Mendime Shpirti: Njeriu i copëzuar dhe kujtesa e tërësisë!
- Arian Galdini

- Sep 21
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Tregu i fragmenteve është i hapur.
Çdo mëngjes, tezgat mbushen me copa, identitete, role, diploma, kontrata, shifra.
Njeriu i shpërndarë shet vetveten me pakicë, blen tjetërvete me shumicë.
Fragmenti duket i padëmshëm, por lë pa frymë, të jep iluzionin e zgjedhjes dhe të heq mundësinë e tërësisë.
Fragment.
Copë.
Hi.
Një shoqëri e ndarë në copa nuk tret bukë, ha veten.
Ambicja nuk zhduket, por zhvendoset, shndërrohet në gara të verbra, në numra që nuk ushqejnë askënd.
Fragmenti nuk ka bark, gëlltit vetveten.
Një plagë mbulohet me parfum dhe quhet sukses.
Një foshnjë e prerë në copa shitet si lodër.
Një zemër matet me metër, por nuk gjen rrahjen.
Një trup ndahet në sektorë si tabelë llogarie.
Një fëmijë fle mbi një fletë matematike, gishtat me bojë, qerpikët rënduar nga alfabeti i pashpjeguar.
Rozafa nuk është më gur. Ajo është një vrimë e zezë që mban orbitën duke gëlltitur trupin e vet.
Çdo galaksi është një murim, çdo yll një trup i murosur që djeg vetveten për të mbajtur rendin.
Lahuta nuk është vegël.
Është rrjet gravitacional ku çdo tel është planet.
Kur thyhet një tel, universi dridhet.
Fragment.
Copë.
Copë.
Hi.
Fjalori bie si dhëmb i kalbur.
Gjuha del e përgjakur.
Kur fragmenti fiton, fjala kthehet në gur, alfabeti në hi, zemra në kontratë.
Një nënë përtyp hi.
Gjaku i saj bëhet qumësht në gojën e fëmijës që nuk di të thotë emër.
Një fëmijë pi ujë nga një shkronjë e djegur. Gishtat mbajnë bojë, gjuha i djeg buzët.
Copë.
Copë.
Hi.
Konkurrenca është uria e fragmentit. Dashuria i thyen të gjitha peshoret.
Kujtesa nuk është nostalgji, është funksion i gjallë.
Kujtesa lidh nyjat pa pyetur për CV.
Kujtesa është rit, jo manual.
Kujtesa është këngë, jo graf.
Rozafa është çdo yll që mban orbitën vetëm sepse flijohet.
Lahuta është universi që këndon me tension gravitacional.
Kur kënga thyhet, heshtja bie si rrënojë.
Emri.
Emri.
Emri.
Emri.
Emri.
Emri.
Emri.
Emri.
Emri.
Emri.
Një gojë thërret emrin.
Nga goja del vetëm hi.
Hi që nuk ka shije.
Hi që ha vetveten.
Copë.
Copë.
Copë.
Hi.
Hi.
… gjak … gur … bosh … asgjë …
Hi. Hi që ha hi. …
Arian Galdini
.png)










Comments