top of page

Mendime Shpirti: Drita që nuk kërkon të ndriçojë!


Nga Arian Galdini


Asgjë nuk është më e vërtetë se ajo që s’ka nevojë të duket.

Asgjë nuk është më e plotë se ajo që nuk ka asgjë për të shtuar.

Asgjë nuk qëndron më gjatë se ajo që s’kërkon të qëndrojë.


Njeriu e kalon jetën duke ndërtuar urë pas ure, drejt vendeve që nuk ekzistojnë.

E mendon lirinë si mbërritje, qetësinë si çmim, të vërtetën si trofe.

Gjithçka qëndron për pak, sepse gjithçka kërkon të bindë dikë.

Dhe gjithçka që do të bindë, lodhet.


Vetja e njeriut nuk është diçka që fitohet.

As që ndërtohet.

Është ajo që mbetet kur ndalon kërkimi.

Kur nuk ka më pretendime për formë, për status, për përshtatje.

Kur pranohet ajo që është pa kërkuar të bëhet tjetër.


Në një botë ku çdo gjë matet me ndikim,

forca e vërtetë është të mos kërkosh asgjë.

Jo si dorëzim, por si përmbushje.

Të jesh i plotë, jo përmes shumës,domosdoshmërisht përmes mungesës së nevojës për më shumë.


Shumë pak njerëz e kanë përjetuar qetësinë që nuk kërkon heshtje.

Është një qetësi që nuk vjen nga largimi, as nga kontrolli.

Ajo nuk është pushim, nuk është arratisje, nuk është shpëtim.

Është një gjendje që nuk pyet më për emra.

As për kuptime.


Ajo dritë që s’ndriçon për të tjerët, ama që ngroh përbrenda si diçka që nuk kërkon as të përshkruhet, as të thuhet, as të dëshmohet.


Aty njeriu nuk bëhet më zot i jetës, as rob i saj.

As udhëheqës i të tjerëve, as ndjekës i vetes së djeshme.

Nuk ka më qendër, nuk ka skaj.

Ka vetëm qenie.


Gjërat që zgjasin, nuk shtyhen.

Gjërat që shpëtojnë, nuk duan të shihen.

Gjërat që vlen të jepen, nuk kanë paketim.


Kush ka gjetur thellësinë, nuk ka më nevojë të bjerë në sy.

Kush ka kuptuar vërtet, nuk ka më etje për të shpjeguar.

Kush ka pushuar së ndërtuari veten si ide, ka filluar më në fund të jetojë si prani.


Nuk ka lartësi pa rrënjë.

Nuk ka ndriçim pa errësirë të pranuar.

Nuk ka dashuri që qëndron, nëse duhet të kërkojë vëmendje.

Dhe nuk ka shpëtim në asgjë që lind nga ambicia për t’u dukur.


Në fund, ajo që mbetet është e thjeshtë.

Jo për mungesë forme, patjetër për mungesë nevoje.


Asgjë nuk është më e fortë se një zemër që nuk kërkon të përfundojë asgjë.

Sepse e di që gjithçka që duhet të jetë, tashmë është.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page