Nesër do të jem para Parlamentit

E mbështes protestën kundër Reformës Territoriale, të cilën e konsideroj të njëanshme.
Dhe do të jem aty jo për të ruajtur një numër apo një hartë, por për të mbrojtur një kufi të Republikës.
Kufirin e pushtetit.
Për mua, vetëqeverisja fillon nga një parim i thjeshtë, ajo që mund të vendoset mirë pranë qytetarit duhet, si rregull, të mbetet pranë tij.
Këtë e quaj Juridiksioni i Afërsisë.
Nuk është kult i vogëlsisë.
Nuk është frikë nga ndryshimi.
Është kërkesa që, sa herë pushteti largohet nga qytetari, të mos mjaftojë fjalia, mund ta bëjmë.
Duhet të provohet, pse duhet bërë?
Çfarë fiton qytetari në shërbim, kapacitet dhe qëndrueshmëri?
Çfarë humbet në akses, përfaqësim, dije vendore dhe mundësinë për t’i kërkuar llogari atij që vendos?
Sepse distanca mund të bëhet pushtet.
Bëhet e tillë kur pasoja mbetet pranë njeriut, ndërsa vendimmarrësi largohet prej tij.
Dhe këtu qëndron arsyeja ime politike për të qenë nesër në protestë.
Njeriu është arsyeja e shtetit, jo lënda e tij.
Një shumicë ka të drejtën të qeverisë.
Por shumica nuk fiton, bashkë me votën, pronësinë mbi bashkësinë.
Ligjshmëria e kompetencës nuk e shuan detyrimin për të dëgjuar, arsyetuar dhe kufizuar vetveten.
Kjo është edhe e djathta që besoj.
Një e djathtë që nuk e mat lirinë vetëm kur është në opozitë.
Po ta kishte nesër pushtetin e djathta, do t’i kërkoja të njëjtën provë, të njëjtin kufi, të njëjtin respekt për qytetarin.
Sepse parimi që ndryshon kur ndryshon qeveria nuk është parim.
Prandaj e mbështes protestën e 8 tetorit.
Prandaj nesër do të jem para Parlamentit.
Me emrin tim dhe me këtë bindje:
Afërsia është prezumimi.
Distanca ka barrën e arsyetimit.
Republika fillon aty ku pushteti, edhe kur mundet, pranon se nuk i lejohet gjithçka.
Arian Galdini
LRE Rinisja





Comments