Një ftesë është e ndershme vetëm kur njeriu e di ku po vjen…

Nga Arian Galdini
Katër ditë na ndajnë nga 21 gushti.
Në këtë pikë nuk dua t’i shtoj ftesës as madhësi të sajuar, as mister, as një premtim që nuk e kam në dorë ta përmbush.
Dua t’i jap asaj diçka shumë më të thjeshtë dhe shumë më të detyrueshme, qartësi.
Sepse qytetari që mendon të vijë ka të drejtë të dijë përpara se të dalë nga shtëpia se ku po shkon, përse është thirrur dhe çfarë kërkohet prej tij.
Nuk po thërras njerëz për të dëshmuar se Arian Galdini ka turmë.
Nuk po organizoj një ceremoni rikthimi.
Nuk po shpall një forcë që realiteti ende nuk e ka provuar.
Po bëj diçka që, nga pika ku ndodhem sot, është njëkohësisht më modeste dhe më serioze, po ftoj qytetarë të takohemi më 21 gusht dhe të shohim, sy më sy, nëse mes nesh ekziston vullneti për t’ia nisur përsëri një pune politike që nuk kërkon pronar mbi njeriun.
Kjo është Rinisja.
Jo rinia.
Jo një brez kundër një brezi tjetër.
Jo pretendimi se e reja është e mirë vetëm sepse erdhi më vonë.
Të rinisësh do të thotë të kesh kurajën të mos ia dorëzosh së ardhmes një gabim vetëm sepse je mësuar me të, të marrësh çfarë historia të ka mësuar, të mos fshehësh dështimet e saj dhe të provosh përsëri nga një themel më i drejtë.
Edhe një Republikë mund të ketë nevojë të rinisë.
Jo Kushtetutën nga zero, jo shtetin nga zero, jo aleancat tona nga zero, jo kujtesën kombëtare nga zero.
Një komb i pjekur nuk sillet sikur ka lindur mëngjesin kur ne vendosëm të merremi me politikë.
Duhet të rinisë ajo marrëdhënie e deformuar ku qytetari kërkon mbrojtje nga partia, sipërmarrësi kërkon njeriun e duhur, administrata druhet nga rotacioni, kundërshtari shihet si armik dhe fituesi e ngatërron votën me të drejtën për të zotëruar shtetin.
Pikërisht këtu lidhen për mua Rinisja dhe Republika Hapet.
Unë jam i djathtë sepse besoj se njeriu duhet të ketë një hapësirë të jetës së vet ku pushteti nuk hyn si zot, pronën e ligjshme, familjen, punën, ndërgjegjen, sipërmarrjen, besimin, bashkësinë, fjalën.
Jam shqiptarist sepse nuk e konsideroj Shqipërinë një territor administrativ që fillon me qeverinë e radhës.
Gjuha që flasim, kujtesa që kemi marrë, Kosova, mërgata, emri që u dorëzojmë fëmijëve janë më të vjetër se pushtetet tona dhe do të duhej të jetonin më gjatë se ambiciet tona.
Jam properëndimor sepse dua që Shqipëria të jetë aq seriozisht europiane dhe euroatlantike, sa miqësia me Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe udha europiane të mos varen nga fati politik i një njeriu të vetëm.
Dhe besoj te Prindërimi edhe në politikë, sepse nuk kemi marrë prej fëmijëve tanë autorizim për t’ua konsumuar sot atë që do t’u duhet nesër.
Këto janë bindje të mëdha.
Por do të ishte e pandershme t’i përdorja për të sajuar një madhësi timen.
Sot kam shumë më tepër për të ndërtuar sesa për të ekspozuar.
Shumë prej jush po më njohin vetëm këto javë.
Disa më mbajnë mend nga vite të tjera.
Të tjerë më kanë njohur përmes kundërshtarëve të mi.
Shumë nuk dinë pothuajse asgjë për mua.
Kjo nuk më fyen.
Është gjendja nga e cila nisem.
Për këtë arsye nuk ju kërkoj më 21 gusht të vini duke më dhënë paraprakisht të drejtë.
Mund të vini pikërisht sepse nuk jeni të sigurt.
Mund të vini për të dëgjuar.
Për të pyetur.
Për të parë njerëzit që janë aty.
Për të kuptuar nëse Rinisja është diçka që ju flet apo një udhë që nuk është e juaja.
Asnjëra përgjigje nuk ju bën më pak qytetarë.
Kjo është e rëndësishme për mua, sepse një politikë që respekton lirinë vetëm pasi njeriu pajtohet me të, nuk e ka kuptuar ende lirinë.
Prandaj, në këto katër ditë, do të përpiqem të jem sa më i qartë edhe për vetë 21 gushtin.
Në orën 18:00 do të jem në Sheshin Skënderbej.
Do të jem atje pa pretenduar paraprakisht se sa njerëz do të vijnë dhe pa e quajtur përgjigjen e qytetarëve më të madhe nga sa do të jetë.
Dua të takoj ata që zgjedhin të vijnë.
Dua të flas shkurt për arsyen e kësaj ftese.
Dua që dita të zhvillohet pa dhunë, pa poshtërim të kundërshtarit, pa detyrimin që njeriu të dorëzojë identitetin e vetë politik për të qëndruar pranë nesh.
Dhe dua që puna e LRE Rinisjes të mos mbarojë te fotografia e asaj mbrëmjeje.
Kuvendimi i saj, mendimi mbi atë që mund të ndërtohet dhe hapat që mund të pasojnë duhet të kenë seriozitetin e tyre, sepse një takim publik nuk e krijon vetvetiu një organizatë dhe një datë nuk prodhon vetvetiu një të ardhme.
Për nismën “Rama ikën” dua të jem po aq i saktë.
Është qëndrimi im se Shqipërisë i duhet mbyllja demokratike e këtij cikli të gjatë qeverisës.
Nuk është thirrje për dhunë.
Nuk është ftesë për hakmarrje.
Nuk është premtim se një grup i vogël njerëzish mund të vendosë në vend të shqiptarëve.
Dhe largimi politik i Edi Ramës nuk do të kishte kuptimin që kërkoj, nëse të nesërmen një tjetër do të merrte të njëjtat zakone dhe vetëm do t’u ndërronte emrat atyre që përfitojnë prej tyre.
Prandaj ekziston Republika Hapet.
Jo si program i një qeverie që unë nuk e kam.
Jo si mandat që askush nuk ma ka dhënë.
Por si propozim publik, kur Shqipëria të ndryshojë qeveri, ndryshimi duhet të mbrojë edhe qytetarin që humbet zgjedhjet, të mos e ndajë administratën si plaçkë, të mos e përdorë drejtësinë sipas mbiemrit, të mos ia dorëzojë ekonominë miqve të fituesit dhe të mos e personalizojë orientimin perëndimor të vendit.
Unë mund ta propozoj këtë.
Qytetarët janë të lirë ta pranojnë, ta kundërshtojnë, ta përmirësojnë ose të mos merren fare me të.
Ky është raporti që dua të kem me ta.
Prandaj 21 gushtit nuk po i kërkoj të bëjë histori me porosi.
Po i kërkoj vetëm të jetë i vërtetë.
Nëse vjen një njeri që dje nuk më njihte dhe dëshiron të më dëgjojë, kjo ka kuptim.
Nëse vjen dikush që më njeh prej vitesh dhe dëshiron të më kundërshtojë në sy, edhe kjo ka kuptim.
Nëse dikush lexon gjithçka dhe vendos të mos vijë, është e drejta e tij.
Sepse unë nuk dua ta filloj Rinisjen duke i kërkuar qytetarit një bindje që ende nuk e kam merituar.
Dua ta filloj duke i dhënë mundësinë të më shohë pa ndërmjetës, të dëgjojë çfarë propozoj dhe pastaj të vendosë vetë nëse ia vlen të takohemi përsëri më 22 gusht, më 22 shtator apo kurrë.
Në një vend ku politika ka kërkuar kaq shpesh besnikëri përpara provës, ndoshta edhe kjo është një mënyrë e vogël për t’ia rinisur, së pari takohemi, pastaj gjykojmë njëri-tjetrin.
21 gusht 2026 · ora 18:00 · Sheshi Skënderbej.
Unë do të jem atje.
Pjesën tjetër nuk kam të drejtë ta shkruaj përpara qytetarëve.
Arian Galdini





Comments