top of page

Lidershipi civik dhe politik në epokën e AI! Bota High Tech dhe sfidat për demokracinë, liritë dhe dinjitetin njerëzor.


Kristina Nano

Doktorante në Leadership, James Madison University (JMU), SHBA


Abstrakt


Inteligjenca artificiale dhe teknologjitë High Tech po ristrukturojnë mënyrën si formohet vullneti politik, si shpërndahet informacioni dhe si organizohet pjesëmarrja qytetare. Shteti, tregu dhe platformat digjitale administrojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të dhënave, vëmendjes dhe besimit shoqëror, ndërsa algoritmet filtrojnë ligjërimin publik përmes logjikash që veprojnë kryesisht në prapaskenë (Manheim & Kaplan 2019; Tuohy-Gaydos 2024). Kërkimet e dekadës së fundit mbi AI, demokracinë dhe lidershipin digjital tregojnë se gjenerimi i përmbajtjes artificiale, mikro-targetimi politik dhe praktikat e digital authoritarianism, veçanërisht në dimensionin e përfaqësimit, llogaridhënies dhe besimit, prekin drejtpërdrejt shtyllat themelore të rendit demokratik (Kreps & Kriner 2023; Freedom House 2018; Mantellassi 2023; Nature Editorial 2025).


Në këtë sfond, studimi mbështetet në një analizë konceptuale, krahasuese të literaturës ndërkombëtare 2018-2025 mbi AI, demokracinë dhe lidershipin digjital, me fokus të veçantë te rreziqet për përfaqësimin, llogaridhënien dhe besimin, dhe propozon një kornizë të re orientuese për lidershipin publik, të quajtur “Modeli i Kujdestarisë Civike Digjitale”.


Punimi artikulon shtatë shtylla të këtij modeli, i pozicionon ato në raport me literaturën ekzistuese mbi demokracinë digjitale dhe ilustron funksionimin e modelit përmes një mikro-case mbi mikro-targetimin politik të mundësuar nga AI.

Korniza ndërthuret me zhvillimet bashkëkohore mbi teknologjitë civike, infrastrukturën demokratike digjitale dhe programet e edukimit qytetar në ekosistemin online, me synim formësimin e një profili lidershipi që mbron dinjitetin e patjetërsueshëm të personit, lirinë e ndërgjegjes dhe integritetin e institucioneve (Garcia & Hubbard 2025; CIVICUS 2025; Sefton-Green 2020).


Në përfundim, studimi argumenton se lidershipi civik dhe politik në epokën e algoritmeve e gjen kuptimin më të thellë në mbrojtjen e hapësirës ku njeriu mbetet më shumë se profili i tij i të dhënave dhe ku fjala e ndërgjegjes qëndron përtej çdo modeli prediktiv.


Hyrje


Çdo revolucion teknologjik e vendos shoqërinë përballë pyetjes se çfarë përdorimi i jep fuqisë së re që merr në dorë. Inteligjenca artificiale, platformat globale dhe ekonomia e të dhënave krijojnë një mjedis ku gjesti më i thjeshtë komunikues lë gjurmë, grumbullohet, analizohet dhe kthehet në kapital njohës e politik.


Vullneti politik formohet kështu në prani të një arkitekture algoritmike që filtron realitetin sipas kritereve tregtare, strategjike dhe shpesh gjeopolitike (Manheim & Kaplan 2019).


Gjatë dekadës së fundit, literatura mbi AI dhe demokracinë ka nxjerrë në pah një tension të qëndrueshëm.


Studime si Kreps dhe Kriner (2023) analizojnë mënyrën si gjenerimi masiv i mesazheve politike nga modelet gjenerative e vështirëson dallimin mes zërit autentik qytetar dhe komunikimit të simuluar dhe ndikon drejtpërdrejt në perceptimin e përfaqësuesve mbi pritshmëritë e elektoratit.


Raportet e Freedom House (2018) dhe të GCSP (Mantellassi 2023) e zgjerojnë këtë shqetësim në plan global përmes rasteve ku infrastruktura digjitale përdoret për mbikëqyrje dhe disiplinim politik.


Në anën tjetër, programe si Digital Democracy Initiative dhe projektet e Ash Center mbi infrastrukturën civike digjitale dëshmojnë se teknologjia shfaq aftësi të dukshme për t’u shndërruar në urë të re mes qytetarëve dhe institucioneve (Digital Democracy Initiative 2023; Garcia & Hubbard 2025).


Ky punim synon të artikulojë përgjigje normative në këtë hapësirë tensioni, duke pyetur se çfarë profili lidershipi civik dhe politik mbron demokracinë, liritë dhe dinjitetin njerëzor në kushtet e një bote të ndërpenetruar nga AI.


Përgjigjja ndërtohet mbi tre hapa, një lexim i shkurtër i rreziqeve që përforcon AI për demokracinë dhe hapësirën publike digjitale, një analizë e mundësive që krijojnë teknologjitë civike, platformat e demokracisë digjitale dhe programet e edukimit qytetar, dhe propozimi i Modelit të Kujdestarisë Civike Digjitale, i ilustruar me një mikro-case mbi mikro-targetimin politik, nga i cili dalin implikime praktike për lidershipin publik.


Në këtë mënyrë, punimi e trajton lidershipin si kujdestari aktive mbi arkitekturën algoritmike të hapësirës publike, e cila më pas merr formë të plotë përmes Modelit të Kujdestarisë Civike Digjitale, dhe jo thjesht si aftësi komunikimi në mjetet digjitale.


Korniza teorike, lidership publik në arkitekturën teknologjike të kohës sonë.


Lidershipi publik lexohet këtu si aftësi për të orientuar komunitetin drejt të mirës së përbashkët përmes vizionit, karakterit dhe ndërtimit të institucioneve që mbajnë peshë edhe përtej cikleve elektorale.


Tradita studimore e lidh këtë rol me integritetin, përgjegjësinë dhe aftësinë për të mbajtur së bashku interesa të ndryshme rreth disa parimeve që nuk rrëzohen nga rrethanat e momentit dhe që i japin dinjitet vetes dhe tjetrit në të njëjtën masë.


Zhvillimet mbi lidershipin digjital shtojnë dimensionin e përdorimit strategjik të teknologjisë, punës me ekipe ndërdisiplinore dhe leximit të dinamikave të rrjeteve sociale (Villaplana Jiménez & Fitzpatrick 2024).


Në fushën e pjesëmarrjes civike, studimet mbi demokracinë digjitale dhe aktivizmin online tregojnë se platformat sociale, mjetet e advokimit dhe instrumentet e e-participation e rrisin intensitetin e komunikimit mes qytetarëve dhe institucioneve, ndërkaq sjellin forma të reja fragmentimi, polarizimi dhe lodhjeje (CIVICUS 2025; Sefton-Green 2020).


Kjo gjendje kërkon një formë lidershipi që e sheh teknologjinë në marrëdhënie organike me trupin shoqëror, komunitetet lokale, familjet, shoqatat, bashkësitë e besimit dhe organizatat e shoqërisë civile.


Në këtë kuptim, lidershipi civik shfaqet si aftësi e individëve, organizatave dhe lëvizjeve për të ndërtuar besim, për të lehtësuar bashkëpunimin dhe për të mbrojtur hapësirat e veprimit qytetar, në dimensionin fizik dhe në ekosistemin online.


Lidershipi politik shfaqet si ushtrim i pushtetit publik në mënyrë që garanton liri reale, shtet të së drejtës, llogaridhënie dhe mbrojtje të atyre që mbeten më të ekspozuar përballë krizave e abuzimeve.


Të dy këta dimensione lidershipi bashkohen në detyrën e kujdestarisë mbi hapësirën ku formohet vullneti qytetar, detyrë që në pjesën vijimtare merr formë përmes Modelit të Kujdestarisë Civike Digjitale.


Rreziqet, AI, dezinformimi dhe autoritarizmi digjital.


Rreziqet që lindin nga AI për demokracinë mund të grupohen në tre fusha, deformimi i komunikimit politik, përqendrimi i kontrollit mbi informacionin dhe gërryerja e privatësisë e vetëvendosjes informative.


Kreps dhe Kriner (2023) përshkruajnë se modelet gjenerative krijojnë mesazhe politike, e-maile dhe korrespondencë që imiton stilin e qytetarëve, gjë që e bën më të paqartë se cilat reagime i përkasin elektoratit dhe cilat burojnë nga fushata të automatizuara.


Përfaqësuesit e zgjedhur përballen me një panoramë feedback-u ku sinjali autentik vendoset në një det korrespondence të prodhuar nga sisteme inteligjente.


Raportet e Freedom House (2018) dhe studimi i Mantellassi (2023) mbi digital authoritarianism përshkruajnë mënyra të shumta përmes të cilave regjimet e prirura drejt kontrollit e përdorin infrastrukturën digjitale për mbikëqyrje, filtrimin e ligjërimit publik dhe ndëshkimin e mospajtimit politik.


Rrjetet sociale, platformat e pagesave dhe sistemet e kredive sociale shndërrohen në instrumente disiplinimi.


Edhe shoqëritë me institucione demokratike përballen me rrezikun e transplantimit gradual të logjikës së kontrollit të të dhënave mbi hapësirën publike digjitale nëse kultura e lirisë mbetet e pamjaftueshme për të vendosur kufij.


Dimensioni i tretë lidhet me privatësinë dhe vetëvendosjen informative.


Manheim dhe Kaplan (2019) analizojnë mënyra përmes të cilave inteligjenca artificiale amplifikon rreziqet për privatësinë dhe proceset demokratike përmes profilizimit të sjelljes, analizës së përmbajtjes dhe parashikimit të preferencave.


Editoriale si ai i Nature mbi “AI has a democracy problem” nënvizojnë se qytetarët e jetojnë hapësirën online me ndjesinë se çdo gjurmë e tyre mund të kthehet në instrument ndikimi ndaj tyre (Nature Editorial 2025).


Besimi tek institucionet, mediat dhe vetë procedurat demokratike merr kështu një ngarkesë të re dhe bëhet më i brishtë përballë praktikave të padukshme të përpunimit të të dhënave.


Mundësitë, teknologjitë civike dhe infrastruktura demokratike digjitale


Krahas rreziqeve, literatura mbi teknologjitë civike dhe demokracinë digjitale sjell shembuj që dëshmojnë potencial të madh për fuqizimin e pjesëmarrjes dhe llogaridhënies.


Programi Digital Democracy Initiative, i mbështetur nga aktorë evropianë dhe danezë, synon krijimin e një ekosistemi ku platformat, mjetet e advokimit dhe inovacioni social digjital i japin qytetarëve mundësi të qarta për të ndikuar në politikat publike (Digital Democracy Initiative 2023).


Ash Center, përmes konceptit të “digital civic infrastructure”, e lexon teknologjinë si shtresë institucionale të vetë demokracisë (Garcia & Hubbard 2025).


Platforma MAPLE, e cila hap procesin legjislativ në Massachusetts për kontribute qytetare dhe e bën të gjurmueshme rrugën e dëshmive në ligjvënie, shërben si shembull i prekshëm i kësaj qasjeje.


Iniciativa të ngjashme në Europë mbi pjesëmarrjen digjitale shpallin potencial për buxhete pjesëmarrëse online, panele qytetare hibride dhe konsultime të hapura (CIVICUS 2025; Hornstein 2025).


Edukimi për demokracinë në ekosistemin digjital merr një rol qendror.


Sefton-Green (2020) argumenton se kurrikulat që bashkojnë edukimin mediatik, etikën e teknologjisë dhe aftësitë për deliberim krijojnë qytetarë që e lexojnë me kthjelltësi mjedisin online, e përdorin teknologjinë për të ngritur çështje publike dhe e mbajnë lidhjen mes ekranit dhe realitetit konkret.


Programi EDDA në Europë e vendos këtë formim si pjesë të qëndrueshme të arsimit qytetar (EDDA Project 2023).


Këto zhvillime përgatisin terrenin për një model lidershipi që e sheh teknologjinë si infrastrukturë shërbimi ndaj njeriut dhe komuniteteve.


Modeli i Kujdestarisë Civike Digjitale


Në dritën e kësaj literature, studimi propozon Modelin e Kujdestarisë Civike Digjitale si kornizë orientuese për lidershipin civik dhe politik në epokën e AI.


Ky model mbështetet në shtatë shtylla të ndërvarura.


Së pari, qartësia e vlerave dhe dinjiteti personal shfaqen si bosht etik.

Lideri i kujdestarisë civike digjitale e sheh çdo person si qëllim më vete, jo si burim të dhënash apo target strategjik, dhe e përdor dinjitetin e personit si kriter për gjykimin e çdo forme përdorimi të AI në fushën publike.


Së dyti, liria e përgjegjshme në ekosistemin online përcakton horizontin e veprimit.

Lideri i kujdestarisë civike digjitale e lexon lirinë në lidhje të brendshme me përgjegjësinë për mënyrën si krijohet dhe shpërndahet përmbajtja.

Strategjitë politike shmangin manipulimin emocional të vëmendjes dhe synojnë informim të ndershëm, debat argumentues dhe kohë për reflektim.


Së treti, institucionet e ndërmjetme shfaqen si rrjet mbajtës.

Lideri i kujdestarisë civike digjitale i forcon familjet, bashkësitë lokale, shoqatat, komunitetet e besimit dhe organizatat e shoqërisë civile si rrjet lidhës që e mban njeriun të rrënjosur në marrëdhënie reale.

Sa herë ky rrjet shëndoshet, platformat globale e humbasin rolin e vet si burim i vetëm përkatësie.


Së katërti, hapësira e së vërtetës dhe besimit qëndron si kusht i diskutimit publik. Lideri i kujdestarisë civike digjitale mbështet media profesionale, verifikimin e fakteve, raportimin e përgjegjshëm dhe një kulturë ku gabimi pranohet e korrigjohet hapur.

Kjo krijon një fushë ku e vërteta ruan status të veçantë dhe ku besimi në burime të caktuara informacioni e mban të gjallë mundësinë e deliberimit.


Së pesti, transparenca algoritmike dhe e vendimeve të automatizuara vepron si gardian i fuqisë teknologjike.

Lideri i kujdestarisë civike digjitale mbështet ligje dhe rregulla që vendosin detyrimin për shpjegueshmëri, auditim të pavarur dhe përgjegjësi njerëzore për vendimet ku algoritmet luajnë rol të qenësishëm (Mahapatra 2025; OECD 2022).


Së gjashti, infrastruktura civike digjitale formon shtratin e pjesëmarrjes së përditshme.

Lideri i kujdestarisë civike digjitale ndërton e mbështet platforma zyrtare për konsultim publik, buxhete pjesëmarrëse, panele qytetare online dhe mekanizma si MAPLE që e bëjnë demokracinë një praktike të vazhdueshme e jo vetëm ngjarje zgjedhore (Garcia & Hubbard 2025).


Së shtati, bashkëpunimi transnacional krijon kornizë mbrojtëse të rendit demokratik. Lideri i kujdestarisë civike digjitale angazhohet në standarde të përbashkëta për transparencën algoritmike, mbrojtjen e aktivistëve dhe gazetarëve dhe adresimin e ndërhyrjeve keqdashëse në procese zgjedhore e në debatin publik (Tuohy-Gaydos 2024; Hornstein 2025).


Së bashku, këto shtylla e përkufizojnë kujdestarin civik digjital si figurë lidershipi që e orienton teknologjinë drejt shërbimit dhe jo drejt dominimit.


Ky profil e lexon pushtetin teknologjik si mandat përgjegjësie, e sheh hapësirën publike digjitale si pjesë të të mirës së përbashkët dhe e mban njeriun në qendër të çdo vendimi.


Mikro-case, mikro-targetimi politik dhe erozioni i dimensionit deliberativ


Për të konkretizuar funksionimin e Modelit të Kujdestarisë Civike Digjitale, vlen të ndiqet nga afër mekanika e mikro-targetimit politik të mundësuar nga AI.


Një aktor politik siguron akses te një platformë që përmban të dhëna të imta mbi zakonet, frikërat, aspiratat dhe sjelljet online të banorëve në një zonë elektorale.


Një model inteligjence artificiale trajnohet mbi këtë bazë për të identifikuar segmente të veçanta, prindër të rinj me pasiguri ekonomike, të moshuar që jetojnë vetëm, sipërmarrës të vegjël të ekspozuar ndaj riskut financiar, studentë që përballen me vështirësi punësimi.


Për secilin segment modeli gjen temat që ndezin reagim emocional të fortë dhe format e fjalës që rrisin gjasën e një përgjigjeje të favorshme.


Në fazën pasuese, sistemi prodhon tekste, video të shkurtra dhe mesazhe vizuale të personalizuara.


Secili grup merr një narrativë të vetën, të shkruar me gjuhë të afërt me stilin e përditshëm të atij grupi, ndërsa programi politik i përgjithshëm qëndron në sfond.


Komunikimi zhvillohet në kanale të targetuara, larg horizontit të përbashkët të debatit dhe pa ekspozim të garantuar ndaj argumenteve të kundërta dhe kostove reale të politikave.


Në termat e teorisë demokratike, ky proces dobëson dimensionin deliberativ të vullnetit kolektiv dhe e zëvendëson me një agregim të fragmentuar preferencash të stimuluara emocionalisht dhe të menaxhuara algoritmikisht, gjë që e bën më të brishtë vetë legjitimitetin e vendimeve politike.


Modeli i Kujdestarisë Civike Digjitale e lexon këtë mekanizëm duke afirmuar disa kufij të qartë, transparencë të praktikave të mikro-targetimit, detyrim që mesazhet të shoqërohen me informacion të verifikueshëm mbi politikat konkrete dhe mundësi reale kundërpeshimi nga media, shoqëria civile dhe institucionet e pavarura. Kujdestari civik digjital e trajton integritetin e vullnetit politik si pasuri të përbashkët që kërkon mbrojtje të përhershme.


Implikime praktike për lidershipin civik dhe politik


Nga analiza e mësipërme dalin disa orientime kryesore për veprim në nivel lokal, kombëtar dhe transnacional.


Në rrafshin normativ dhe ligjor, ligjbërësit që e marrin seriozisht qeverisjen etike të AI ndërtojnë korniza që balancojnë inovacionin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.


Politikat për auditimin e algoritmeve, të drejtën për shpjegim në vendimet e automatizuara, kufizimin e mbikëqyrjes intruzive dhe nxitjen e aplikimeve të AI që përmirësojnë shërbimet publike formojnë një shtyllë të këtij qasjeje (Mahapatra 2025; OECD 2022).


Në këtë kuadër, Modeli i Kujdestarisë Civike Digjitale shërben si kriter orientues për vlerësimin e çdo politike të re mbi AI dhe të dhënat në raport me përfaqësimin, llogaridhënien dhe besimin.


Në rrafshin institucional, parlamentet, këshillat bashkiakë dhe ministritë ndërtojnë infrastrukturë civike digjitale që e bën pjesëmarrjen e qytetarëve një praktikë të vazhdueshme.


Platforma të dizajnuara me kujdes, si MAPLE në Massachusetts, tregojnë se procesi ligjvënës fiton transparencë dhe densitet pjesëmarrjeje kur dëshmitë dhe propozimet qytetare futen në një kanal të rregullt dëgjimi dhe përgjigjeje (Garcia & Hubbard 2025).


Në fushën e arsimit dhe formimit qytetar, sistemet shkollore dhe universitetet e integrojnë edukimin për mjedisin digjital në zemër të kurrikulave.


Kjo përfshin edukim mediatik, etikë të teknologjisë, aftësi për deliberim dhe trajnime për pjesëmarrje në platformat e demokracisë digjitale (Sefton-Green 2020).


Programet që u japin të rinjve mundësinë të krijojnë projekte konkrete teknologjike në shërbim të komunitetit e lidhin dijen me shërbimin dhe e bëjnë të prekshme lidhjen mes teknologjisë dhe të mirës së përbashkët.


Në dimensionin transnacional, shtetet me orientim demokratik bashkërendojnë standardet për transparencën algoritmike, mbrojtjen e aktivistëve dhe gazetarëve dhe mekanizmat për adresimin e ndërhyrjeve keqdashëse në zgjedhje dhe në debatin publik (Tuohy-Gaydos 2024; Hornstein 2025).


Ky bashkëpunim shndërrohet në një kupolë mbrojtëse mbi hapësirat kombëtare dhe krijon një arkitekturë vlerash që e mban rendin demokratik të lidhur përtej kufijve shtetërorë.


Përfundime


Epoka e AI dhe teknologjive High Tech e vë lidershipin civik dhe politik përballë një zgjedhjeje të qartë.


Njëra rrugë e sheh arkitekturën algoritmike si mjet për grumbullimin e vëmendjes, optimizimin e mesazheve dhe konsolidimin e pushtetit.


Rruga tjetër e lexon të njëjtën arkitekturë si fushë shërbimi, ku kërkohet maturi, vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi për mënyrën si preket jeta e çdo njeriu.


Modeli i Kujdestarisë Civike Digjitale ofron një udhëzues për këtë zgjedhje.


Shtatë shtyllat e tij e vendosin dinjitetin e personit në qendër, e lexojnë lirinë në bashkëjetesë me përgjegjësinë, forcojnë rolin e institucioneve të ndërmjetme dhe mbrojnë hapësirën e së vërtetës e të besimit.


Infrastruktura civike digjitale, transparenca algoritmike dhe bashkëpunimi transnacional shfaqen si instrumente që e përkthejnë këtë vizion në praktikë.


Lidershipi civik dhe politik në epokën e AI matet nga aftësia për të ruajtur hapësirën ku njeriu mbetet më shumë se profili i tij i të dhënave dhe ku fjala e ndërgjegjes qëndron mbi çdo algoritëm.


Në këtë shërbesë të përditshme merr kuptim edhe vetë teknologjia, si mjet që e rrit lirinë dhe e lartëson dinjitetin, larg çdo reduktimi të personit në objekt matjeje, parashikimi ose kontrolli.


Referenca


Ash Center for Democratic Governance and Innovation 2025, Experiential civic learning for American democracy, Harvard Kennedy School, Cambridge, MA, viewed 18 November 2025, https://ash.harvard.edu.


CIVICUS 2025, Digital democracy initiative: synthesis report, analysis of the digital democracy ecosystem, CIVICUS, Johannesburg, viewed 18 November 2025, https://www.civicus.org.


Digital Democracy Initiative 2023, Digital Democracy Initiative 2023-2026: programme document, Ministry of Foreign Affairs of Denmark & Team Europe Democracy, Copenhagen/Brussels, viewed 18 November 2025, https://um.dk.


Freedom House 2018, Freedom on the Net 2018: the rise of digital authoritarianism, Freedom House, Washington, DC, viewed 18 November 2025, https://freedomhouse.org.


Garcia, C & Hubbard, S 2025, A framework for digital civic infrastructure, Ash Center for Democratic Governance and Innovation, Harvard Kennedy School, Cambridge, MA, viewed 18 November 2025, https://ash.harvard.edu.


Hornstein, LM 2025, Rebuilding public trust in the digital age: young liberals point the way, Friedrich Naumann Foundation for Freedom, Europe, viewed 18 November 2025, https://www.freiheit.org.


Kreps, S & Kriner, DL 2023, ‘How AI threatens democracy’, Journal of Democracy, vol. 34, no. 4, pp. 122-131.


Mahapatra, S 2025, Ethical governance of AI and the prevention of digital authoritarianism in South and Southeast Asia: case studies of India and Singapore, GIGA Focus Global, no. 3, German Institute for Global and Area Studies, Hamburg.


Manheim, K & Kaplan, L 2019, ‘Artificial intelligence: risks to privacy and democracy’, Yale Journal of Law and Technology, vol. 21, pp. 106-188.


Mantellassi, F 2023, Digital authoritarianism: how digital technologies can empower authoritarianism and weaken democracy, Geneva Centre for Security Policy, Geneva.


Nature Editorial 2025, ‘AI has a democracy problem, here’s why’, Nature, 18 November.


OECD 2022, The protection and promotion of civic space, Organisation for Economic Co-operation and Development, Paris.


Sefton-Green, J 2020, ‘Educating for democracy in the digital age’, Oxford Research Encyclopedia of Education, Oxford University Press.


Tuohy-Gaydos, G 2024, Artificial intelligence (AI) in action: a preliminary review of AI use for democracy support, Westminster Foundation for Democracy, London.


Villaplana Jiménez, FR & Fitzpatrick, J 2024, ‘Digital leaders: political leadership in the digital age’, Frontiers in Political Science, vol. 6, article 1425966.

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page