top of page

Lexojeni me vëmendje këtë shkrim


Këtë shkrim e kam botuar 14 vjet më parë tek Gazeta SHQIP, Panorama, etj.


Lexojeni ju lutem.


E kam shkruar 14 vjet më parë dhe më duket sikur e kam shkruar 14 sekonda më parë.


Jam krenar për këtë koherencë olimpike.


Fjalë për fjalë i qëndroj këtij shkrimi.


Lexojeni ju lutem e shpërndajeni sa më shumë.



Dëgjo Lideruc...!


Nga Arian Galdini


Në vendin tim, në vendin tonë ka 20 vite që drejton soji yt o lideruc.


Ka 20 vite që ti vjedh, grabit, vret e pret, zapton, gardhëzon, nëpërkëmb, shkapërthen pasurinë, ëndrrat, kulturën, shtetin, dinjitetin e shqiptarëve të katandisur në qytetarë të dobët, e nuk ka drejtësi që mundet të ti lidhë këmbët dhe duart.


Po flas për këto 20 vitet e fundit o lideruc, sepse në atë kohën e qoftëlargut ti ishe në rreshtin e tretë të të deshiruarve për karrierë e shkëlqim.


Asokohe ti bëje pjesë në hordhitë e servilëve, puthadorëve, intrigantëve që të djerësiteshin të gjitha poret e trupit kur i shërbeje plot zell e ambicje rregjimit të së keqes.


Në atë kohë, o lideruc, ti nuk kishe ideale.


As sot nuk ke.


Ti vjen në këto kohët e reja me larushi trajtash, lideruc.


Ti vjen si ai që e mori teserën e Partisë së Punës për të bërë karrierë e për tu ngjitur lart si gjarpër, plot helm e pickime ndaj atyre që të rrezikonin zvarrëngjitjen, e plot përdredhje e vrimëfshehje ndaj atyre që ishin mbi ty e që mund të të shtypnin kokën.


Ti vjen edhe si djalka i përkëdhelur dhe rrebel i asaj kohe, i rritur me gjithë mëkimet e ‘Bllokut’, por i gufosur nga tepria e tyre.


Ti vjen edhe si rijoshi i katapultuar i dekadës së fundit, që anglishten, krehjen, syzet intelektuale pa numër, parfumin, buzëqeshjen dhe optimizmin facial i ke si fjalëkalime për ‘Ndërkombëtarët’, ndërsa shikimin përdëllyes dhe bindjen e plotë i ke si lejeqarkullimi për ‘Lideruc-shefat’ e mëdhenj që të dhurojnë e investojnë karrierë të pamerituar.


Ti lideruc, e ke mbështjellë të gjithë shoqërinë shqiptare me hijen tënde të rëndë.


Ndonëse u krekose, lëvdove dhe lartësove kur u the shqiptarëve se i çlirove nga Hija e Diktatorit, me shpejtësi të jashtëmendshme u lëshove si skifter duke rrëmbyer e kobitur të gjithë boshllikun dhe hapësirat fizike, sociale, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve që shpresërrejshëm prisnin prej teje lirinë të kombinuar me drejtësi.


Sot, ti bën ligje pafund.


Ti bën ligje europiane, perëndimore, moderne, të shkëlqyera por puna jote përfundon tek bërja e ligjit, e nuk mbërrin dot tek zbatimi dhe respektimi i tyre.


Ti lideruc je mbi të gjitha ligjet.


Ti e bën Kushtetutën me gjysmën e popullit, pa e përfillur gjysmën tjetër.


Ti e ndryshon paskëtaj këtë Kushtetutë brenda 1 nate, pa popullin.


Ti ngre dhe rrëzon institucione.


Sipas lipsjes ti turresh me të gjithë lukuninë tënde të aparatit politik, administrativ, propagandës dhe falangave të mbijetojsave-intelektualë dhe mbijetojsave-militantë kundër Gjykatave, Prokurorisë, Institucioneve Kushtetuese.


E po lipsja të shtyn kah vetëfshehja dhe dashnorizimi me punën dhe legalitetin që buron nga po këto Institucione.


Dashuri - urrejtja jote me Institucionet është shndërruar në një ‘histori me drita të kuqe’ ku vetëdorëzimi i Institucioneve tek ty apo përdhunimi i tyre prej teje, ndonëse është historia jote personale dhe e interesave të tua të ngushta, ia mbërrin të mbajë zemërngrirë para ekraneve dhe faqeve të gazetave, të gjithë shqiptarët.


Fatkeqësia jonë, o lideruc, që në fakt qëllon të jetë fati yt i mirë është se masa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë të mëkuar si mbijetojsa nuk bën tifo për viktimat e dashuri-urrejtjes tënde, dmth për Ligjet dhe Institucionet, por paradoksalisht bëjnë tifo për ty.


Ti je mbi Kushtetutën, mbi ligjet, mbi Institucionet.


Ti je edhe mbi zgjedhjet, o lideruc.


Në kohën e qoftëlargut ti harliseshe në trupin e kalbur të Byrosë Politike duke qenë i sigurtë se loja ishte e tillë që përderisa nuk kishte zgjedhje, atëherë nuk fitonte më i miri, por më kokëllumzhyturi, nuk fitonte më i zoti, por më servili, nuk fitonte më i ndershmi, por më kodoshi e më spiuni.


Karriera jote varej nga buzëqeshja e bindja jote ndaj atyre mbi ty dhe biçakimet e passhpinës që u bëje miqve e armiqve të tu.


Në kohët e reja ti i zhbëre zgjedhjet.


Ty nuk të duheshin zgjedhjet sepse ato e bëjnë të pakontrollueshëm ndryshimin.


Ndaj edhe ti i detyruar për tiu përshtatur sistemit të ri me një demokraci funksionale u hodhe formalisht shqiptarëve kockën e votimeve ndërsa ndërkombëtarëve karrotën e stabilitetit.


Fatkeqësisht si edhe në të gjitha situatat para, gjatë e pas zgjedhore në Shqiperi në këto 20 vite, shqiptarët mbijetojsa nuk kanë bërë e nuk ia dolën të bënin as në 8 maj 2011 tifo për zgjedhjet e tyre, pra për veten e tyre.


Mbijetojsat vazhduan e vazhdojnë të bëjnë tifo për ty lideruc.


Ata bëjnë tifo për ty edhe kur ti ke dalë faqe botës duke bërë allishverishe të ndyra në zyrat e shtetit, madje çirren e ulërasin se ti je e vërteta, o lideruc.


Mbijetojsat bëjnë tifo për ty anipse ende nuk është tharë dheu që ka mbuluar arkemortet ku pushojnë trupat e shkrumbuar të 26 viktimave të Gërdecit.


Bëjnë tifo për ty edhe pse Bulevardi Dëshmorët e Kombit e rikonfirmoi sërisht emrin e tij me 4 dëshmorë të rinj në 21 janarin 2011.


Ata bëjnë tifo për ty, por nuk e dinë se nderojnë e votojnë padrejtësinë.


Mbijetojsat bëjnë tifo për ty, por ata nuk e dinë, atë që ti e di mirë, se drejtësia e vonuar është drejtësi e shmangur, drejtësi e tjetërsuar, dmth është padrejtësi.


Pikërisht kjo farësoj drejtësie e vonuar, pra kjo padrejtësi, ka bërë që 'Ti', Përdhosësi i Ligjit, Institucioneve dhe Zgjedhjeve, bëhesh më i fuqishëm, më i frikshëm, e si rrjedhojë kultizohesh, lëvdohesh, admirohesh, bëhesh më i nderuar, më i respektuar.


Kocka jote e votimeve ende funksionon për mbijetojsat në shumicë, o lideruc.


Por koha jote do mbarojë një ditë.


Të shpresojmë që kjo ditë nuk do të jetë e largët.


Sidoqoftë durim.


Kocka jo gjithmonë bën çudira sepse vjen një moment kur qeni e kafshon të zotin.


Kam përshtypjen se kur vjen ky moment as intelektualët organikë nuk do të të mbrojnë e shplajnë dot më, o lideruc.


Këta mbijetojsa-intelektualë si dikur në kohën e qoftëlargut vazhdojnë edhe sot të kacavirren nëpër qerthuj e hapësira vetëkënaqësimi dhe vetësugjestionimi duke mëtuar se ata janë thjesht dhe vetëm zejtarë të mendjes.


Në atkohë kur nënçmojnë apo qëllimisht anashkalojnë faktin se manifaktura ku ata përpunojnë ‘mendimet e tyre të lira’ ka prodhuar e prodhon vargonj e kamzhikë në dispozicionin tënd, që ti o lideruc të përdhunosh ligjet, Kushtetutën, Institucionet dhe jetën e shqiptarëve.


Nga ana tjetër, lajmi i mirë është se në këtë vend ndonëse të pakët në numër, kanë lindur e po linden ata njerëz që refuzojnë të jenë mbijetojsa, por duan tu dalin për zot punëve të tyre, familjeve te tyre, fashtrave e qyteteve të tyre, vendit dhe kombit të tyre.


Gjithashtu karrota jote e stabilitetit nuk po e nginj më urinë Perëndimore për qeverisje të pastër, demokraci reale, liri të kombinuar me drejtësi, shtet të së drejtës dhe lidership moral.


Ti nuk je i përjetshëm o lideruc.


Je vdekatar që bën mirë të kesh frikë nga ditët që do të vijnë.


Bota nuk është aq e padrejtë sa duket.


Loja vazhdon.


Arian Galdini


Tiranë më, 9 qershor 2011

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page