top of page

Më 21 gusht nuk mjafton të dimë pse dalim. Duhet të dimë edhe si do të sillemi kur të jemi bashkë…

Aug 12
4 min read

Një Republikë nuk provohet vetëm nga qëllimi që shpall.


Provohet nga mënyra si sillet me njeriun, me kundërshtarin, me ligjin dhe me vetveten pikërisht kur ka arsye të ndihet e fortë.


Për këtë arsye, 21 gushti nuk mund të jetë vetëm një datë, një thirrje apo një shesh.


Duhet të ketë një rregull.


Jo sepse dua ta zvogëloj lirinë e qytetarit, por sepse liria pa përgjegjësi bëhet shumë shpejt pre e atij që bërtet më fort, e atij që merr mikrofonin, e atij që sjell më shumë njerëz, e atij që ka më shumë para, më shumë kamera apo një aparat më të madh pas vetes.


Unë dua të kundërtën.


Dua që njeriu që vjen më 21 gusht të dijë se askush nuk ka më shumë të drejtë mbi të vetëm sepse është organizator, kryetar, deputet, figurë publike, gazetar, protestues i vjetër apo nismëtar i asaj dite.


As unë.


Prandaj dua që 21 gushti të ketë një Kod të vetin.


Jo një kod ceremonial.


Një marrëveshje të thjeshtë mbi mënyrën si duam të sillemi përpara se të kërkojmë të ndryshojmë mënyrën si qeveriset Shqipëria.


Vijmë si qytetarë të lirë.


Askush nuk ka nevojë të dorëzojë bindjen, historinë, partinë apo pavarësinë e vetë për të qenë aty.


Demokrati mund të vijë si demokrat.


Qytetari pa parti si qytetar pa parti.


Njeriu që dje ka votuar socialistët si shqiptar që mendon se ky cikël duhet të mbyllet.


Rinisja vjen si Rinisje.


Askush nuk vjen si pronar i të tjerëve.


Nuk vijmë për hakmarrje.


“Rama ikën” nuk do të thotë që një pjesë e Shqipërisë duhet të trembet nga pjesa tjetër.


Socialisti nuk është armik.


Nëpunësi nuk është plaçkë.


Familja e kundërshtarit nuk është kundërshtar.


Biznesi nuk duhet të ndërrojë mbrojtës politik për të mbijetuar.


Një ndryshim që vjen për të poshtëruar humbësin ka mbjellë që në ditën e parë hakmarrjen e ardhshme.


Nuk vijmë për dhunë.


Zemërimi nuk na jep të drejtë ta shkatërrojmë atë Republikë që pretendojmë se duam ta shpëtojmë.


Nuk kemi nevojë për gurë që të provojmë guximin tonë.


Nuk kemi nevojë për zjarr që të dëshmojmë zemërimin tonë.


Nuk kemi nevojë të provokojmë policin që kryen detyrën e vetë dhe as të lejojmë askënd ta përdorë qytetarin si mburojë për një skenë që nuk i përket atij.


Forca jonë duhet të jetë aq e qartë, sa të mos ketë nevojë të shndërrohet në frikë për askënd.


Fjala nuk është pronë e mikrofonit.


Njeriu që flet nuk bëhet më i madh se ai që dëgjon.


Mikrofoni është mjet, jo mandat.


Kushdo që merr fjalën duhet ta dijë se liria e tij jeton pranë të drejtës së tjetrit për të mos u fyer, kërcënuar apo shpallur armik.


Dhe kush drejton një hapësirë publike duhet të ketë rregulla të njohura përpara konfliktit, jo pushtet të improvizuar pasi konflikti ka nisur.


Kjo vlen edhe për ne.


Sidomos për ne.


Asnjë parti nuk e merr ditën në pronësi.


PD-ja është e mirëpritur.


Demokratët janë të mirëpritur.


Forcat e reja janë të mirëpritura.


Qytetarët pa parti janë të mirëpritur.


Diaspora është e mirëpritur.


Çdo shqiptar që dëshiron një ndryshim demokratik dhe pranon të respektojë tjetrin është i mirëpritur.


Por pesha nuk është pronësi.


Një flamur partie mund të tregojë përkatësi, nuk mund të shpallë pronësi mbi sheshin.


Një emër i madh mund të sjellë përgjegjësi më të madhe, nuk fiton prej kësaj të drejtën për t’i zvogëluar të tjerët.


Edhe nismëtari është nën të njëjtin rregull.


Kjo është pjesa që më intereson më shumë.


Unë nuk mund t’u kërkoj të tjerëve vetëpërmbajtje dhe ta përjashtoj veten prej saj.


Nuk mund të them “Republika nuk ka pronar” dhe pastaj të sillem sikur 21 gushti më përket mua.


Nëse qytetarët vijnë shumë, numri nuk më jep pronësi mbi ta.


Nëse vijnë pak, krenaria ime nuk më jep të drejtën të gënjej për numrin.


Nëse lind një përgjegjësi, ajo duhet të ketë kufi.


Nëse një ditë mbaron, duhet të jem po aq i gatshëm ta lë sa kam qenë për ta marrë.


Sepse fjala që kërkon të kufizojë pushtetin e tjetrit bëhet e besueshme vetëm kur pranon të kufizojë edhe njeriun që e shqipton.


Ky është për mua kuptimi i Paktit Kombëtar të Urtisë në politikë.


Të mos presim ditën kur pushteti na përket për të zbuluar çfarë nuk duhet të bëjmë me të.


Ta vendosim kufirin përpara se të fitojmë.


Ky është edhe kuptimi i Dalëzotësisë.


Jo të vijmë një mbrëmje, të bëjmë fotografi dhe të kthehemi secili në jetën e vetë duke pritur që një tjetër të bëjë punën.


Të dalësh zot do të thotë të marrësh mbi vete një pjesë të barrës, një qytet, një detyrë, një njeri, një ide, një përgjegjësi që vazhdon edhe pasi sheshi është zbrazur.


Dhe ky është kuptimi i Shqipërisë Mendonjëse.


Të mos e lëmë emocionin të marrë vendime që arsyeja duhet t’i kishte marrë më parë.


Të dëgjojmë.


Të kundërshtojmë.


Të vendosim.


Të mbajmë përgjegjësi për pasojën.


Më 21 gusht nuk dua të tregojmë vetëm se kemi një kundërshtar.


Dua të tregojmë se kemi një mënyrë tjetër për të qenë bashkë.


Nëse kërkojmë një shtet ku ligji të jetë më i madh se njeriu, duhet të fillojmë nga dita kur edhe njeriu ynë pranon të jetë më i vogël se rregulli.


Kjo është prova jonë.


Dhe pikërisht për këtë, përpara se të kërkojmë që Rama të ikë, duhet të tregojmë se dimë çfarë nuk do t’i lejojmë vetes ditën kur ai të mos jetë më aty.


21 gusht 2026.


Jo vetëm një thirrje.


Një provë karakteri.


Një fjalë që merr mbi vete kufirin e saj.


Një qytetar që vjen i lirë dhe largohet ende i lirë.


Rama ikën. Republika hapet. Qytetari zgjedh.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page