top of page

Një vendim përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese nuk është fillim negociatash…

Sep 8
2 min read

Për pagat e magjistratëve mund të debatohet, për formulën, për koston, për pasojat në buxhet.


Por pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur përfundimisht, politika mund të diskutojë mënyrën e zbatimit.


Jo nëse do ta zbatojë.


Nëse zbatimi kërkon ligj, ligji duhet bërë.


Nëse kërkon ndërhyrje buxhetore, ajo duhet përballuar.


Qeveria ka detyrimin të përballojë koston, Kuvendi të ushtrojë kompetencën e vetë brenda hapësirës që Kushtetuta i lë.


Vështirësia e zbatimit nuk krijon të drejtën e moszbatimit.


Dhe sot kjo i drejtohet Edi Ramës.


Trembëdhjetë vjet pushtet nuk krijojnë juridiksion mbi Kushtetutën.


Shumica parlamentare i jep një qeverie të drejtën të qeverisë.


Nuk i jep të drejtën të zgjedhë cilëve kufij kushtetues do t’u bindet.


Këtu ndahet shumica nga Republika.


Shumica është vullneti politik i një kohe.


Kushtetuta ekziston pikërisht që vullneti i asaj kohe të mos bëhet ligji i fundit i vendit.


Kufiri kushtetues provohet kur kushton, kur prish llogaritë dhe kur e detyron qeverinë të bëjë atë që, po të varej vetëm prej vullnetit të saj, nuk do ta kishte zgjedhur.


Edi Rama mund ta ketë shumicën në Kuvend.


Nuk ka shumicë mbi Kushtetutën.


Qeveria mund ta kritikojë vendimin dhe të propozojë aktet që kërkon zbatimi.


Kuvendi vendos brenda kompetencës së vetë.


Për të ardhmen, legjislacioni mund të ndryshojë vetëm brenda rendit kushtetues.


Por një vendim përfundimtar nuk mund të kthehet në propozim që pret miratimin politik.


Sepse atëherë çështja nuk është më paga e një gjyqtari.


Është Republika.


Në një Republikë kushtetuese, Kryeministri nuk e vendos kufirin e fundit vetëm sepse ka shumicën.


Kushtetuta nuk është shkruar për ditën kur qeveria është dakord me të.


Është shkruar pikërisht për ditën kur qeveria do të donte që kufiri të mos ishte aty.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page