top of page

Kur protesta shpallet, flitet e shfaqet mediatikisht si e dhunshme…




Miq,


Kur protesta shpallet, flitet e shfaqet mediatikisht si e dhunshme (ndonëse të gjithë e dimë që është e gjitha spektakël mediatik dhe vetëm kaq..) dhe me tej bashkë me regjimin e urgjencës, marrin rolin e gjuhës mbizotëruese e të përhershme, pasoja bëhet e pashmnagshme.


Mendimit i hiqet vendi, roli, pesha.


Shqipëria e njeh këtë jo si ide të largët, por si përvojë të përsëritur, shpërthime protestash, zjarr e tym, molotovë e kordonë, pastaj një rikthim tjetër, edhe më i gatshëm.


Me kohë, dëgjimi shteron.


Edhe protesta e drejtë nis të humbë peshë, jo sepse mungon dhimbja, por sepse zhurma e tepërt e zhvlerëson edhe thirrjen më të ligjshme.


Kështu urrejtaria, mllefi, revolta dhe protesta rrëshqasin drejt një industrie që konsumon shoqërinë dhe e lë pa vesh për të dalluar të drejtën nga shpërthimi.


Pakti Kombëtar i Urtisë lind kundër kësaj gjendjeje.


Ai mbetet bashkëbisedim qytetar, jo garë për pushtet a vota.


Nuk hyn për të shtuar një formë tjetër në jetën publike shqiptare, por për të mbrojtur një formë që po humbet, bashkëbisedimin e lirë dhe të qytetëruar.


Kur zhurma zë vendin e mendimit dhe zjarri e shtyn urtinë në skaj, liria nis të egërsohet, kundërshtia rrëshqet në mjet poshtërimi.


Pikërisht aty Urtia merr kuptim, jo si zbukurim mbi konfliktin, por si kufi që e mban konfliktin brenda njerëzores.


Fjalia që do ta poshtëronte tjetrin mbahet. Biseda nuk rrëshqet në lojë force.


Tjetri mbetet njeri, jo send për përdorim.


Kjo është prova e vetme që vlen, sepse aty matet nëse liria po mbron njeriun apo po kërkon vetëm fitore.


Sami Frashëri, te “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, e pa këtë si projekt qytetarie dhe vetëdijeje.


Konica i dha kësaj kërkese masën e gjuhës publike, sepse pa masë gjuhe nuk ka as masë shteti.


Te Noli ajo bëhet barrë ndërgjegjeje, sepse fjala që nuk pranon përgjegjësi nuk ndërton as republikë, as komb.


Shqipëria Mendonjëse nuk është zbukurim, por nevojë.


Është emri që merr një vend kur vendos të mos e shpërdorojë më fjalën.


Urtia nuk i kërkon askujt të ndërrojë bindje politike, parti, përkatësi, fe a rreth shoqëror. Nuk kërkon rreshtim.


Nuk kërkon anëtarësi.


Nuk kërkon t’i marrë askujt historinë e vet.


Kërkon vetëm që fjala të mos e përdorë tjetrin.


Për këtë arsye, një bashkëbisedim i vetëm mund të mbajë më shumë të vërtetë se një sallë e madhe, nëse aty ruhet dinjiteti i njeriut dhe pesha e përgjegjësisë.


Unë, Arian Galdini, jam i gatshëm të vij të bashkëbisedoj e të kuvendoj kudo ku më kërkoni e më ftoni, në çdo fshat, lagje e qytet të Shqipërisë dhe në Diasporën shqiptare.


Qoftë për një takim të vogël, qoftë për një takim më të gjerë.


Kjo nismë nuk kërkon turmë.


Kërkon njeriun në vendin e vet, përballë fjalës së vet.


Për mua është gjithmonë kënaqësi të jem mes qytetarëve, me qytetarët, si qytetari dhe si njëri nga ju.


Më kontaktoni.


Ju mirëpres.


📩 Inbox Facebook

📱 WhatsApp: ✅ +355 68 406 0131 | ✅ +355 67 205 1564


📍 Akademia Galdini: Pallati i Turkeshëve, te kryqëzimi mes Rrugës Qemal Stafa dhe Rrugës Derhemi, Tiranë, Albania


🗺️ Google Maps:



Arian Galdini


President i Akademia Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page