Para se të rinisim bashkë…
- Arian Galdini

- 5 days ago
- 2 min read

Dua që ta dini:
Asnjë fjalë, asnjë deklarim, asnjë qëndrim i imi, i shprehur, deklaruar, shpallur, shpalosur unë si Arian Galdini e ne si LRE Rinisja, nuk ka ndryshuar e as lëvizur asnjë inç.
Ka lëvizur koha, e ndoshta na la lënë pas.
Kanë lëvizur “ujërat e ngjarjet e shoqërisë shqiptare”, e ndoshta na kanë zhytur thellë në harresë e mosdukje.
Kanë lëvizur grupet politike, sociale, konjukturat, e interesat në mbarë vendin tonë të kujtdo e të gjithëve, e ndoshta ne kemi mbetur mbrapa a të huaj, të thyer a të copëtuar.
Kanë lëvizur vëmendjet, dashuritë, pëlqimet e njerëzve e shoqërisë, e ndoshta ne kemi mbetur në periferi e të lënë mënjanë e larg syve e mendjeve e zemrave të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.
Kanë lëvizur lart e fort, shumë “Yje që janë ngjitur në maja” plot sukses e popullaritet, e ndoshta ne jemi dukur të tretur, mbaruar, tejkaluar.
Por megjithatë, asnjë fjalë e jona, asnjë qëndrim i yni, asnjë deklaratë a vendim, asnjë parim i shpallur nga ne, as ka ndryshuar e as është tjetërsuar, as ështe modifikuar, e as është “vrarë nga koha”.
Përkundërazi, gjithçka që ka lëvizur bashkë me kohën, është konsumuar bashkë me kohën.
Ne që e ngrimë veten krejt jashtë loje e jashtë kohe, sot po vërtetohemi plotësisht nga koha.
Sepse nuk lëvizëm.
U mbuluam, u zhytëm.
Por nuk lëvizëm.
Dështuam, thyem turinjtë, u perceptuam e u interpretuam si të mbaruar e groposur…
Na braktisën shumica dërrmuese.
Na quajtën zhgënjim e dështim, shumica dërrmuese.
Por koha po na vërteton.
E koha po na thërret.
Pse?
Sepse ne nuk lëvizëm, nuk ndryshuam, nuk u tjetërsuam, nuk u tërhoqëm, nuk u joshëm, nuk u lodhëm, nuk u shitëm, nuk u dorëzuam.
Prandaj jemi sot gati për tia Rinisur.
Sepse ne jemi Fari.
Po po, ne jemi Fari.
Ne jemi LRE, ne jemi Rinisja.
Pikë
.png)


Comments