Më 22 shtator, me kërkesë të SPAK-ut, GJKKO caktoi ndaj drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra

Po atë ditë u kryen kontrolle ndaj ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen AKSHI dhe Ergys Agasin.
Në mbrëmje, Hyseni iu dorëzua autoriteteve shqiptare në kufi me Kosovën.
Kjo nuk është kronikë prangash.
Shteti u beson njerëzve të vetë sekretin, forcën publike dhe instrumentet me të cilat kërkohet e vërteta.
Nëse hetimi provon se fuqia e dhënë për të mbrojtur Republikën është përdorur për të mbrojtur atë që duhej hetuar, çështja nuk mbaron te individi.
Përmbyset funksioni publik.
Ligji i jep zyrës fuqi.
Republika i jep asaj arsye.
Kur fuqia kthehet kundër arsyes që e justifikon, nuk kemi vetëm një shkelje të ligjit, kemi një plagë në vetë marrëdhënien ndërmjet shtetit dhe qytetarit.
Sepse qytetari ia dorëzon shtetit një pjesë të lirisë së vetë që shteti ta mbrojë, jo që fuqia e tij të bëhet strehë për atë prej të cilit duhet ta mbrojë.
Dhe këtu Edi Rama nuk është spektator.
Vlora Hyseni ishte propozimi i tij për drejtimin e SHISH-it.
Më 17 mars 2023, Rama e paraqiti përgatitjen, përvojën dhe reputacionin e saj në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës si një “garanci të plotë” për reformimin e mëtejshëm të shërbimit.
Sot ajo fjali i kthehet autorit të saj.
SHISH-i varet nga Kryeministri.
Drejtori emërohet nga Presidenti me propozimin e Kryeministrit dhe raporton te Presidenti e Kryeministri, ndërsa organizimi dhe struktura e shërbimit miratohen nga Kryeministri.
Rama reagoi duke njoftuar lirimin e menjëhershëm të Hysenit nga detyra dhe konsultimin me Presidentin për drejtimin e ri të SHISH-it.
Ky veprim nuk e mbyll çështjen politike.
Përkundrazi, e hap.
Sepse largimi i një drejtuesi zgjidh çështjen e emrit që do të jetë nesër në zyrë.
Nuk përgjigjet vetvetiu për atë që ka ndodhur dje brenda pushtetit të asaj zyre.
Fjala “garanci” nuk jeton vetëm ditën kur shqiptohet.
Ajo mbetet pranë autorit kur realiteti vë nën provë gjykimin politik që e prodhoi.
Dhe sot pyetja është më e rëndë se fati i Vlora Hysenit.
Është nëse fuqia e Republikës ka mbetur në anën e Republikës.
Nëse sekreti shtetëror dyshohet se mund t’i ketë shërbyer atij prej të cilit shteti duhej të ruhej, nuk kemi thjesht një problem me njeriun që mbante çelësin.
Kemi të drejtën të pyesim çfarë ndodhi me derën.
Kjo është përgjegjësia që nuk largohet bashkë me drejtuesin.
Edi Rama ishte Kryeministri që propozoi Hysenin.
Ishte ai që i dha publikisht peshën e “garancisë së plotë”.
Është Kryeministri të cilit drejtori i SHISH-it i raporton.
Sot nuk mjafton ndryshimi i emrit.
Duhet llogaria politike për gjykimin, mbikëqyrjen dhe pushtetin.
Sepse një Republikë nuk mbahet vetëm duke ngritur institucione.
Mbahet kur fuqia brenda tyre i mbetet besnike arsyes për të cilën ajo fuqi iu dha.
Në atë çast ndahet institucioni nga fasada.
Aty ndahet autoriteti nga titulli.
Aty kuptohet nëse shteti kishte roja, apo vetëm zyra.
Edi Rama, kush e ruante shtetin?
Arian Galdini
Rinisja🇦🇱🫶🙏





Comments