top of page

Mendime Shpirti: Jezusi përballë shkencës moderne!


Nga Arian Galdini


Qershor 2025. Shkenca ka hyrë thellë në gjurmët e realitetit, James Webb po kap dritën e yjeve që lindën vetëm 300 milion vjet pas Big Bangut, laboratorët e neuroshkencës po simullojnë algoritme të ndjeshmërisë dhe IA të vetë-mësueshme po evoluojnë me ritme që parakalojnë vetë vetëdijen tonë mbi vetveten.


Në vend që të rrëzohet, misteri thellohet. Zoti nuk është bërë dot ende i tepërt.


Ai është bërë i padukshmi që mungesa e Tij të digjet edhe më fort.


Shkenca moderne nuk është armike e Zotit. Ajo nuk është ndërtuar për ta rrëzuar Atë, por për të zbuluar strukturat e realitetit.


Por vetë kjo strukturë ngre pyetje që shkenca s’mund t’i përballojë:


Pse ekziston ligj natyror?

Pse universi është i kuptueshëm?

Pse konstantet fizike janë aq saktë të rregulluara sa të lejojnë jetën?

Pse materia ndjek rregull dhe jo kaos?


Këto nuk janë pyetje të teknikës.

Janë pyetje të qenies.

Janë pyetje që presin përgjigje jo në laborator, por në shpirt.


Kur Platoni pyeti për të mirën, ai nuk e gjeti dot. Kur Aristoteli përshkroi “qëllimin final”, ai nuk e mishëroi.


Jezusi është jo ideja e së mirës, por vetë e mira që ecën. Jo teleologji, por mish.


Shkenca thotë “kjo funksionon”, Jezusi thotë “kjo ka kuptim”.


Shkenca zbulon “si”, Krishti është “pse”.


Ai nuk rivalizon me teoritë.


Ai qëndron kur ato nuk mjaftojnë.


Në nivelin kuantik, materia nuk është më objekt, por probabilitet.


Akti i vëzhgimit ndikon rezultatet.


Nuk ka më “realitet absolut”, por bashkë-veprim.


Kjo nuk provon ekzistencën e Zotit, por prish pretendimin e vetë-mjaftueshmërisë së njeriut.


Ai që pretendon se e ka gjithë kontrollin, zbret nga froni.


Dhe atje, në shfryrjen e kontrollit, Jezusi nuk dominon, por thërret.


AI (Inteligjenca Artificiale) po mëson vetë, gjeneron art, kod, poezi, madje edhe ndjeshmëri sintetike.

Por nuk ndjen. Nuk fal. Nuk vuan. Nuk do.


Dhe mbi të gjitha, nuk jep jetën e vet për dikë që s’e meriton.


Jezusi nuk mund të programohet.


Sepse nuk është rezultat. Ai është qëllim.

Ai nuk funksionon.

Ai udhëzon. Nuk zgjidh. Ai ringjall.


Po, e dimë strukturën e qelizës.

Dimë se si funksionon ADN-ja.

Por askush nuk ka shpjeguar sesi nga materia inerte doli vetëdija, mendimi, ndjenja.


Zoti nuk hyri në botë si mendim.

Por si trup. Si njeri.

Dhe kur u ringjall, nuk u kthye si ide.

Por si mish që nuk pranohej nga ligjet fizike, por që i tejkalonte ato.


Jezusi nuk është kundër trupit.


Ai është shembulli i qënies së vërtetë, të pandashme nga materia dhe shpirti.


Nëse gjithçka që shpjegohet ka nevojë të jetë e mëshirueme me kuptim, Jezusi është mëshira që jep kuptim.

Ai nuk bie si shkencë. As si ide.

Ai qëndron si nyja që lidh gjithë mendimin, dhe kur mendimi shterron, Ai mbetet si shpresë që nuk lodhet.


Sepse ai që është gjithçka dhe nuk ka nevojë të bëhet asgjë, është ai që e tregon qartë se shkenca nuk e rrezon dot Zotin.


E shumta, e zbërthen botën aq thellë sa për ta ndier Atë edhe më afër.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page