top of page

Mendime Shpirti: Pse u vra Sokrati?

ree

Nga Arian Galdini


Sokrati nuk e uli kurrë pasqyrën.

Ajo nuk tregonte rrudhat e fytyrës, por honin e brendshëm ku duhej të ndizte mendimi.


Kush guxon ta shohë këtë zbrazëti, dridhet.

Qyteti u drodh jo nga rreziku, por nga drita që zhvesh iluzionet.


Drohja e turmës peshoi më rëndë se guximi i një njeriu.


Athina, që e quante veten djep të lirisë, e uli në bankën e të akuzuarve si mosbesimtar e prishës rinie.


Ai nuk mbante ushtri, nuk kishte pasuri, nuk kërkonte pushtet.


Mbante vetëm pyetjen.

Dhe ajo, pa britmë, i kalonte krahun shpatës.


Dikur vendoste Eliea.

Sot gjykon një sallë pa zë.


Gjykatësi i ri nuk ka fytyrë.

Është një sy që kalon mbi ty pa të parë, dhe në atë mosshikim të zhduk.


Një fjalë bie në ekran si gur në ujë, pa rreth, pa jehonë.

Një kujtim fshihet si letër nën shi, dhe titulli mbetet jehonë pa zë.


Këto nuk janë raste, por gjykimet e reja, pa akt, pa thirrje, pa ceremoni.


Teknologjia, pa busullën e etikës, endet si një galaktikë e zbrazët, yje që shuhen, det që thahet në shkretëtirë drite.


Pushteti nuk prek më lëkurën, prek kujtesën.

Një dorë e padukshme krasit kujtimet, lë aq sa mjafton për bindje.

Në këtë kopsht të shurdhët, asnjë zog nuk këndon.


Në kohën e Sokratit nuk u duruan pyetjet që mbajtën zgjuar qytetin.


Ato hoqën maska, hapën plagë, bënë të dukshme fytyrat.


Uniforma gjen qetësi në heshtje.

Fytyra gjen jetë vetëm në dritë.


Sa herë një fytyrë guxon të pyesë, drita i qëndron mbi ballë më gjatë se nata.


Por pyetja nuk është vetëm guxim.

Pyetja është mënyra e të qenit.


Pa pyetje nuk ka gjuhë.

Pa pyetje nuk ka kohë.

Pa pyetje nuk ka botë.


Sa herë lind një pyetje, universi merr frymë.


Pa të, qielli bëhet ekran i ngrirë ku as errësira s’ka ç’të fshehë.


Me të, edhe nata hap shteg.


Mos e mat jetën me hapat mbi dhe, se dheu i përthith.


Mate me pyetjet që ndez në mendje, aty ku e padukshmja merr trajtë.


Çdo pyetje është shkëndijë që çel zjarrin e yjeve.


Dhe për sa kohë lind pyetja, nata nuk është natë, qielli nuk është bosh, heshtja nuk është heshtje.


Sepse pyetja është fryma e universit, ajo që bën që edhe vetë heshtja të flasë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page