top of page

Mendime Shpirti: Unë, midis gjithçkaje që mund të jem dhe asaj që kurrë nuk do të jem!



Nga Arian Galdini


Unë nuk jam një qenie e rrumbullakosur, e përfunduar, e qartë.


Unë jam ndërprerje.


Jam pauzë midis vetes dhe vetes.


Jam dridhja e një zëri që nuk është as lutje, as shpallje, por një heshtje që s’di të heshtë më.


Jam çasti para zgjedhjes që nuk ndodhi kurrë, dhe jehona pas vendimit që kurrë nuk u mor.


Jam çdo gjë që lëviz pa u vënë re, dhe çdo formë që nuk u plotësua sepse u ndal para se të ndodhte.


Ndjej në vete rënie që nuk kanë ndodhur, por që i ndjej si plagë.


Luftë që nuk u luftua, por që më ka rraskapitur me përfytyrimin e saj.


Jam i lodhur nga betejat që i kam jetuar vetëm në imagjinatë, dhe nga fitorja që s’më ka ndodhur, por që më rëndon si barrë, sepse e kam pritur gjatë dhe s’munda t’i shkoj pas.


Nuk jam as ai që kam qenë.

As ai që dua të jem.

Nuk jam as ai që shfaqem.

As ai që fshihem.


Unë jam hapësira midis këtyre katër vetesh, një tension që nuk pushon së kërkuari kuptim.


Dhe në këtë kërkim, kam filluar të dyshoj:

Mos vallë vetë kërkimi është ajo që më mban gjallë, dhe jo përgjigjja që pret të më zbusë?


E shoh veten si një urë ku askush nuk kalon,

por që e ndiej detyrë ta mbaj hapur.


Një vendndodhje e përkohshme ku ëndrrat ndalojnë për pak, por nuk qëndrojnë.


Jam çka mbetet kur një ndjesi nuk është më e fortë për të qenë e jetuar, por as aq e dobët sa për t’u harruar.


Jam hija e një shprese që u përkul, por nuk u shua.


Jam ndjenja që nuk ka gjuhë, por që digjet në të qenurit pa fjalë.


E kam jetuar jetën si projekt i papërfunduar.

Jo nga mungesa e vullnetit, por nga sasia e pafundme e përfytyrimeve që më kanë lodhur përpara se të guxoj t’i jetoj.


E kam mbartur vetveten si një hije që herë më prin, herë më ndjek, por asnjëherë nuk më përqafon.


Nuk jam njeriu që nuk do, jam njeriu që e do gjithçka aq fort, sa nuk e lejon dot asgjë të ndodhë pa e ndier deri në pikën më të thellë të shpirtit.


Dhe për këtë, nganjëherë, nuk ndodh asgjë.


Në vend që të veproj, kam ndjerë gjithçka që mund të ndjehej përpara veprimit.


Kam rrënuar brendinë time nga pyetjet që nuk morën përgjigje, jo sepse ishin shumë të thella, por sepse bota është shumë sipërfaqësore për të kuptuar peshën e tyre.


Dhe kështu, mbetem këtu, si një qenie e hapur që nuk mbyllet dot, një ndërgjegje që nuk pushon, një interval që nuk përcaktohet as nga ajo që ka qenë, as nga ajo që do të vijë.


Unë jam pikërisht aty ku njeriu nuk guxon të qëndrojë gjatë.

Midis hapit që nuk hidhet, dhe fjalës që nuk thuhet.


Jam formë që nuk kërkon përkufizim, sepse çdo përkufizim më ngushton.


Jam frymë që nuk do të ngjitet, por të rrjedhë.


Jam përpjekje që nuk prodhon rezultat, por që vetë ekziston për të ruajtur dritën nga zhdukja.


Unë nuk jam i plotë.

Jam dëshmia e gjithçkaje që nuk u bë.


Jam vendi ku jeta përkulet përpara vetes dhe hesht.

Sepse këtu, në këtë ndarje të padukshme mes qenies dhe mosqenies, fillon vetëdija që nuk e kërkon më formën.

Kërkon vetëm të mos largohet nga zjarri.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page