteti nuk i thotë qytetarit “më beso”, por i thotë “lexoje”.
Këtu fillon beteja.
Jo për ta kthyer vendin pas.
Jo për ta mbyllur.
Jo për ta varfëruar.
Jo për ta lënë pa investime.
Por për ta nxjerrë nga duart e një modeli ku çdo gjë e errët kërkon të marrë emrin e zhvillimit.
Dhjetë vjet më parë, në fund të atij shkrimi, shkrova se do të bëja edhe një betejë finale që tim biri t’ia bëja këtë atdhe më të mirë.
Sot e them më qetë, më rëndë dhe më qartë.
Beteja nuk është vetëm që bijtë e mi të mos ikin.
Beteja është që asnjë bir shqiptar të mos trashëgojë një atdhe ku çdo brez shet pak nga bregu, pak nga prona, pak nga vota, pak nga kujtesa dhe pastaj e quan këtë zhvillim.
Një vend nuk shpëton kur ndërrohet fytyra e pushtetit.
Shpëton kur ndryshon rendi i llogarisë.
Para investimit vjen pronësia.
Para resortit vjen toka.
Para tenderit vjen gara.
Para kontratës vjen publiku.
Para zhvillimit vjen llogaria.
Dhe kur një shtet harron këtë rend, ai nuk është më rojtari i Republikës.
Është zyra ku errësira kërkon vulë.
Arian Galdini
.png)