Le të mendojmë e imagjinojmë sesi do të vepronte e vendoste Arian Galdini, themeluesi ynë?
- Gent Sinani

- Sep 28
- 3 min read

Nga Gent Sinani
NënKryetar i LRE
Të dashur miq, Jani dhe Arsen,
Po e lexoj me shumë vëmendje dhe respekt debatin tuaj. E shoh si shenjë të pjekurisë sonë të përbashkët që brenda Lëvizjes Rinisja po lind një kulturë e re politike, kulturë ku idetë ballafaqohen, ku alternativat përplasen me dashuri e respekt, ku mendimi i secilit nuk shihet si kërcënim, por si pasurim i së tërës.
Ky është luks që shumë forca politike shqiptare nuk e kanë njohur kurrë.
Jani ngriti pyetjen themelore të hapjes së një debati për bashkëpunime me parti e forca të tjera të së djathtës.
Arseni theksoi me kthjelltësi rrezikun e hershëm që një hap i tillë mund të ketë për identitetin e veçantë të LRE.
Të dyja janë qëndrime që mbajnë brenda të vërteta të mëdha.
Dhe këtu dua të sjell një mendim të tretë, një këndvështrim që na kthen tek burimi ynë i përbashkët, Arian Galdini.
Le të imagjinojmë si do të kishte vepruar ai, themeluesi ynë, po të ndodhej sot në këtë udhëkryq.
A do të përfshihej Arian Galdini në negociata me PD dhe me partitë e tjera opozitare për një kandidat të përbashkët të opozitës për Bashkinë e Tiranës?
Mendoj se përgjigjja nuk do të ishte as “po” e menjëhershme, as “jo” kategorike.
Arian Galdini do ta kishte vendosur pyetjen jo mbi aritmetikën e votave, por mbi filozofinë e misionit.
Ai do të pyeste, a na shërben ky hap për të forcuar të djathtën humane?
A e mban të pastër misionin tonë?
A i jep qytetarit shqiptar një alternativë më të mirë, më të ndershme, më vizionare se ajo që ka sot?
Nëse përgjigjja do të ishte “po”, atëherë ai do të kishte guxuar të dialogonte.
Nëse përgjigjja do të ishte “jo”, atëherë do të kishte qëndruar i patundur në vetminë e tij, duke e kthyer atë vetmi në forcë.
Më duket se kjo është pikërisht rruga e tretë që na duhet sot.
Ne nuk duhet ta mbyllim mendjen dhe zemrën për mundësitë e dialogut, sepse një lëvizje që mbyllet në vetvete rrezikon të humbasë ndikim.
Po aq e vërtetë është se nuk mund të hedhim hapa që na zbehin, që na shkrijnë, që na bëjnë të dukemi si derivat i së shkuarës.
Në këtë mes, qëndron urtësia politike që Arian Galdini na ka lënë trashëgim, të mos kemi frikë nga dialogu, por të kemi guximin të themi “jo” kur dialogu kërkon të sakrifikojë identitetin tonë.
A do të hynte Arian Galdini në negociata për një kandidat të përbashkët për Tiranën?
Po, nëse ky kandidat do të mishëronte virtytet e së djathtës humane, do të kishte karakter të pastër, vizion të kthjellët dhe do të ishte i lirë nga logjika e pazarit.
Jo, nëse ky kandidat do të ishte vetëm produkt i aritmetikave dhe kalkulimeve të ngushta elektorale.
Pra, jo zgjedhje për zgjedhje, por zgjedhje për mision.
Ky është kriteri që duhet të na udhëheqë edhe ne sot.
Të mos kemi frikë të dialogojmë, por të mos lejojmë që dialogu të na kthejë në pjesë të së njëjtës simfoni të vjetër politike.
LRE është instrument i një melodie të re. Nëse një ditë kjo melodi e jona mund të luhet në harmoni me të tjerë instrumenta të së djathtës, pa e humbur tingullin e saj unik, atëherë ky do të jetë bashkëpunim i vlefshëm.
Nëse jo, atëherë më mirë të vazhdojmë të luajmë të vetëm, me besimin se tingulli ynë do të dëgjohet e do të preki zemrat e shqiptarëve.
Debati ynë sot nuk është shenjë përçarjeje, por shenjë pjekurie.
Sepse ne e dimë të gjithë se më e rëndësishme se çdo koalicion është ruajtja e misionit.
Dhe ky mision është i pandryshueshëm, të ndërtojmë një të djathtë humane, të ndershme, të kthjellët, që i jep shpresë këtij vendi.
Prandaj, për t’ju përgjigjur me gjithë respekt Jani e Arsen, unë jam për një LRE që mban gjithmonë të hapur mendjen për dialog, por që kurrë nuk bën kompromis me shpirtin e saj.
Ky është mesazhi i themeluesit tonë, dhe ky është udhëzimi që duhet të na prijë në çdo hap të së ardhmes.
Gent Sinani
NënKryetar i LRE
.png)










Comments