Përtej besimit: “E di” si përvojë e kufirit…

Nga Arian Galdini
Në vitin 1959, Carl Jungu i madh, u pyet nëse besonte në Zot.
Pas një heshtjeje të gjatë tha: “Nuk kam nevojë të besoj. E di.”
Kaq pak fjalë ngrenë një nga pyetjet më të vjetra të filozofisë, ku mbaron besimi dhe ku fillon dija?
Që nga Platoni, dija është menduar si besim i justifikuar.
Megjithatë, ka një rend dijeje që nuk lind nga argumentet, por nga takimi.
Michael Polanyi e quante “dije të heshtur”, atë që e dimë më shumë sesa mund ta shprehim.
Pascali e tha më thjesht, zemra ka arsyet e veta, që arsyeja nuk i njeh.
Jung nuk fliste për Zotin e provave ontologjike.
Fliste për një realitet që shfaqet në psikë si diçka e huaj për unin, më e madhe se ai, dhe që e transformon atë.
Këtu fillon mrekullia, njeriu, qenie e fundme, ka kapacitet për të pafundmen.
Kierkegaardi e pa këtë si kërcim, sepse e vërteta më e thellë nuk vëzhgohet nga jashtë, por jetohet nga brenda.
Augustini e kishte përmbysur rendin e zakonshëm: “Besoj që të kuptoj.”
Besimi nuk është armik i mendjes.
Është pragu që i lejon mendjes të hyjë në atë që përndryshe do t’i mbetej e mbyllur.
Për mua, kjo përvojë kufiri nuk mbetet abstrakte.
Tradita që ndjek e quan Logos, kuptimin themelor të gjithçkaje, dhe guxon të thotë se ky Logos nuk mbeti ide, por u bë histori, fytyrë, jetë njerëzore.
Kjo është arsyeja pse “e di” e Jungut nuk më duket deklaratë dogmatike, por rrëfim i një marrëdhënieje.
Ndoshta besimi më i pjekur nuk është ai që ka mbyllur pyetjet, por ai që ka gjetur një prani brenda tyre.
Atëherë, si Jung, njeriu mund të thotë pa krenari dhe pa frikë: “E di”, jo sepse ka zgjidhur misterin, por sepse misteri e ka njohur atë i pari.
Arian Galdini





Comments