top of page

Ora 15:01 Kur institucionet mbarojnë orarin, familja vazhdon…

Sep 11
10 min read

Nga Arian Galdini


Edi Rama ka qeverisur aq gjatë, sa Shqipëria nuk ka më përpara vetëm vendimet e tij.


Ka një mënyrë pushteti që mund të gjykohet, mënyrën si një veprim prodhohet nga aparati, si kthehet në lajm dhe si lajmi, shpesh përpara se jeta ta ketë provuar, shpallet rezultat.


Shifra del nga ministria dhe bëhet dëftesë e qeverisë.


Programi miratohet dhe njoftimi nis të sillet sikur të ishte zbatimi.


Një tregues përmirësohet dhe përmirësimi merret menjëherë nën pronësinë politike të Kryeministrit, ndërsa kufiri që e shoqëron, kushtet pa të cilat duhet lexuar dhe njerëzit që mbeten jashtë tij shtyhen drejt fundit të faqes, si hollësi të një historie që pushteti e ka përfunduar tashmë.


PISA 2025 e tregoi këtë prirje me një qartësi të rrallë.


Kryeministri foli për rezultat të jashtëzakonshëm.


OECD-ja raportoi rezultatet, por raportoi edhe kufijtë e tyre, shkollat shqiptare me më pak se 21 nxënës të përshtatshëm për PISA-n nuk u kontaktuan për testimin, mungesa e tyre krijon një boshllëk strukturor mbulimi që nuk korrigjohet plotësisht statistikisht dhe për Shqipërinë nuk raportohet trend.


Edhe mes nxënësve të përfaqësuar nga testi, në lexim vetëm rreth gjysma arritën nivelin 2 ose më lart.


Përmirësimi mund të jetë real.


Një opozitë që mohon çdo lajm të mirë vetëm sepse qeveria dëshiron ta përdorë do të bëhej pasqyra e propagandës që kundërshton.


Por ndershmëria kërkon të pranohet i gjithë raporti, jo vetëm ajo pjesë që hyn bukur në fjalim.


Autoriteti i OECD-së nuk mund të jetë vendimtar te rezultati dhe i parëndësishëm sapo nis shënimi që kufizon interpretimin e tij.


Fëmija shqiptar, sidoqoftë, nuk ka nevojë që Kryeministri ta fitojë betejën me statistikën.


Ka nevojë për një shkollë që ta mësojë vetë ta lexojë statistikën, të dallojë faktin nga interpretimi, provën nga reklama, një kontratë nga përmbledhja që mund të ketë lënë jashtë kushtin vendimtar.


Duhet të jetë në gjendje të lexojë edhe fjalimin e Kryeministrit, sepse arsimi i mirë nuk përgatit qytetarë që presin prej pushtetit t’ua përkthejë të vërtetën, përgatit njerëz që mund ta gjykojnë pushtetin vetë.


Por përgjegjësia për fëmijën nuk përfundon me mësimin.


Më 1 shtator, Ministria e Arsimit njoftoi shtrirjen e programit “Pas Shkolle” në 408 shkolla.


Programi ka standarde, kritere dhe përmbajtje edukative, ministria e paraqet si hapësirë për detyrat, muzikën, teatrin, artet, zejet, sportin dhe zhvillimin e talenteve, por edhe si ndihmë për familjet.


Kjo duhet njohur, sepse kritika që mohon realitetin dobëson veten.


Pikërisht kur pranojmë atë që ekziston mund të shohim pa mjegull atë që mungon.


Modelet orientuese të publikuara ndryshojnë sipas klasës dhe orarit mësimor, disa përfundojnë më herët, ndërsa të tjera shkojnë deri në orën 15:00, me hapësirë që shkollat t’i përshtatin sipas kushteve konkrete.


Dhe pikërisht aty shifra 408 humbet madhësinë e saj përballë një minute të vetme.


Çfarë ndodh në orën 15:01?


Fëmija është ende fëmijë dhe prindi mund të jetë ende në punë.


Dita e familjes nuk përfundon sepse përfundoi orari i një programi.


Midis ziles së shkollës dhe fundit të punës nuk ndodhet një boshllëk administrativ.


Ndodhet një copë jete.


Dikush duhet ta presë fëmijën, dikush duhet të dijë ku ndodhet, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për sigurinë e tij, ndërkohë një nënë ose baba duhet të dijë nëse mund ta vazhdojë punën pa e rindërtuar çdo pasdite mbi një telefonatë, një favor, një të afërm të gatshëm apo një njeri që rastisi të ishte i lirë.


Numri 408 i përket tabelës, familja jeton me orën, dhe ora vjen edhe kur qeveria nuk është gati.


Këtu nis akuza më e rëndë ndaj modelit të Edi Ramës.


Jo te fakti që hap një program.


Një program i dobishëm duhet hapur, përmirësuar dhe zgjeruar kur funksionon.


Problemi nis kur pushteti e mat suksesin nga ajo që ka prodhuar aparati përpara se të pyesë çfarë mund të jetojë qytetari.


Ministria mund të ketë hartuar, qeveria mund të ketë financuar, programi mund të jetë hapur dhe objektivi numerik mund të jetë arritur.


Të gjitha këto dëshmojnë veprim, prova e rezultatit fillon kur veprimi prek jetën.


A mund ta jetojë njeriu atë që shteti thotë se ka ndërtuar?


Sepse një shtet nuk dështon vetëm kur institucionet e tij nuk punojnë.


Mund të ndodhë diçka më pak e dukshme, secili institucion të ketë kryer formalisht detyrën e vetë, ndërsa jeta të mbetet e pamundur pikërisht aty ku detyrat e tyre duhet të takohen.


Shkolla mund të ketë respektuar orarin, punëdhënësi kontratën, autobusi nisjen, bashkia kompetencën dhe ministria udhëzimin.


Secili, i marrë më vete, mund të provojë se nuk ka shkelur asgjë.


Familja, megjithatë, duhet ta jetojë të gjithë ditën.


Këtu shfaqet një prej dobësive më pak të dukshme të shtetit modern, përgjegjësia mund të humbasë pikërisht në hapësirat midis institucioneve.


Aty ku mbaron kompetenca e njërit dhe ende nuk ka filluar përgjegjësia e tjetrit mund të humbasin orë pune, të ardhura, siguri, qetësi dhe besim, pa pasur një zyrë të vetme që ta njohë humbjen si të vetën.


Administrata sheh kufij juridikë, familja jeton të martën.


Një shtet mund të funksionojë në pjesë dhe të dështojë si jetë.


Institucionet nuk mjafton të gjykohen nga ajo që bëjnë brenda kufijve të tyre.


Duhet të gjykohen edhe nga ajo që ndodh kur takohen te i njëjti njeri.


Familja është institucioni i parë i shoqërisë, jo sporteli i fundit ku administrata depoziton papajtueshmëritë e sistemeve të veta.


Kjo nuk i jep shtetit të drejtën t’i marrë familjes jetën në dorë, përkundrazi, ai nuk duhet të zgjedhë për prindin, të përvetësojë përgjegjësinë e tij apo ta shndërrojë kujdesin publik në zëvendësues të familjes.


Por kufizimi i shtetit nuk është alibi për paaftësinë e shtetit.


Nëse ai hyn në arsim, transport, kujdes, rregullim të punës dhe shërbime vendore, duhet të dijë çfarë ndodh kur këto sisteme prekin të njëjtin njeri në të njëjtën ditë.


Liria e familjes nuk mund të reduktohet në lirinë për të improvizuar pasojat e një sistemi të keqlidhur.


Prej këtej nis alternativa.


“Pas Shkolle” mund të mbetet një hapësirë edukative ku fëmija ha, çlodhet, lexon, luan, merret me sport, muzikë, art, teatër, zeje e krijimtari dhe, kur ka nevojë, merr ndihmë për detyrat.


Nuk ka arsye të kthehet në një shkollë të dytë.


Fëmija nuk është punonjës me turn të dytë.


Por një program edukativ nuk është përgjigje e plotë ndaj një nevoje tjetër, kujdesit të besueshëm deri në çastin kur familja mund ta ribashkojë ditën e vetë.


Shqipërisë i duhet edhe kjo shtresë, pa ngritur një piramidë tjetër që drejton nga Tirana çdo pasdite të vendit.


I duhet një rrjet i sigurt dhe i besueshëm kujdesi pas mësimit, me forma të ndryshme ofrimi, atje ku familjet e kërkojnë dhe sipas jetës së zonës.


Pyetja e parë e prindit është e thjeshtë, ku është fëmija?


Mund të jetë në shkollë, por nuk ka pse të jetë vetëm atje.


Një qendër komunitare, bibliotekë, strukturë sportive a kulturore, organizatë e kualifikuar ose ofrues privat i licencuar mund të bëhen pjesë e zgjidhjes.


Shteti duhet të mbajë atë që nuk negociohet, sigurinë, kualifikimin dhe kontrollin e personelit, mbrojtjen nga dhuna, përgjegjësinë dhe cilësinë.


Ky detyrim nuk e bën ministrinë pronare të çdo zgjidhjeje.


Përgjegjësia duhet të zbresë sa më pranë njeriut, bashkia të kryejë pjesën që i takon, shoqëria dhe sipërmarrja të kenë hapësirë për të ofruar, ndërsa familja të ketë zgjedhje reale.


Mbështetja publike hyn aty ku, pa të, zgjedhja do të mbetej privilegj i atij që mund të paguajë.


Pastaj vjen pyetja që ndan një shërbim të vërtetë nga një emër në dokument, deri kur mund t’i besoj?


Atje ku kërkesa e familjeve e justifikon, kujdesi duhet të mund të arrijë një orë të lidhur me jetën reale të punës, qoftë 17:30 apo 18:00.


Jo një urdhër identik për çdo fshat, qytet e shkollë, por një shërbim i ndërtuar sipas nevojës vendore dhe mbi një standard të përbashkët sigurie e besueshmërie.


Kur premtohet 17:30, ajo orë duhet të ketë peshën e një zotimi.


Mbi të një prind ka ndërtuar punën, transportin, një takim, kthimin në shtëpi dhe rendin e gjithë pasdites.


Një telefonatë në 13:40 që kërkon ardhjen më herët mund t’i marrë administratorit pak sekonda.


Familjes mund t’i kushtojë dy orë pune, një pagesë, një takim të prishur ose një konflikt me punëdhënësin.


Problemi nuk është zhdukur, kostoja e tij vetëm ka ndryshuar adresë.


Koha e familjes nuk është fondi rezervë i administratës.


Pyetja e tretë i nxjerr politikat nga kutitë e tyre, si ribashkohen prindi dhe fëmija në fund të ditës?


Aty hyjnë transporti, puna, bashkia dhe Shqipëria që nuk jeton vetëm në qendër të Tiranës.


Kujdesi deri në 17:30 nuk zgjidh shumë për një fëmijë nëse mjeti që e çon në shtëpi është nisur shumë më herët.


Në dokument shërbimi vazhdon, në rrugën e fëmijës ka përfunduar.


Po aq e gabuar do të ishte ta barazonim fleksibilitetin familjar me telepunën. Infermierja nuk punon si programuesi, punëtori i fabrikës nuk e merr turnin në shtëpi, ndërsa shitësja, polici, mësuesi, shoferi, tekniku në terren apo punonjësi i hotelit kanë kufizime të tjera.


Dinjiteti i prindit nuk ndryshon sipas faktit nëse pagën ia jep shteti apo një sipërmarrës privat, ndryshon vetëm mjeti që puna mund të përballojë.


Prandaj prindi duhet të ketë mundësinë reale të kërkojë një rregullim të arsyeshëm të punës, ndryshim të orës së hyrjes ose daljes, shkëmbim turnesh, punë të pjesshme për një periudhë, orar të kompresuar apo punë në distancë kur profesioni e lejon.


Kuadri europian e njeh tashmë këtë parim për prindërit e fëmijëve të vegjël.


Punëdhënësi duhet të ruajë të drejtën ta refuzojë kërkesën kur natyra e veprimtarisë nuk e përballon, por jo ta trajtojë prindërimin si një fakt privat që nuk meriton as shqyrtim.


Familja nuk mbrohet duke e kthyer sipërmarrësin në degë të administratës sociale, po aq pak mbrohet kur shteti shpall politikë familjare dhe ia lë biznesit të gjithë faturën.


Pjesën e vetë duhet ta mbajë përmes kujdesit të besueshëm, transportit që lidhet me oraret dhe mbështetjes së synuar aty ku familja nuk mund ta përballojë vetë koston.


Dhe fleksibiliteti nuk duhet të bëhet emër modern për një sakrificë të vjetër, ku nëna tërhiqet e para nga puna.


Mundësia duhet t’u përkasë të dy prindërve, familja vendos si e ndan përgjegjësinë e vetë.


Kjo nuk është një arkitekturë pa precedent.


Gjermania po e fut gradualisht garancinë ligjore të kujdesit gjithëditor në shkollën fillore, pa e bërë përdorimin të detyrueshëm, Anglia ka zhvilluar kujdes rreth ditës shkollore që lidhet me orarin real të punës dhe mund të ofrohet edhe jashtë shkollës.


Shqipërisë nuk i duhet kopja e asnjërës.


I duhet mësimi, garancia publike nuk kërkon domosdoshmërisht monopol dhe zgjedhja nuk është reale nëse vetëm familja që ka para mund ta ushtrojë.


Edhe financimi duhet t’i bindet këtij kufiri.


Nuk ka arsye të premtohet verbërisht falas çdo shërbim shtesë për çdo familje pa pyetur për koston dhe qëndrueshmërinë, atje ku familja mundet, mund të mbajë një pjesë të kostos, ndërsa atje ku nuk mundet, mbështetja duhet të jetë më e madhe.


Thelbi është që varfëria të mos e përjashtojë fëmijën dhe financimi të mos prodhojë një monopol të ri.


Politika familjare nuk mund të mbetet një paragraf ceremonial në fund të një programi.


Përmes saj kalojnë arsimi, puna, transporti, qeverisja vendore, shërbimet dhe mënyra si përdoret paraja publike.


Ministritë mund të jenë pesë.


Familja ka vetëm një të martë.


Prandaj duhet të ndryshojë edhe prova e suksesit.


Pas kaq vitesh në pushtet, Edi Rama nuk mund ta masë qeverisjen vetëm me atë që fut në sistem, sa shkolla, sa aktivitete, sa pjesëmarrës, sa para, sa platforma.


Numrat janë të domosdoshëm, por nuk janë ende jetë.


Për një shërbim që pretendon të mbështesë familjen, pyetjet janë më të vështira, a u respektua ora e premtuar, sa shpesh prindi u detyrua të vinte më herët, kush mbeti jashtë dhe si është fëmija pasi e ka kaluar aty pasditen.


Prindi duhet të ketë përpara syve atë që i duhet për të vendosur nëse mund t’ia besojë dikujt fëmijën, orarin, kapacitetin, personelin, kushtet, koston, transportin dhe ndërprerjet e shërbimit.


Dhe, përpara se zgjerimi të shpallet sukses kombëtar, zbatimi duhet parë edhe nga jashtë aparatit që po vlerësohet.


Qeveria nuk mund të jetë njëkohësisht autori, matësi dhe juria përfundimtare e suksesit të vetë.


Këtu koha e gjatë në pushtet e rëndon përgjegjësinë e Edi Ramës.


Pas afro trembëdhjetë vitesh në krye të qeverisë, ai nuk mund të sillet si zbulues i faktit se prindërit vazhdojnë të punojnë pasi bie zilja e shkollës.


Nuk kritikohet sepse hap një program që mund të jetë i dobishëm, programi duhet të bëhet mirë, të përmirësohet dhe të zgjerohet kur prova tregon se funksionon.


Por pas një pushteti kaq të gjatë nuk mjafton të tregosh se ke hapur diçka.


Duhet të tregosh se ke kuptuar jetën ku ajo hyn.


Koha në pushtet ia heq një qeverie alibinë e synimit.


Një qeveri e re mund të kërkojë të gjykohet edhe nga drejtimi që premton, një qeveri trembëdhjetëvjeçare duhet të gjykohet nga pasojat që ka prodhuar dhe nga boshllëqet që vazhdon t’ua lërë qytetarëve t’i mbushin vetë.


Ky është konflikti thelbësor me modelin Rama.


Ai e njeh jashtëzakonisht mirë prodhimin e aparatit të vetë dhe e shndërron shpejt në komunikim politik, shumë më rrallë pranon se prova e shtetit fillon atje ku njoftimi mbaron.


Ajo që ka bërë institucioni është vetëm gjysma e pyetjes.


Gjysma tjetër është ajo që mund të jetojë njeriu.


Dhe aty çështja shkon shumë përtej “Pas Shkolle”.


Një vend nuk dobësohet vetëm kur njerëzit largohen.


Dobësohet edhe kur ata që qëndrojnë fillojnë ta përjetojnë rritjen e një familjeje si një barrë që rendi rreth tyre ua shumëfishon, kur puna dhe prindërimi, dy përgjegjësi të ndershme, kthehen nga sistemi në kundërshtare, kur mendimi për një fëmijë tjetër vjen menjëherë i shoqëruar nga frika për pagën, orarin, transportin, kujdesin dhe karrierën.


Edhe gjyshërit mund të kalojnë pa u vënë re nga prani e lirë dashurie në një infrastrukturë të padukshme mbi të cilën një shoqëri mbështet boshllëqet që nuk ka ditur t’i zgjidhë.


Aty problemi pushon së qeni vetëm administrativ.


Prek vazhdimësinë njerëzore të vendit.


E ardhmja nuk humbet vetëm në kufi.


Mund të humbasë shumë më herët, në një kuzhinë të zakonshme, kur dy njerëz që punojnë dhe përpiqen të ndërtojnë jetën e tyre arrijnë në përfundimin se një fëmijë tjetër është një përgjegjësi që vendi ua ka bërë tepër të vështirë ta mbajnë.


Prandaj çdo politikë që prek familjen duhet të përballojë një provë më të rreptë se reklama dhe më të thellë se statistika e një institucioni:


A ia shton familjes aftësinë për të mbajtur përgjegjësitë e veta, apo i kalon asaj faturën e papajtueshmërisë së institucioneve?


Kjo pyetje nuk kërkon që shteti të hyjë kudo.


Kërkon që, aty ku hyn, të dijë çfarë i bën jetës.


Shkolla mund ta ketë kryer detyrën, autobusi mund të jetë nisur në kohë, punëdhënësi mund ta ketë respektuar kontratën, bashkia kompetencën dhe ministria udhëzimin, ndërsa i njëjti njeri mund të mos jetë ende në gjendje t’i jetojë të gjitha këto në të njëjtën ditë.


Atëherë dosjet mund të jenë në rregull dhe familja të ketë ende problemin në duar.


Në orën 15:00 programi mund të ketë mbaruar.


Një minutë më vonë fëmija është ende aty, prindi mund të jetë ende në punë dhe mes tyre qëndron fjala që institucioni i ka dhënë familjes.


Në atë minutë, ajo fjalë duhet të mbajë peshën e pasdites.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page