top of page

Një vend nuk rifillon duke harruar…


Nga Arian Galdini


Dy ditë përpara 21 gushtit, dua të flas për diçka që politika e trajton rrallë me seriozitet, çfarë bëjmë me të djeshmen kur vendosim t’ia rinisim?


Sepse Rinisja nuk është amnezi.


Nuk është shpallja naive se gjithçka përpara nesh ka qenë e pavlerë dhe se historia pret pikërisht mbërritjen tonë për të filluar.


Një popull që harron nuk rifillon. Përsërit.


Shqiptarët e njohin mirë çmimin e kësaj ngatërrese.


Kemi jetuar nën perandori, kemi kaluar copëtimin e trojeve, kemi ngritur një shtet mes rreziqesh që mund ta kishin zhdukur, kemi provuar pushtime, diktaturë, eksod, tranzicion të pafund, rrëzime idhujsh dhe ngritje të idhujve të rinj.


Çdo brez ka marrë diçka të papërfunduar nga ai përpara tij.


Edhe ne.


Prandaj nuk më intereson një politikë që vjen të shpallë se Shqipëria fillon me të.


Më intereson një politikë që ka pjekurinë të dallojë çfarë duhet trashëguar, çfarë duhet ndrequr dhe çfarë nuk duhet përsëritur më.


Këtu e kuptoj Shqiptarizmin.


Jo si kërkim armiqsh për t’u ndjerë më shqiptar.


Jo si stoli fjalimesh.


Por si vetëdijen se kemi marrë në dorë diçka që nuk e kemi krijuar vetë, një gjuhë të mbijetuar, një kujtesë, një shtet të papërsosur, lidhjen e pandashme me Kosovën, një përkatësi europiane të fituar mes shumë kthesash dhe një emër që duhet t’ua dorëzojmë atyre që vijnë pas nesh pa e varfëruar.


Kjo është arsyeja pse Rinisja nuk mund të jetë luftë kundër së shkuarës.


Ajo duhet të jetë gjykim mbi të.


Të ruajmë atë që është fituar me mund.


Të korrigjojmë atë që na ka dëmtuar.


Të refuzojmë atë që na ka poshtëruar.


Dhe të mos ia japim as gabimit të vjetër privilegjin të vazhdojë vetëm sepse jemi mësuar me të.


Në politikën tonë, pikërisht këtu qëndron një nga sprovat më të vështira.


Ne kemi krijuar një zakon ku çdo ardhje e re kërkon ta poshtërojë atë që ishte përpara, ndërsa çdo pushtet i vjetër përpiqet ta paraqesë largimin e vetë si rrezik për vendin.


Kështu Shqipëria mbahet peng mes dy frikërash, frikës se asgjë nuk ndryshon dhe frikës se ndryshimi do të shkatërrojë gjithçka.


Unë nuk e pranoj këtë zgjedhje.


Mund të ndryshojë qeveria pa u cenuar shteti.


Mund të mbarojë një epokë politike pa u këputur drejtimi perëndimor i Shqipërisë.


Mund të kundërshtosh një kryeministër pa e kthyer kundërshtimin në armiqësi ndaj vendit.


Mund të bashkëpunosh me njerëz me të cilët nuk mendon njësoj pa ua dorëzuar ndërgjegjen.


Mund të duash Kombin pa e përdorur kundër shqiptarit tjetër.


Dhe mund t’ia rinisësh pa djegur shtëpinë vetëm që të provosh se ke ardhur ti.


Për mua, këtu Properëndimorizmi nuk është shtojcë e Shqiptarizmit.


Është një zgjedhje qytetërimore shqiptare që duhet të jetë më jetëgjatë se qeveritë.


Miqësia me Shtetet e Bashkuara, NATO, udha europiane dhe mbështetja e palëkundur për Kosovën nuk mund të varen nga jetëgjatësia politike e asnjë njeriu.


Një aleancë është vërtet e fortë kur i mbijeton rotacionit.


Një shtet është vërtet europian kur ndryshimi demokratik nuk përjetohet si rrezik gjeopolitik.


Dhe një komb bëhet më i pjekur kur miqësinë me të tjerët nuk e përdor si arsye për të hequr dorë nga detyra për të menduar me kokën e vetë.


Kjo është Shqipëria që dua të shoh të rifillojë.


Nuk pretendoj se një takim më 21 gusht mund ta bëjë këtë.


Do të ishte e pavërtetë.


As nuk pretendoj se një grup i vogël njerëzish mund t’i japë vetes një peshë që vetëm qytetarët dhe koha mund t’ia japin.


Por një njeri mund të zgjedhë prej nga fillon.


Edhe pak njerëz mund të vendosin çfarë nuk duan të përsërisin mes tyre.


Një përpjekje modeste mund të ketë një ide më të madhe se përmasa e saj, pa gënjyer për përmasën.


Kjo është mënyra si e shoh 21 gushtin.


Jo si ditën kur historia duhet të na bindet.


Si ditën kur ne duhet të tregojmë nëse kemi mësuar diçka prej saj.


Nëse vijmë për të zëvendësuar një emër me një tjetër, e djeshmja ka fituar përsëri.


Nëse vijmë duke menduar se çdo gjë fillon me ne, kemi harruar përpara se të kemi nisur.


Por nëse arrijmë të mbajmë bashkë kujtesën dhe ndryshimin, shqiptarinë dhe Perëndimin, lirinë dhe përgjegjësinë, atëherë fjala Rinisje merr kuptimin që unë i jap, jo të lindim përsëri, por të kemi urtinë t’ia nisim përsëri pa humbur atë që na mësoi rruga deri këtu.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page