top of page

Protesta e 28 nëntorit, Kombi nuk vihet në shërbim të politikës së ditës…

3 hours ago
2 min read

Nga Arian Galdini


Zgjedhja e 28–29 nëntorit për protestën në Tiranë është politikisht e papërgjegjshme.


Festat kombëtare ruajnë një marrëdhënie që duhet t’u mbijetojë qeverive dhe përplasjeve tona.


Pikërisht kur kundërshtimi është më i ashpër, shqiptarëve u duhet mundësia ta njohin njëri-tjetrin si bashkatdhetarë pa u pajtuar politikisht.


Organizatorët sipas meje kanë bërë gabim fatal duke caktuar 28 - 29 nëntorin si datat e Protestës Kombetare të radhës.


Një kauzë që kërkon besimin e vendit duhet të respektojë edhe atë që nuk mund ta vërë në shërbim të vetë.


Kthimi i përkujtimit të përbashkët në provë force e varfëron jetën kombëtare.


Pas çdo beteje për pushtet, duhet të mbetet e mundur të jetojmë bashkë.


Kur Sali Berisha, Partitë e Reja, Flamingot, Studentët, e të tjerë, e paraqesin protestën si nderimin më të madh për të rënët, ata u japin thirrjes që mbështesin përparësi morale mbi çdo mënyrë tjetër nderimi.


Sipas kësaj logjike, qytetari që zgjedh ndryshe mbetet më poshtë në mirënjohje.


Ky është presion mbi ndërgjegjen përmes sakrificës së brezave.


Të rënët nuk kanë lënë trashëgim detyrimin për t’iu bindur Konglomeratit që organizon Protestat.


Flamuri i përket plotësisht edhe atij që e kundërshton Protestën, edhe atij që nuk Proteston, u përket të gjithë shqiptarëve së bashku pavarësisht kundërshtive politike që kanë.


Kush pretendon të drejtojë Republikën duhet ta njohë këtë barazi përpara se të marrë pushtetin.


Përndryshe, qysh në opozitë ushtron zakonin e sunduesit që e mat vendin me bindjen ndaj vetes.


Dhuna është e papranueshme nga çdo palë.


Çdo nxitje për përplasje meriton dënim të prerë.


Matrapazët e zemëratës duhet të përgjigjen për rrezikun që u ngarkojnë të rinjve.


Plaga mbetet në trupin e atij që e pëson, edhe kur organizatori e shpall përballjen fitore.


Edi Rama duhet të largohet.


Kërkesa për largimin e tij mbart përgjegjësinë për Shqipërinë që do të jetojë edhe pas tij.


Më 28–29 nëntor, shqiptarët duhet të mund ta nderojnë vendin me ndërgjegjen e lirë.


Askush nuk i detyrohet një tribune dëshmi se e do Shqipërinë.


Festat Kombëtare janë të shenjta dhe janë Rituale Bashkimi.


Festat Kombëtare nuk përdoren kurrë për politikë e qëllime të politikës së ditës.


Pikë


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page