Ligji i dashurisë dhe rrugët e paqes

Nga Arian Galdini
Në shtatorin e vitit 1910, Tolstoi lexonte në Indian Opinion për njerëz që, nën udhëheqjen e Gandit, i kundërviheshin padrejtësisë në Transvaal pa ngritur dorën mbi askënd.
Larg Rusisë, njerëz të panjohur po vinin në provë me jetën e tyre një bindje që atij i kishte kushtuar vite mundimi shpirtëror.
Në letrën e 20 shtatorit, me vdekjen tashmë pranë, ai i shkroi Gandit për dashurinë si ligjin më të lartë të jetës njerëzore.
E shqetësonte lehtësia me të cilën njerëzit e shpallnin këtë ligj dhe pastaj pranonin autoritetin e dikujt për t’i çliruar prej tij.
Mes arsyetimeve për fatin e njerëzimit, Tolstoi rrëfen një provim feje.
Një nxënëse pyetet nëse vrasja është gjithmonë mëkat.
Prelati pret përjashtimet e mësuara për luftën dhe dënimin e kriminelëve.
Vajza, me fytyrën të skuqur, përgjigjet “Gjithmonë”.
Ai e kundërshton.
Ajo i qëndron fjalës së saj.
Nxënësja e merr urdhërimin aq seriozisht, sa mësuesit i duhet të mbrojë përjashtimin.
Ai i ka mësuar çfarë është e drejtë dhe tani kërkon të përcaktojë kur mësimi pushon së vlejturi.
Ajo ia kthen fjalën e dhënë si një detyrim që vlen edhe për të.
Në atë përballje ndodhet një nga tundimet më të vjetra të autoritetit.
T’u japë njerëzve një parim që i detyron dhe të ruajë për vete të drejtën për t’i çliruar prej tij.
Bindja ndaj së drejtës bëhet kështu bindje ndaj atij që vendos kur ajo zbatohet.
Ndërgjegjja vazhdon ta shqiptojë urdhërimin, ndërsa lejen për veprimin e pret nga diku tjetër.
Tolstoi e çon ligjin e dashurisë deri te kundërshtimi i çdo dhune, përfshirë detyrimin mbi të cilin mbështeten institucionet shtetërore.
Kërkesa e tij prek vetë mënyrën si njerëzimi e ka organizuar bashkëjetesën.
Për këdo që kërkon drejtësi përmes institucioneve, letra lë të hapur një pyetje të rëndë.
Çfarë e pengon fuqinë e dhënë për të mbrojtur njeriun të marrë në zotërim jetën e tij?
Autoriteti e përligj veten për aq sa pranon kufij edhe përballë njeriut që mund ta mposhtë.
Ai jep arsye për veprimin, lejon kundërshtimin e tij dhe i nënshtrohet një gjykimi që mund t’i japë të drejtë palës tjetër.
Kush kërkon ndreqjen e dëmit ruan të gjithë mbrojtjen që i takon, edhe kur kërkesa e tij rrezikon pozitën e një qeveritari.
Dinjiteti i të dëmtuarit vlen më shumë se qetësia e atij që duhet të përgjigjet.
Dashuria për vendin na ngarkon edhe me jetën që kundërshtari do të bëjë mes nesh.
Ai do të punojë, do të rrisë fëmijët dhe do të kërkojë të ardhmen e vet në të njëjtën Shqipëri.
Fitorja jonë politike duhet t’ia ruajë të hapura këto mundësi.
E mira publike e përfshin edhe kur prej tij nuk do të vijë asnjë votë, asnjë falënderim, asnjë pajtim me ne.
Një arsimim më i mirë mund ta bëjë kritik më të fuqishëm të qeverisë.
Siguria ekonomike mund t’i japë guximin që frika për bukën ia kishte marrë.
Drejtësia mund t’i njohë një të drejtë që shteti ia ka cenuar.
Pushteti që punon për këto të mira punon edhe për pavarësinë e njeriut prej vetes.
Në fund të mandatit mund të gjejë përballë një qytetar më të lirë për ta larguar, pikërisht sepse e ka qeverisur mirë.
Përkatësia e atij njeriu në Shqipëri është më e hershme dhe më e qëndrueshme se çdo mandat qeverisës.
Varësia fillon kur ndihma kthehet në borxh politik.
Përfituesit i kujtohet kush ia hapi derën, kush ia dëgjoi hallin, kush e mbështeti në një ditë të vështirë.
Mirënjohjes i caktohet një detyrë që ajo nuk e kishte pranuar.
Prej saj pritet heshtje, votë, mbrojtje publike.
E mira e dikurshme fillon të përdoret për të kufizuar njeriun që duhej të fuqizonte.
Edhe përkushtimi ndaj një partie mund të marrë këtë rrugë.
Udhëheqësi u kërkon mbështetësve të mbrojnë diçka që ndërgjegjja e tyre e kundërshton.
U kujton rrezikun nga pala tjetër dhe dëmin që do t’i shkaktonin bashkimit duke folur.
E vërteta peshohet sipas pasojës që do të ketë për të.
Njeriu mund të përfundojë duke mbrojtur pikërisht atë që kishte hyrë në politikë për ta ndryshuar.
Çdo tërheqje e vogël e vështirëson fjalën e ardhshme.
Pas një kohe, për të kundërshtuar udhëheqësin duhet të përballojë edhe gjithë heshtjen që i ka dhuruar.
E megjithatë, e drejta për të folur i mbetet e plotë.
Gabimi i djeshëm nuk ia heq mundësinë për të dëshmuar sot.
E Djathta e Dinjitetit e njeh njeriun si autor të gjykimit të vetë brenda lidhjeve që ka zgjedhur.
Miqësia, mirënjohja dhe besnikëria kanë vlerë për sa kohë mund t’i japim lirisht.
Një bashkim politik që pranon zërin kundërshtues të njerëzve të vet fiton mundësinë të ndreqet përpara se gabimi të bëhet mënyrë qeverisjeje.
Çështja Balluku ua shtron këtë kërkesë edhe atyre që i kanë besuar qeverisë.
Ata kanë të drejtë të kërkojnë shpjegime për ushtrimin e autoritetit publik, pa u ndier tradhtarë të votës së tyre.
Përgjegjësitë penale i përcakton gjykata.
Edi Rama u detyrohet qytetarëve llogarinë politike për njerëzit që ka zgjedhur, kompetencat që u ka besuar dhe qeverisjen që ka drejtuar.
Kërkoj dorëheqjen e Edi Ramës dhe kthimin e vendimmarrjes te qytetarët, përmes një rruge kushtetuese me garanci të besueshme zgjedhore.
Mundësia për ta larguar qeverinë pa dhunë është pjesë e sigurisë së një vendi.
Shqiptarët kanë nevojë ta dinë se ndryshimi është i arritshëm dhe se humbja politike e një pale ia lë të hapur vendin në të ardhmen e përbashkët.
Qëndresa paqësore kërkon ta ndjekësh deri në fund kërkesën duke mbrojtur njeriun gjatë gjithë rrugës.
Zemërimi ka kujtesën dhe plagët e veta.
Kur bëhet veprim publik, pasojat e tij hyjnë edhe në jetën e njerëzve që nuk e kanë shkaktuar dhimbjen.
Në Transvaal, ata për të cilët lexonte Tolstoi po paguanin vetë koston e kundërshtimit.
Mënyra si e përballonin i jepte bindjes së tyre një prani që pushteti duhej ta përballonte.
Ata që zotërojnë mjetet e shtetit kanë një barrë të posaçme.
Urdhri zbret nga lart, kalon nëpër duar njerëzish dhe prek një jetë konkrete.
Frika për vendin e punës dhe besnikëria ndaj eprorit nuk e fshijnë gjurmën e veprimit.
Njeriu i goditur do ta mbajë dhimbjen edhe pasi urdhëruesi të ketë ndërruar detyrë.
Paqja ka nevojë që kjo dhimbje të gjejë drejtësi.
Dëmi kërkon ndreqje.
Falja personale i përket të dëmtuarit, ndërsa pajtimi kërkon pjesëmarrjen e tij të lirë.
Një marrëveshje mes drejtuesve nuk e mbyll vetvetiu llogarinë që institucionet kanë me të.
Dëshmia e tij ruan peshën edhe kur të tjerët duan ta shpallin konfliktin të përfunduar.
Për Rinisjen, dialogu gjykohet edhe nga ajo që i jep njeriut pa përfaqësues mes negociatorëve.
Garancia merr vlerë kur ai mund ta përdorë pa kërkuar ndërmjetësimin e një partie.
Përndryshe, e drejta vazhdon të mbërrijë përmes dorës që nesër mund t’i kërkojë bindje.
Alternativa që kërkon pushtetin merr përsipër ta ndërpresë këtë varësi edhe kur ajo do t’i shërbente.
Një fitore që e bën kundërshtimin e ardhshëm më të lirë i ka dhënë Shqipërisë diçka që do të vlejë pas largimit të fituesit.
Ajo u ka lënë njerëzve mjetet për të kërkuar më shumë edhe prej atyre që ua hapën rrugën.
Tolstoi ia dërgoi Gandit rrëfimin e vajzës pa ia dhënë emrin.
Nga ai provim na ka mbërritur përgjigjja e saj dhe vështirësia e autoritetit për ta pranuar.
Një njeri i ri kishte marrë seriozisht një fjalë të vjetër dhe kishte kërkuar që ajo të vlente edhe në praninë e atij që e mësonte.
Fëmijëve tanë do t’u mbetet Shqipëria bashkë me njerëzit që sot i kemi kundërshtarë.
Do të mësojnë prej nesh fjalët me të cilat e duam këtë vend.
Pastaj do të rriten aq sa të na kërkojnë llogari për kuptimin që u kemi dhënë.
Arian Galdini





Comments