Përgjegjësia fillon para flakëve…

Në njëzet e katër orët e fundit, në Shqipëri janë raportuar 43 vatra zjarri.
Trembëdhjetë mbeteshin aktive këtë mëngjes.
Në terren janë angazhuar qindra zjarrfikës, forca vendore dhe efektivë të Forcave të Armatosura, me mjete tokësore e ndërhyrje nga ajri.
Njerëzit që përballen sot me flakët meritojnë respekt.
Por llogaria e Edi Ramës nuk fillon sot.
Fillon në muajt kur pylli nuk digjej.
Më 27 korrik, Ministria e Mbrojtjes deklaroi se Shqipëria ishte “më e përgatitur dhe më e koordinuar se kurrë” për emergjencat civile.
Mirë.
Atëherë ky është standardi me të cilin qeveria duhet të pranojë të gjykohet.
Jo nga numri i zjarreve, sepse asnjë Kryeministër nuk urdhëron motin, terrenin apo dorën që ndez një vatër.
Nga gatishmëria.
Sepse katastrofa e provon shtetin në një ditë.
Përgatitja tregon çfarë shteti ka qenë ai gjatë gjithë vitit.
Flaka shihet.
Puna që duhej bërë përpara saj, shumë më pak.
Nuk del në ekran mjeti që u mirëmbajt në kohë.
Nuk bën lajm burimi i ujit që ishte gati, rruga e ndërhyrjes që nuk ishte e bllokuar, vrojtimi që e pa rrezikun herët, ekipi që e njihte detyrën, minuta që nuk u humb sepse hallkat dinin çfarë duhej të bënin.
Dhe pikërisht këto janë llogaria e shtetit para ngjarjes.
Prandaj nuk dua nga Qeveria Rama vetëm bilancin e njerëzve dhe mjeteve që u nisën pasi u ngrit tymi.
Dua provën e muajve përpara tymit.
Çfarë kapacitetesh ishin realisht funksionale?
Ku ishin vendosur?
Çfarë kohe reagimi ishte parashikuar për zonat me rrezik?
Çfarë kishte mësuar shteti nga vera e kaluar dhe çfarë kishte ndryshuar përpara kësaj vere?
Sepse këtu ndahet administrimi nga përgjegjësia.
Një sezon zjarresh nuk duhet të prodhojë vetëm numra, fotografi dhe një raport që mbyllet kur shuhet vatra e fundit.
Duhet të ndryshojë verën tjetër.
Nëse një mangësi njihet këtë vit dhe e gjejmë po aty vitin tjetër, shteti nuk ka fituar kujtesë vetëm sepse e ka shkruar në letër.
Ka fituar një provë se e dinte.
Kujtesa institucionale fillon kur ajo që mësuam dje fiton fuqi mbi atë që bëjmë nesër.
Kjo është arsyeja pse parandalimi është një nga punët më të padrejta të shtetit ndaj vetvetes.
Kur dështon, të gjithë e shohin katastrofën.
Kur funksionon, ngjarja që shmangu nuk ndodh dhe askush nuk e filmon.
Por pikërisht ajo shtëpi që nuk u dogj, ai fshat që nuk u rrezikua, ajo vatër që nuk u bë front zjarri, mund të jenë prova më e lartë e një shteti të aftë.
Qeveritë tundohen të tregojnë çastin kur veprojnë.
Helikopterin që ngrihet.
Forcat që mbërrijnë.
Ministrin në terren.
Unë dua të gjykoj edhe kohën kur kamera nuk kishte asgjë për të parë.
Sepse aty pushteti kishte avantazhin që zjarri nuk ia jep më, kishte kohë.
Dhe koha është pjesë e përgjegjësisë.
Edi Rama mund të na tregojë çfarë bëri shteti pasi u ngrit tymi.
Unë dua të di çfarë kishte bërë qeveria e tij kur kishte ende kohë që tymi të mos bëhej katastrofë.
Sepse flaka ka një orë kur ndizet.
Përgjegjësia e shtetit ka një orë më të hershme.
Arian Galdini





Comments