Pa ia lënë peng të nesërmen: 21 gushti dhe Besëlidhja e bashkëpunimit pa nënshtrim!

Nga Kristina Nano
Kryetare e LRE Rinisja
Dy qytetarë mund të gjenden krah për krah në një shesh, të kërkojnë mbylljen e së njëjtës qeverisje dhe, megjithatë, të mos kenë zgjedhur të njëjtën udhë politike.
Njëri vjen nga e djathta, tjetri nga një zhgënjim socialist, një i tretë nga jeta pa parti, sot i afron një përfundim i përbashkët, nesër vota mund t’i ndajë.
Ky afrim nuk është i rremë vetëm pse nuk zgjat përgjithmonë.
Përkundrazi, bëhet më i ndershëm kur secili ruan të drejtën t’i drejtojë tjetrit pyetjen e vështirë, çfarë do të bësh me mua nesër, nëse nga puna që kryejmë sot ti del më i fuqishëm se unë?
Politika shqiptare e njeh mirë këtë druajtje.
Shpesh pjesëmarrja është lexuar si përkatësi, ndihma si borxh, fotografia e përbashkët si dëshmi bindjeje, largimi si mosmirënjohje dhe kundërshtimi si tradhti.
Fuqia pa cak nuk mjaftohet me vendimin e sotëm, ajo kërkon të lexojë edhe atë që ndodhi dje, të tregojë përse erdhe, çfarë nënkuptonte prania jote, kujt i përkiste kontributi dhe çfarë i detyrohesh tani.
Në atë çast humbet më shumë se një mosmarrëveshje.
Njeriu rrezikon të mos jetë më autori i jetës së vetë politike.
Asnjë fitore nuk duhet t’ia marrë njeriut këtë autorësi.
Më 21 gusht Rinisja e lidh thirrjen “Rama ikën” me një provë më të gjerë se mbyllja demokratike e një cikli qeverisës.
Nëse kundërshtojmë personalizimin e pushtetit dhe pastaj lejojmë që suksesi i ndryshimit të ketë një zotërues të ri, kemi ndërruar bartësin e zakonit, jo vetë zakonin.
Qytetarët që vijnë, partitë që afrohen, veprimtarët civilë dhe njerëzit e jetës publike nuk hyjnë në pronësinë e atij që duket më shumë, flet më fort ose ka më tepër strukturë.
Ata marrin pjesë në një çështje, nuk dorëzojnë biografinë, votën e ardhshme apo të drejtën për t’u ndarë kur ajo çështje të ketë mbaruar.
Prej këtij parimi lind Besëlidhja që duhet t’u propozohet të gjithë atyre që dëshirojnë të bashkëpunojnë pa u nënshtruar.
Ajo nuk zëvendëson programet e partive dhe nuk ndan pushtetin e nesërm, por vendos përpara fituesit të mundshëm atë që fitorja nuk ia lejon.
Administrata i shërben qytetarit pa e pyetur për bindjen, prona dhe kontrata qëndrojnë jashtë patronazhit, drejtësia nuk bëhet mjet hakmarrjeje, gazetari ruan lirinë përballë qeverisë së re njësoj si përballë së vjetrës, ndërsa shërbimi shtetëror nuk kthehet në shpërblim për votën.
Kush e merr përsipër këtë fjalë pranon që ajo të mos mbetet në dorën e interpretimit të tij.
Po e shkeli, pala e prekur ka të drejtë t’i kërkojë llogari publikisht, dhe shkelja prek vetë autoritetin me të cilin ai kërkon të drejtojë.
Kjo Besëlidhje nuk shpall një rreth njerëzish më të mirë se të tjerët.
Emri poshtë një fjale të përbashkët nuk e shenjtëron askënd, e bën më të dukshëm përballë asaj që ka pranuar.
Vlera e drejtuesit provohet kur miku kërkon përjashtim nga rregulli dhe ai ia mohon, kur kundërshtari gëzon një të drejtë që do të ishte më e leverdishme t’i cenohej, kur ligji i kërkon vetëpërmbajtje në çastin kur interesi e shtyn të kalojë më tej.
Merita politike nis atje ku njeriu pranon të mbetet i gjykueshëm edhe pasi pozita i ka dhënë mjete për t’iu shmangur gjykimit.
Pa këtë provë, morali publik mbetet zbukurim i pafajshëm i njeriut që ende nuk ka pasur rastin ta shkelë.
Arsyeja më e fortë e Besëlidhjes gjendet te ai që ende po mat nëse duhet të afrohet.
Një forcë më e vogël e merr rrezikun e bashkëpunimit kur nuk sheh përballë përthithjen, qytetari pa parti mund të vijë në një tubim kur prania e tij nuk regjistrohet si aderim, socialisti që mendon se koha e Ramës duhet të përfundojë nuk ka nevojë të mohojë bindjen e vetë, demokrati që bashkohet me një kërkesë qytetare nuk ia ka borxh askujt zgjedhjen e ardhshme.
Siguria e atij që nesër mund të humbasë vendoset përpara fitores.
Vetëm kur pabarazia e mundshme e fuqisë nuk prek barazinë qytetare, njerëzit hyjnë në një punë të përbashkët pa lënë peng një pjesë të vetes.
Vërtetësia e kësaj politike nuk matet nga fjalia më e bukur e 21 gushtit.
Ajo shfaqet të hënën e parë pas një fitoreje, kur sheshi është zbrazur dhe shteti kthehet në zyrë.
Atë mëngjes, nëpunësi që votoi palën e mundur hyn në punë pa kërkuar mbrojtës të ri, sipërmarrësi mbështetet te kontrata dhe jo te telefoni i ndërmjetësit, gazetari kritikon qeverinë e sapoardhur pa paguar me profesionin lirinë e vetë, familja që votoi kundër fituesit merr të njëjtin shërbim si familja që votoi për të.
Edhe ish-bashkëpunëtori që më 21 gusht do të ketë qëndruar pranë nesh dhe një vit më vonë del kundër nesh duhet të jetë i lirë të thotë se atë ditë na bashkoi një çështje dhe sot na ndan një tjetër.
Rotacioni që ndryshon vetëm emrin e personit prej të cilit njerëzit druhen nuk e ka ndryshuar ende Republikën.
E njëjta logjikë vlen për përkatësinë perëndimore të Shqipërisë.
Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara, siguria në NATO, rruga europiane dhe përgjegjësia ndaj Kosovës i përkasin vazhdimësisë së shtetit, jo jetëgjatësisë së një qeverie.
Asnjë kryeministër nuk ka të drejtë t’i përdorë këto si provë të pazëvendësueshmërisë së vetë, asnjë pasardhës nuk mund t’i trajtojë si trofe të fitores së tij.
Një vend i pjekur ndërron qeveritë pa cenuar boshtin qytetërimor, qytetari duhet të dijë se largimi i një pushteti nuk vë në rrezik vendin e Shqipërisë në Perëndim, sepse aleancat e saj janë më të mëdha se biografia politike e kujtdo që i përfaqëson përkohësisht.
Rinisja mund ta propozojë këtë standard vetëm duke ia nënshtruar më parë vetveten.
Arian Galdini, si nismëtar i 21 gushtit, merr përgjegjësinë e hapjes dhe ekspozimin e parë, por kjo nuk i jep titull mbi votën e atyre që i përgjigjen thirrjes.
LRE-ja nuk e regjistron praninë qytetare si pronë të saj, një parti më e madhe nuk e kthen peshën organizative në mandat mbi forcat e tjera, emri i njohur nuk bëhet pronar i historisë që shkruhet nga shumë njerëz.
Qytetari vjen me gjykimin e vetë, jep aq sa zgjedh dhe, kur puna për të cilën erdhi të ketë mbaruar, largohet me bindjen, votën dhe të drejtën për të mos u kthyer.
Nëse ia marrim këtë liri, nuk i kemi kërkuar pjesëmarrje, i kemi kërkuar të ardhmen si çmim për praninë e sotme.
Pluralizmi nuk piqet nga numri i emrave në fletën e votimit, por nga mënyra si trajtohet njeriu që nuk pajtohet më me ne.
Mosmarrëveshja nuk e zhbën ndershmërinë e punës së djeshme, vota kundër nuk e shndërron ish-bashkëpunëtorin në tradhtar, largimi nuk na jep leje të ndryshojmë kuptimin e arsyes përse ai erdhi.
Një qytetar mund të jetë me ty sot pa u bërë i yti nesër.
Kjo është prova më e vështirë e një kulture politike të lirë, ta pranosh tjetrin kur të duhet dhe t’ia njohësh po aq të plotë lirinë kur nuk të duhet më, madje edhe kur ai e përdor atë liri për të të kundërshtuar.
Prandaj prova më e largët e 21 gushtit mund të vijë vite më vonë, kur dy prej atyre që do të kenë ecur pranë njëri-tjetrit të gjenden përballë në një garë dhe njëri të fitojë.
Nëse fituesi nuk pretendon pronësi mbi arsyen përse tjetri dikur qëndroi me të, dhe nëse humbësi nuk ka nevojë të kërkojë mbrojtës për të ruajtur vendin e vetë në jetën publike, bashkëpunimi i dikurshëm ka mbetur i ndershëm edhe pas ndarjes.
Atëherë do të kemi mësuar diçka më të vështirë se të mblidhemi kundër një pushteti, pra të kryejmë një punë të përbashkët dhe, kur ajo të ketë mbaruar, t’i kthejmë njëri-tjetrit të paprekura lirinë, vendin dhe të ardhmen.
Kristina Nano
Kryetare e LRE Rinisja





Comments