top of page

Parmbrëmë, më 2 mars 2026, ora 18:30, u mbajt takimi i parë themelues i nismës për Paktin Kombëtar të Urtisë



Shqipëria e këtyre dekadave e njeh mirë regjimin e urgjencës, cikle shpërthimesh të dhunshme protestash, zjarr e tym, molotovë, kordonë, dhe pastaj një qetësim që nuk shëron, vetëm riorganizon kthimin.


Kjo mënyrë jetese publike krijon një lloj varësie, vëmendja mësohet të zgjohet nga tronditja, jo nga mendimi.


Kur tronditja kthehet në matës, mendimi shtyhet në skaj, reflektimi duket si vonesë, urtia merret për dobësi.


Regjimi i urgjencës e mban shoqërinë të zënë me çastin, ndërsa përgjegjësia mbetet pa vend ku të rrijë.


Në këtë klimë, dhuna fiton diçka që nuk e meriton, statusin e gjuhës.


Nuk ka nevojë të jetë e shpeshtë për të qenë sunduese, mjafton të jetë prova më e shpejtë e dukshmërisë.


Kur kjo provë pranohet, politika rrëshqet nga puna e saj e vërtetë, ta mbajë konfliktin njerëzor, dhe shndërrohet në garë për ndezje.


Njerëzit nuk bëhen domosdoshmërisht më të këqij, bëhen më të shpejtë.


Shpejtësia i jep njeriut një lehtësim, e çliron nga detyrimi për ta mbajtur fjalën si pasojë, dhe e nxit ta përdorë fjalën si mjet.


Këtu fillon prishja që duket e vogël, por e ha republikën nga brenda, mënyra si e mban tjetrin fjala jonë.


Kur fjala kërkon të fitojë çastin, ajo priret ta zvogëlojë tjetrin.


Kur fjala e pranon tjetrin si njeri, ajo priret të ngadalësohet.


Kjo nuk është etikë abstrakte, është mekanikë e jetës publike.


Një shoqëri matet jo nga sa shumë flet, por nga sa e mban fjalën brenda përgjegjësisë që prodhon.


Prandaj regjimi i urgjencës ka një armë më të fortë se çdo mjet rrugor, etiketimin.


Etiketa është e shpejtë, nuk lodhet, nuk paguan.


Emri është i kushtueshëm, kërkon ta shohësh tjetrin, kërkon të durosh fytyrën e tij.


Sa herë që emri zëvendësohet me etiketë, fytyra bëhet e tepërt.


Kur fytyra bëhet e tepërt, turpi humb vendin ku të bjerë.


Në atë pikë fjalët fluturojnë pa skuqje, sepse nuk kanë më kë të shohin.


Prej këtu lind dyzimi i drejtësisë, një fjali dëgjohet ndryshe sipas palës.


I njëjti rregull peshon ndryshe sipas lidhjes.


Dhe kjo nuk prodhohet nga një ligj i ri, prodhohet nga gjuha që pranohet si “normale”.


Në vend të barazisë del një rutinë e fshehtë, një gjuhë për “tonët” dhe një gjuhë për “të tjerët”.


Aty dhuna nuk është më thjesht akt, është garanci e heshtur që askush s’do të mbahet për fjalën e vet.


Pakti Kombëtar i Urtisë u nis mbrëmë si kundërformë ndaj kësaj logjike.


Kjo nismë nuk ndërtohet si parti, organizatë, strukturë, as si projekt elektoral, ajo mbetet bashkëbisedim qytetar i hapur, kudo ku shqiptarët thërrasin, ftojnë, mirëpresin.


Vlera e saj nuk matet me numra, sepse numri i madh mund të prodhojë edhe skenë, edhe turmë, edhe përdorim.


Këtu kërkohet diçka më e rrallë, një mënyrë e të folurit ku kundërshtia mbetet njerëzore.


Kjo nuk i kërkon askujt të ndërrojë bindje politike apo përkatësi.


Ajo kërkon një kufi të vetëm, të vëzhgueshëm në sjellje, pas një bisede, a del tjetri i mbajtur, apo i zvogëluar.


Ky është dallimi mes një shoqërie që mban qytetarinë dhe një shoqërie që e tret qytetarinë në ritëm.


Mbrëmë u pa një provë e vetme, e mjaftueshme për të kuptuar kahun, pa pasur nevojë për retorikë.


Fjalia e gatshme erdhi.


Ajo fjali që do ta kthente tjetrin në shenjë, që do ta shkurtonte rrugën me një goditje të shpejtë, nuk doli.


Në atë ndalesë u ruajt hapësira ku mospajtimi mund të qëndrojë pa u bërë poshtërim.


Kjo ndalesë, e padukshme për kamerën, është e dukshme për republikën.

Sepse aty vendoset nëse fjala është mjet për të marrë vëmendje, apo vend për të mbajtur përgjegjësi.

Regjimi i urgjencës e ushqen veten me fjalë pa përgjegjësi, Urtia e mban veten me fjalë që pranojnë pasojën.


Këtu merr frymë Shqipëria Mendonjëse, një shoqëri ku mendimi kritik mund të flasë pa turp e pa frikë, ku kundërshtia mund të jetë e fortë pa u bërë e egër, ku vëmendja nuk blihet me tronditje, por fitohet nga serioziteti i fjalës.


Shqipëria Mendonjëse nuk është slogan, është rend ku njeriu nuk shpenzon guximin për t’u mbrojtur nga turma, por e përdor guximin për të qenë i drejtë.


Në këtë kuptim, kombëtarizmi dhe prindërimi janë kujdestari, jo flamur fjalësh.


Kombëtarizmi është barazi pa përjashtime në emër të së përbashkëtës.


Prindërimi është përgjegjësi për ajrin e nesërm, gjuha e sotme bëhet norma e nesërme.


Një shoqëri që pranon poshtërimin si mjet, ua lë fëmijëve një vend ku e vërteta del vetëm e maskuar, ose nuk del fare.


Një shoqëri që e mban kundërshtinë njerëzore, ua lë fëmijëve një vend ku e vërteta mund të jetë e fortë pa u bërë e pamëshirë.


Parbrëmë u hap një rrugë pa flakë, jo si figurë, por si zgjedhje, të mos i jepet regjimit të urgjencës prova që ai kërkon gjithmonë.


Dhe ligji i vetëm që e mban këtë nismë të pastër është ky, fjala ka të drejtë të kërkojë besim vetëm kur pranon pasojën dhe mban tjetrin njeri.


Arian Galdini


President i Akademia Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page