top of page

Një vend nuk rinis duke filluar nga zero…

Aug 17
4 min read

Nga Arian Galdini


Në shtëpitë tona ka sende që nuk i kemi blerë ne.


Një fotografi e zbehur në sirtar.


Një libër me emrin e dikujt që nuk jeton më.


Një vegël pune që ka kaluar nga një dorë te tjetra.


Ndonjë copë tokë për të cilën familja mban mend më shumë histori sesa dokumente.


Nuk i ruajmë sepse gjithçka që vjen nga e shkuara është e mirë.


I ruajmë sepse njeriu që nuk di çfarë ka marrë, nuk mund të dijë as çfarë po dorëzon.


Kështu e kuptoj edhe politikën.


Kur them Rinisja, nuk flas për rininë dhe as për moshën.


Flas për një folje.


Për mundësinë njerëzore dhe politike me ia rinisur.


Me e nisur përsëri atë që është shtrembëruar.


Me e rimarrë një punë që është lënë përgjysmë.


Me pranuar se diçka nuk shkoi siç duhej, pa e shpallur gjithë të shkuarën të pavlefshme vetëm që ne të dukemi si fillimi i botës.


Kjo është arsyeja pse Rinisja, për mua, nuk mund të jetë një kult i së resë.


E reja mund të jetë po aq e padrejtë sa e vjetra.


Një fytyrë e re mund të ketë vesin e vjetër.


Një parti e sapolindur mund ta dëshirojë pushtetin me të njëjtën etje të një partie tridhjetëvjeçare.


Edhe një njeri që nuk ka qeverisur kurrë mund të mbërrijë te politika me bindjen se mungesa e së shkuarës e bën vetvetiu të virtytshëm.


Nuk e bën.


Prandaj nuk më intereson ndarja primitive ndërmjet “të vjetërve” dhe “të rinjve”.


Më intereson një ndarje shumë më kërkuese, çfarë meriton të ruhet, çfarë duhet ndrequr dhe çfarë nuk duhet lejuar të kalojë më nga një brez politik te tjetri.


Shqipëria ka gjëra që nuk duhet t’i rinisim sepse nuk duhet t’i ndërpresim kurrë.


Miqësinë me Shtetet e Bashkuara.


Përkatësinë tonë në NATO.


Udhën europiane.


Detyrimin kombëtar ndaj Kosovës.


Gjuhën dhe kujtesën shqiptare.


Familjen si shkollën e parë të përgjegjësisë.


Pronën e ndershme.


Punën.


Besimin se njeriu nuk është krijuar për t’u bërë shtojcë e shtetit.


Këto nuk janë mbeturina të një bote të vjetër që duhen hedhur për të prodhuar një Shqipëri “moderne”.


Janë pjesë e asaj që duhet të dimë ta marrim me vete.


Por ka edhe trashëgimi që nuk janë amanet.


Janë zakone që kanë jetuar gjatë vetëm sepse secili fitues i ka gjetur të leverdishme.


Partia që futet në zyrën e shtetit dhe fillon ta trajtojë administratën si vazhdim të selisë së vetë.


I forti që e quan meritë afërsinë me pushtetin.


Ligji që në letër është i njëjtë për të gjithë, ndërsa në korridor fillon të njohë mbiemra.


Kundërshtari që shihet si pengesë për t’u zhdukur dhe jo si bashkëqytetar me të cilin duhet të jetosh edhe pasi ke fituar.


Shqipëria që pret çdo herë shpëtimin nga një njeri dhe pastaj habitet kur njeriu fillon ta ngatërrojë veten me Shqipërinë.


Këtyre nuk u detyrohemi besnikëri.


Vjetërsia nuk është titull moral.


As përsëritja nuk e shndërron gabimin në traditë.


Këtu fillon, për mua, një Shqiptarizëm që nuk ka nevojë të bërtasë për të ditur se kujt i përket.


Të duash vendin tënd nuk do të thotë ta shpallësh të pagabueshëm.


Do të thotë ta njohësh aq thellë sa të mos e ngatërrosh plagën e tij me identitetin e tij.


Ne shqiptarët kemi mbijetuar duke ruajtur shumëçka.


Por mbijetesa nuk është destinacioni më i lartë i një kombi.


Vjen një kohë kur pyetja nuk është më vetëm nëse do të mbetesh.


Është si do të jetosh.


Me çfarë drejtësie.


Me çfarë shteti.


Me çfarë marrëdhënieje ndërmjet njeriut dhe ligjit.


Me çfarë përgjegjësie ndaj fëmijës që do të trashëgojë pasojat e zgjedhjeve tona.


Pikërisht këtu Prindërimi takohet me politikën.


Një brez nuk e do brezin tjetër duke i thënë sa shumë sakrifikoi për të.


E do kur nuk ia lë faturën e çdo rehatie që zgjodhi për veten.


Ne kemi marrë Shqipërinë për një kohë.


Nuk e kemi marrë përgjithmonë.


Kjo tokë kishte emra përpara nesh dhe do të ketë fëmijë pasi ne të mos jemi më këtu.


Prandaj mënyra si përdorim shtetin, borxhin, shkollën, pasurinë publike, natyrën dhe institucionet nuk është vetëm çështje e së tashmes.


Është marrëdhënie me njerëz që ende nuk kanë mundësi të na kërkojnë llogari.


Kjo është arsyeja pse fjala Rinisje më duket më e rëndë se fjala fillim.


Fillimi mund të sillet sikur nuk i detyrohet askujt.


Rinisja duhet të japë llogari për atë që gjeti.


Duhet të ketë urtësinë të mos shembë atë që funksionon, kurajën të mos trashëgojë atë që poshtëron dhe durimin të ndërtojë atë që mungon.


As unë nuk po vij më 21 gusht me pretendimin se e kam formulën e Shqipërisë.


Nuk kam një forcë të madhe pas vetes që të më lejonte një gjuhë të tillë.


Kam bindjet e mia, historinë time, gabimet e mia, disa njerëz me të cilët kam ecur dhe një pyetje që dua ta vendos përpara kujtdo që dëshiron të vijë:


Çfarë nga Shqipëria që kemi marrë duhet ta ruajmë me besnikëri, çfarë duhet të kemi guximin ta ndreqim dhe çfarë duhet të përfundojë me brezin tonë që të mos ia dorëzojmë fëmijëve si fat?


Për këtë ia vlen të takohemi.


Jo për të shpallur se po fillojmë historinë.


Për të pranuar se jemi brenda saj.


Dhe ndoshta, në një cep të vogël të saj, mund të marrim përgjegjësinë për t’ia rinisur më mirë asaj që na është besuar.


21 gusht 2026 · ora 18:00 · Sheshi Skënderbej


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page