top of page

Kur pushteti fillon të dëshmojë kundër vetes…

Sep 8
3 min read

Arben Ahmetaj foli.


Tani duhet të flasin provat.


Çdo dokument, regjistrim apo dëshmi që ai paraqet kundër Edi Ramës duhet verifikuar deri në fund.

Nëse materialet janë autentike dhe provojnë shkelje të ligjit, hetimi duhet të mbërrijë kudo ku çojnë faktet, përfshirë zyrën e Kryeministrit.


Pushteti, shumica parlamentare dhe propaganda nuk mund të bëhen strehë, po aq e papranueshme do të ishte që e shkuara e denoncuesit të përdorej për të asgjësuar pa shqyrtim atë që ai ka sjellë.


Edi Rama ka një përgjegjësi që nuk mund t’ia kalojë Arben Ahmetajt.


Trembëdhjetë vjet.


Pas trembëdhjetë vjetësh në krye të vendit, Rama nuk mund t’i trajtojë njerëzit që ngriti në majat e shtetit, kulturën politike që ushqeu dhe mënyrën e qeverisjes që mbajti si mbetje të një historie të shkruar nga të tjerët.


Një kryeministër nuk mund të kërkojë pronësinë e arritjeve dhe t’ia lërë Shqipërisë autorësinë e gjithçkaje që u kalb gjatë viteve të tij.


Arben Ahmetaj nuk erdhi dje në këtë histori.


Ka qenë ministër, ministër Financash, zëvendëskryeministër, një prej njerëzve me fuqi të konsiderueshme brenda qeverisë që sot denoncon.


Kjo afërsi mund t’i japë dëshmisë së tij rëndësi të jashtëzakonshme.


E njëjta afërsi, megjithatë, ia ndalon privilegjin e pafajësisë politike të fituar përmes një interviste.


Për Ahmetajn, gjykimi moral fillon te kronologjia.


Kur i mësoi ato që thotë sot?


Çfarë dinte ndërsa mbante poste shtetërore, çfarë kundërshtoi dhe cilat vendime mbajnë firmën e tij?


Për çfarë heshti kur fjala mund t’i kushtonte pushtetin?


Çfarë refuzoi atëherë kur refuzimi kishte çmim?


Sepse vlera morale e një denoncimi nuk matet vetëm nga ajo që thuhet.


Matet edhe nga çasti kur zgjodhe ta thuash dhe nga çmimi që ishe gati të paguaje për të.


Dalja nga oborri nuk e ndryshon vendin që ke pasur brenda tij.


As kjo, sidoqoftë, nuk i jep Edi Ramës asnjë strehë.


Nëse ish-zëvendëskryeministri i tij ka sjellë materiale autentike që prekin Kryeministrin, përgjigjja nuk mund të jetë biografia e Ahmetajt.


Duhet të jetë përmbajtja e materialeve.


Një dokument autentik nuk bëhet i rremë prej karakterit të njeriut që e nxjerr.


As një akuzë e pavërtetë nuk bëhet fakt prej armiqësisë së tij me Ramën.


Kjo është arsyeja pse komprometimi i Ahmetajt nuk është mbrojtje për Ramën.


Dhe akuzimi i Ramës nuk është pasaportë e re morale për Ahmetajn.


Trembëdhjetë vjet janë tepër për t’ia faturuar Shqipërisë gjithçka që shkoi keq dhe Edi Ramës vetëm atë që shkoi mirë.


Janë gjithashtu tepër shumë vite në majat e qeverisë që Arben Ahmetaj të mund ta nisë biografinë e vetë politike nga dita kur u kthye kundër njeriut me të cilin kishte qeverisur.


Nëse materialet e tij provohen, atëherë përpara Shqipërisë nuk do të kemi thjesht një përplasje midis një Kryeministri dhe ish-zëvendësit të tij.


Do të kemi dëshmi që vjen nga brenda vetë një qeverisjeje trembëdhjetëvjeçare.


Dhe kjo e ndryshon natyrën e çështjes.


Sepse e njëjta e vërtetë, po u provua, mund të rëndojë mbi Edi Ramën për atë që ka bërë, urdhëruar, ditur ose lejuar nën autoritetin e vetë, dhe njëkohësisht mbi Arben Ahmetajn për atë që ka ditur, pranuar, firmosur ose heshtur ndërsa ishte pjesë e atij pushteti.


Asnjëri nuk fiton të drejtën të përdorë tjetrin si pastrues të historisë së vetë.


Ahmetaj nuk mund të thotë, shikoni Ramën dhe harroni mua.


Rama nuk mund të thotë, shikoni Ahmetajn dhe mos shikoni çfarë ka sjellë.


Këtu mbaron komoditeti i luftës së kampeve.


Sepse një shtet serioz nuk pyet se cilin prej dy burrave dëshiron të besojë.


Merr materialet, rindërton faktet dhe çon përgjegjësinë atje ku mbërrin ajo.


Pa amnisti televizive për Arben Ahmetajn.


Pa paprekshmëri politike për Edi Ramën.


Nëse Ahmetaj po thotë të vërtetën, ajo nuk do të tregojë vetëm çfarë mund të ketë bërë Edi Rama.


Do të tregojë edhe çfarë kishte brenda një pushtet ku vetë Ahmetaj qëndroi lart për vite.


Dhe atëherë intervista nuk do të jetë më historia e një të penduari kundër një kryeministri.


Do të jetë çasti kur një pushtet, i çarë nga brenda, fillon të dëshmojë kundër vetvetes.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page