top of page

Një muaj për t’i dhënë drejtim dinjitetit!

Jul 21
4 min read


Nga Arian Galdini


Sot, më 21 korrik 2026, na ndan saktësisht një muaj nga pesëvjetori i Marshimit të Dinjitetit.


Më 21 gusht 2021, LRE-ja doli në hapësirën publike me emrin, njerëzit dhe bindjet e veta.


Nuk morëm pushtet atë ditë dhe as ndryshuam brenda pak orësh raportin e forcave në Shqipëri.


Dëshmuam diçka që vjen përpara çdo mandati, një bashkësi qytetarësh mund të hyjë në jetën politike pa pritur lejen e atyre që kontrollojnë ekranet, burimet dhe njohjen publike.


Marshimi na la një të vërtetë që nuk është vjetruar:


Qytetari ekziston politikisht përpara se pushteti ta njohë.


Dinjiteti i tij nuk lind kur e fton një studio, kur një parti i hap listën, kur administrata i jep një vend pune apo kur bëhet i dobishëm për llogaritë e dikujt.


Dinjiteti i përket njeriut përpara çdo marrëdhënieje me forcën.


Politika mund ta respektojë ose ta dhunojë, por nuk mund ta prodhojë.


Ky ishte neni i parë që Marshimi i Dinjitetit shkroi me hapa në kushtetutën e pashkruar të Rinisjes.


Përvjetori ende nuk ka mbërritur. Sot hapim muajin që na çon drejt tij.


Nga 21 korriku deri më 21 gusht do të rikthejmë në bisedën publike arsyen pse lindi LRE-ja, kuptimin e udhëtimit tonë dhe përgjegjësinë që duam të marrim përsipër ndaj Shqipërisë.


Do të flasim me njerëzit, do të dëgjojmë, do të takohemi dhe do t’u japim formë parimeve që më 21 gusht duhet të marrin drejtim të qartë politik.


Ky nuk do të jetë një muaj pritjeje ceremoniale.


Do të jetë një muaj përgatitjeje.


Ftesa jonë u drejtohet miqve, dashamirësve, anëtarëve dhe ish-anëtarëve të LRE-së, njerëzve që kanë qëndruar pranë nesh dhe atyre që rruga i ka çuar më larg, qytetarëve që na njohin prej vitesh dhe atyre që do të na dëgjojnë për herë të parë.


Do të shkojmë në qytete, fshatra, lagje dhe në bashkësitë shqiptare jashtë vendit, kudo ku gjenden njerëz të gatshëm të mendojnë, të veprojnë dhe të mbajnë përgjegjësi.


Më 21 gusht 2026 do të rimblidhemi, jo për të riprodhuar pamjen e vitit 2021, por për ta çuar përpara kuptimin e tij.


Një bashkësi nuk rritet duke përsëritur fillimin e vetë.


Rritet kur kupton se çfarë i kërkon koha pas atij fillimi.


Më 21 gusht 2021, dinjiteti na nxori në shesh.


Tani duhet t’i japim drejtim.


Në zanafillën tonë folëm për Neoshqiptarizmin.


Ai lindi nga nevoja për të rizgjuar një vetëdije shqiptare të dëmtuar nga komunizmi, tranzicioni dhe politika e interesit.


Riktheu në qendër të ligjërimit tonë nderin, besën, familjen, lirinë, përgjegjësinë, kombin dhe përkatësinë perëndimore.


Neoshqiptarizmi ka kryer një punë të pazëvendësueshme rizgjimi.


Gjatë muajit që hapet sot do të shpjegojmë pse kjo vetëdije kërkon të hyjë në një fazë më të pjekur, kalimin drejt Shqiptarizmit si doktrinë politike, programore dhe shtetformuese.


Ky kalim nuk do të kryhet në fshehtësi dhe as do të paraqitet si vendim i përfunduar përpara se të argumentohet.


Do ta shtjellojmë, do ta provojmë në mendim dhe do ta hapim për bisedë me bashkësinë tonë.


Më 21 gusht, LRE Rinisja do të thirret për ta marrë publikisht përsipër këtë përgjegjësi.


Shqiptarizmi do të jetë themeli prej të cilit E Djathta Humane, Prindërimi dhe Kombëtarizmi marrin kuptim të përbashkët.


Brenda tij do të vendoset edhe drejtimi ynë qytetërues e strategjik, Shqipëria në Europë me Kosovën dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara si interes kombëtar shqiptar.


Secila prej këtyre çështjeve meriton mendimin, tekstin dhe provën e vetë.


Prandaj sot nuk do t’i mbyllim brenda formulave të shpejta.


Ky muaj do t’u japë atyre kohën dhe vëmendjen që kërkojnë.


Do të flasim për një të djathtë që mbron lirinë pa e braktisur njeriun, për pronën që krijon pavarësi, por nuk blen Republikën, për familjen si bashkësinë e parë të përgjegjësisë, për Prindërimin si detyrim ndaj fëmijës që ende nuk mund të votojë, për Kombëtarizmin si dashuri vepruese ndaj gjuhës, tokës, kulturës dhe vazhdimësisë shqiptare.


Do të shpjegojmë pse Shqipëria dhe Kosova, megjithëse dy shtete me institucione dhe procese të veçanta, kanë nevojë për një strategji kombëtare të bashkërenduar dhe për të njëjtin destinacion qytetërues.


Përparimi i Shqipërisë duhet të shndërrohet në fuqi për Kosovën, jo në largësi prej saj.


Do të flasim për marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara si zgjedhje strategjike dhe jo si servilizëm, fotografi propagandistike apo imunitet për qeveritarët shqiptarë.


Aleanca kërkon një Shqipëri me karakter, shtet funksional, institucione të besueshme dhe interes kombëtar të shprehur qartë.


Por muaji që nis sot nuk do të ndërtohet vetëm me shkrime.


Doktrina fiton jetë kur bëhet bashkësi, organizim dhe veprim.


Rinisja duhet të marrë trup atje ku jetojnë njerëzit, në lagje, qytete, fshatra, familje, sipërmarrje, universitete dhe në bashkësitë shqiptare të diasporës.


Duam të krijojmë marrëdhënie të qëndrueshme dhe grupe njerëzish që njohin vendin ku jetojnë, marrin nisma dhe përgjigjen për punën që marrin përsipër.


Nuk kërkojmë një publik që miraton nga larg.


Kërkojmë njerëz që afrohen, pyesin, kundërshtojnë, propozojnë dhe marrin përgjegjësi, njerëz që nuk presin pronarin e ardhshëm të politikës, por duan të bëhen bashkautorë të një alternative të djathtë, humane, shqiptare dhe perëndimore.


LRE Rinisja është organizata jonë.


Rinisja është veprimi përmes të cilit kujtesa fiton drejtim.


Rinisja Kombëtare është horizonti më i madh se çdo organizatë, një Shqipëri që pushon së konsumuari njerëzit e vet dhe krijon kushtet që qytetari të jetojë i lirë, familja të ndërtojë të ardhmen, institucionet t’u qëndrojnë brezave dhe largimi të mos jetë e vetmja portë drejt një jete më të mirë.


Ky është muaji që hapim sot, një muaj për t’i rikthyer njerëzit në bisedë, për ta shpjeguar doktrinën, për të krijuar lidhje të qëndrueshme në çdo bashkësi ku ka vullnet për Rinisje dhe për t’u përgatitur që kujtesa e 21 gushtit të mos mbetet vetëm përvjetor, por të bëhet përgjegjësi e re.


Më 21 gusht 2021 marshuam që dinjiteti ynë të bëhej prani publike.


Më 21 gusht 2026 do të rimblidhemi që ajo prani të marrë drejtim, organizim dhe fuqi ndërtuese.


Marshimi shkroi nenin e parë.


Muaji që nis sot është thirrja për t’u përgatitur ta jetojmë kushtetutën.


21 gusht 2026.


Bekime e përqafime,


Arian Galdini


Rinisja


⸻


Për t’u bashkuar ose ribashkuar me Rinisjen:


Inbox në Facebook

WhatsApp: +355 68 406 0131

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page