top of page

Njeriu nuk është lëndë e parë e politikës…

Aug 21
3 min read

Nga Arian Galdini


Një prej tundimeve më të vjetra të politikës është ta shohë njeriun vetëm përmes dobisë që mund të nxjerrë prej tij.


Në prag zgjedhjesh bëhet votë.


Në tubim bëhet pjesëmarrës.


Në rrjet bëhet shikim, reagim, shpërndarje.


Në parti bëhet anëtar.


Në një përplasje bëhet dëshmitar për anën tonë.


Në një fotografi bëhet dëshmi se nuk jemi vetëm.


Dhe kështu, pa e kuptuar, mund të arrijmë në një përmbysje morale të rëndë, politika, e cila duhet t’i shërbejë njeriut, fillon ta masë njeriun sipas shërbimit që ai mund t’i bëjë politikës.


Unë nuk e pranoj këtë.


Njeriu që nuk më voton nuk vlen më pak.


Ai që nuk vjen në takimin tim nuk humbet asnjë grimë nga dinjiteti i vet.


Ai që lexon dhe nuk reagon nuk më ka asnjë borxh.


Ai që më dëgjon sot dhe nesër arrin në përfundimin se nuk jam zgjedhja e tij, nuk ka dështuar në asgjë.


Madje edhe ai që nuk do të merret kurrë me politikë ka të njëjtën të drejtë mbi Shqipërinë si njeriu që kalon jetën në të.


Kjo duket e vetëkuptueshme derisa shohim sa shumë prej jetës publike është ndërtuar mbi të kundërtën.


Partitë numërojnë njerëzit.


Platformat numërojnë klikimet.


Fushatat numërojnë votat.


Televizionet numërojnë shikuesit.


Sondazhet na kthejnë në përqindje.


Administratat na kthejnë në dosje.


Tregu na njeh si konsumatorë.


Teknologjia mëson zakonet tona dhe përpiqet të parashikojë zgjedhjen tjetër.


Secila prej këtyre matjeve mund të ketë përdorimin e vetë. Por njeriu fillon pikërisht aty ku mbaron ajo që mund të matet prej tij.


Ai ka ndërgjegje që nuk hyn në tabelë.


Ka dashuri që nuk prodhon statistikë.


Ka një fëmijë për të cilin zgjohet natën dhe askush nuk e regjistron.


Ka një prind të moshuar të cilit i shkon pranë pa kamera.


Ka bindje që mund t’i mbajë për vete.


Ka të drejtën të ndryshojë mendim.


Ka edhe të drejtën të mos bëhet ushtar i asnjë kauze, sado fisnike t’i duket ajo dikujt tjetër.


Pikërisht këtu unë shoh një provë të vështirë për çdo njeri që hyn në jetën publike.


A dimë ta duam lirinë e qytetarit edhe kur ajo nuk na sjell asnjë përfitim?


Është e lehtë të flasësh për njeriun kur ke nevojë për votën e tij.


Më e vështirë është ta respektosh kur vota e tij shkon diku tjetër.


Është e lehtë ta quash qytetarin sovran kur të mbush një sallë.


Më e vështirë është të pranosh sovranitetin e tij kur salla jote mbetet bosh.


Është e lehtë ta lavdërosh mendimin e lirë kur përfundon te mendimi yt.


Prova vjen kur një njeri të ka dëgjuar me ndershmëri, të ka kuptuar saktë dhe përsëri të thotë, jo.


Nëse atëherë fillojmë ta quajmë të paditur, të shitur, tradhtar, dele, patronazhist apo armik vetëm sepse nuk na zgjodhi, nuk kemi kërkuar qytetarë të lirë.


Kemi kërkuar njerëz të dobishëm për veten.


Dhe Shqipëria ka paguar mjaftueshëm për këtë mënyrë të të menduarit.


Ka paguar sa herë besnikëria ndaj një grupi është ngritur mbi gjykimin personal.


Sa herë njeriu është vlerësuar sipas rreshtit ku qëndron.


Sa herë është kërkuar prej tij të zgjedhë jo ndërmjet ideve, por ndërmjet kampeve që pretendojnë tërë qenien e tij.


Unë besoj në një politikë që duhet të pranojë një humbje të vetën shumë më herët se humbjen në zgjedhje, të heqë dorë nga pretendimi për ta pasur njeriun të tërin.


Mund të kërkoj votën e tij.


Mund t’i parashtroj bindjet e mia.


Mund ta ftoj të ecë për një çështje që e konsideroj të drejtë.


Mund të përpiqem ta bind.


Por ndërgjegjja e tij nuk më përket.


As kur më mbështet.


Kjo është arsyeja pse nesër, më 21 gusht, nuk dua ta lexoj njeriun që vjen si njësi të suksesit tim dhe atë që mungon si njësi të dështimit tim.


Do të shoh atë që është përpara çdo statistike, një person që ka ardhur me arsyet e veta dhe që do të largohet ende zot i zgjedhjes së vetë.


Dhe nëse dikush vjen vetëm për të parë, le të shohë.


Nëse vjen për të dëgjuar, le të dëgjojë.


Nëse pas gjithçkaje që them unë vendos të mos më ndjekë, le të ikë pa më pasur borxh as shpjegim, as mirënjohje, as besnikëri.


Sepse një politikë që nuk duron dot njeriun e padobishëm për të, herët a vonë do të përpiqet ta bëjë të dobishëm me forcë, me frikë, me favor ose me varësi.


Unë dua të nis nga e kundërta.


Të pranoj se përpara çdo bindjeje politike që mund të ndajmë, ekziston diçka që nuk duhet ta cenojmë, njeriu nuk është mjet i çështjes sonë.


Çështja jonë ka vlerë vetëm për aq kohë sa i shërben atij.


Ndoshta pikërisht këtu fillon dallimi ndërmjet politikës që mbledh njerëz dhe politikës që i respekton ata.


E para pyet sa i duhen.


E dyta e di se njeriu ka vlerë edhe kur nuk i duhet fare.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page