top of page

Nuk dua t’ju premtoj një forcë që ende duhet ndërtuar. Dua t’ju tregoj se çfarë force mendoj se ia vlen të ndërtohet.

Aug 15
4 min read

Nga Arian Galdini


Më 21 gusht nuk do t’ju pres përpara një skene të ngritur mbi pretendimin se pas meje qëndron një ushtri njerëzish.


Nuk qëndron.


LRE Rinisja është sot shumë më tepër një përgjegjësi që po përpiqemi ta ringremë sesa një grupim që mund ta ekspozojmë si fuqi.


Shumë shqiptarë nuk më njohin fare, të tjerë më njohin copëza-copëza, prej një fotografie, një libri, një debati të vjetër, një postimi të sotëm apo prej asaj që kanë dëgjuar nga të tjerët.


Nuk kam arsye ta fsheh këtë.


Madje besoj se një politikë tjetër mund të fillojë pikërisht këtu, duke mos i kërkuar qytetarit të besojë madhësinë që ne vetë ia shpallim vetes.


Sepse Shqipërisë nuk i kanë munguar njerëzit që janë paraqitur si të mëdhenj përpara se të provonin çfarë mund të mbanin.


I kanë munguar më shumë njerëzit që kanë pranuar të nisin nga masa e së vërtetës.


Unë nis prej saj.


Kam një histori politike dhe qytetare që nuk fillon këtë verë.


Kam bindje të cilave u kam qëndruar edhe kur më kanë kushtuar.


Kam një ide për të djathtën që nuk e mat njeriun me afërsinë ndaj të fortit, një Shqiptarizëm që nuk ka nevojë për armiq të sajuar, një Properëndimorizëm që nuk e kthen Perëndimin në certifikatë personale të një politikani,qeveritari, a opozitari, një Prindërim që na kujton se nuk kemi të drejtë ta konsumojmë Shqipërinë sikur jemi brezi i fundit i saj.


Por këto janë bindjet e mia.


Ato nuk janë ende mandati juaj.


Dhe ky dallim më duket themelor.


Mund të kem menduar gjatë për Republikën pa pasur të drejtë ta flas në emër të Republikës.


Mund të besoj se cikli i Edi Ramës duhet të mbyllet demokratikisht pa pretenduar se unë jam njeriu të cilit i takon trashëgimia e tij.


Mund të propozoj “Republika Hapet” pa ju kërkuar që, bashkë me propozimin, të pranoni edhe autorin si pronar të tij.


Në të vërtetë, pikërisht këtu dua të ndahem nga një zakon i gjatë i politikës sonë.


Ne kemi mësuar të pyesim përpara çdo bashkimi:


Kush do të prijë?


Kush do ta marrë?


Kujt do t’i mbetet?


Unë dua të provoj një pyetje tjetër:


Çfarë duhet të mbetet e paprekshme, pavarësisht se kush fiton?


Liria e qytetarit.


Prona e tij.


E drejta për të mos qenë i partisë së pushtetit.


Administrata që nuk ndërrohet si plaçkë.


Gazetari që nuk kërkon leje për të hetuar fituesin.


Socialisti që nuk bëhet armik i Shqipërisë kur humbet qeveria që ka votuar.


Demokrati që nuk e merr shtetin si shpërblim kur fiton.


Kombi që nuk përdoret për të heshtur kritikën.


Miqësia me Shtetet e Bashkuara, NATO-ja, rruga europiane dhe Kosova që nuk varen nga jetëgjatësia politike e një njeriu.


Dhe mbi të gjitha, qytetari që nuk kalon nga një pronar te tjetri sa herë ndryshon pushteti.


Kjo është ajo që kam dashur të them me Republika Hapet.


Jo se unë kam sot forcën për ta hapur Shqipërinë.


Këtë do të ishte e pandershme ta pretendoja.


Por kam të drejtën, si çdo qytetar, të propozoj një rregull dhe të pranoj që i njëjti rregull të më kufizojë mua po aq sa këdo tjetër.


Prandaj 21 gushti nuk është dita kur do t’ju kërkoj të besoni se jemi më të mëdhenj nga sa jemi.


Është dita kur dua t’ju takoj pa ndërmjetës.


Ata që më njohin prej vitesh dhe ata që më shohin për herë të parë.


Ata që janë dakord me mua dhe ata që ende nuk janë.


Ata që duan vetëm të dëgjojnë.


Edhe ata që mund të vijnë, të shohin dhe të largohen duke menduar se nuk ishte rruga e tyre.


Sepse edhe kjo është liri.


Nuk po ju kërkoj një betim.


Nuk po ju kërkoj një anëtarësim.


Nuk po ju kërkoj ta vini emrin tuaj nën emrin tim.


Po ju kërkoj vetëm një gjë shumë më të thjeshtë dhe, për mua, shumë më serioze:


Nëse mendoni se Shqipëria meriton një politikë ku askush nuk e merr qytetarin në pronësi, ejani më 21 gusht dhe gjykojeni vetë nëse Rinisja mund të fillojë prej këtij parimi.


Mund të jemi pak.


Mund të jemi më shumë nga sa mendoj.


Nuk e di.


Dhe nuk do t’ju them se e di.


Por di çfarë dua të mos bëj me cilindo numër që të vijë, të mos e falsifikoj, të mos e përdor si titull personal dhe të mos e quaj mandat për diçka që qytetari nuk ma ka dhënë.


Sepse para se një njeri t’i kërkojë Shqipërisë besim, duhet të jetë i gatshëm të mbajë edhe të vërtetën kur ajo është më e vogël se dëshira e tij.


Kjo është pjesë e Rinisjes që dua.


Jo madhësia e shpallur.


Masa e vërtetë.


Dhe prej saj, nëse qytetarët e çmojnë, mund të fillojë gjithçka tjetër.


21 gusht 2026.


Jo për të provuar sa i madh është Arian Galdini.


Për të parë nëse mund të fillojë, qoftë edhe me pak njerëz, një politikë ku qytetari mbetet më i madh se ai që e thërret.


RINISJA.

RAMA IKËN.

REPUBLIKA HAPET.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page