Pesë vite që e kthyën shpresën në karakter dhe karakterin në udhë!
- Gent Sinani

- Oct 23
- 4 min read

Nga Gent Sinani
Nënkryetar i LRE - Rinisja
Pesë vite janë një grimëz kohe në kalendarin e historisë, por për ne, në LRE - Lëvizjen Rinisje, janë epokë.
Epokë e qartësimit, e sakrificës, e durimit që nuk pranoi të shuhet në stuhitë e zhgënjimit dhe e një besimi që nuk kërkoi duartrokitje, por përmbajtje.
Pesë vite më parë, një zë i vetëm në errësirën e pandemisë guxoi të pyesë.
Nga ajo pyetje nisi një bashkësi që nuk u mblodh për t’u ankuar, por për të kuptuar, që nuk kërkoi fajtorë, por përgjegjësi.
Kështu lindi Lëvizja e Re, dhe në thellësinë e asaj pyetjeje lindi filozofia që sot quhet Rinisje, rrugëtim i moralit drejt veprës.
Në këtë pesëvjetor, më lejoni ta them me përulësi, ne nuk jemi një parti që matet me numra, por me dritën që ka ndezur te njerëzit.
Kjo dritë nuk është metaforë, është fakt i ndjeshëm.
Në çdo qytet, në çdo tavolinë, në çdo ndërgjegje që zgjohet, Rinisja është aty, si frymë e qetë që nuk sundon, por ndriçon.
Rruga jonë ka qenë qartësisht në këto 5 vite, rruga e sakrificës dhe karakterit.
Në pesë vite kemi parë gjithçka që njeh historia e përpjekjes njerëzore, baltë dhe mohim, shpërfillje dhe shpifje, tradhti dhe qëndresë, lodhje dhe ringritje.
Por, mbi të gjitha, kemi parë rilindjen e karakterit.
Aty ku të tjerët panë humbje, ne pamë mësim.
Aty ku të tjerët u tërhoqën, ne mësuam të qëndrojmë.
Sepse në thelbin tonë qëndron ky ligj i pathyeshëm konservator:
“Njeriu nuk bëhet i fortë kur fiton, por kur nuk humbet shpirtin, edhe në rrëzim.”
Prandaj, çdo hap i LRE-së ka qenë një akt formimi, çdo ditë një provë karakteri, çdo goditje një kujtesë se rruga drejt dritës kalon nëpër përvujtëri.
E ne kemi ecur me guxim vit pas viti, nga rezistenca te ndërtimi.
Në këto pesë vite, ne kemi kaluar nga vetmia e zgjedhur te komuniteti qëndrestar, nga fjala e parë në veprim të përditshëm.
Ky është momenti i madh i tranzicionit moral, nga qëndresa që na rriti, drejt Rinisjes që do të na ndërtojë.
Rinisja nuk është fillim i ri, është pjekuri që fillon të veprojë.
Tani velat janë gati dhe deti përpara është i hapur.
Ne kemi busullën e dinjitetit, hartën e vlerave dhe ekuipazhin e besës.
Në çdo kapitull të ri, do të shkruajmë një ekonomi që respekton punën, një turizëm që kultivon identitetin, një shtet që edukon me kulturë, një treg që rritet me etikë dhe një politikë që e mat fuqinë jo me zhurmë, por me drejtësi.
Sepse e djathta humane nuk është ideologji e tregut të ftohtë, por ekonomi e shpirtit dhe e virtytit.
Shqipëria që duam nuk blihet, ndërtohet
Në thellësi të doktrinës konservatore, siç e mësuam nga Burke e Röpke, çdo komb që harron karakterin humbet gjithçka, edhe kur fiton mirëqenie.
Ne e dimë, Shqipëria nuk ka nevojë për shpresë të re, por për shpresë që mban peshë.
Për shpresë që përkthehet në punë të ndershme, në institucione që funksionojnë si orë e drejtësisë dhe në politikë që flet me kulturën e përgjegjësisë.
Në këtë kuptim, LRE nuk është një subjekt midis partive; është shkolla e re shqiptare e karakterit politik.
Turizmi që ne ëndërrojmë nuk do të shesë kartolina, por do të rrëfejë shpirt.
Ekonomia që ne ndërtojmë nuk do të krijojë fitim pa drejtësi, por mirëqenie me dinjitet.
Kultura që mbrojmë nuk është dekor, por ADN-ja morale e kombit.
Ndj me bindje them se Rinisja po bjen si filozofi e ardhshme.
Në këtë dekadë të re, do të na udhëheqin tre parime që janë më shumë se fjalë:
Dinjitet, Punë, Besim.
Dinjitet që mbron njeriun nga nënshtrimi.
Punë që e fisnikëron dhe i jep kuptim jetës.
Besim që e lidh me Zotin dhe me tjetrin.
Këto tre fjalë nuk janë program elektoral, por kushtetutë shpirtërore e çdo qytetari që dëshiron të jetojë ndershmërisht.
Kjo është Rinisja, jo një marshim drejt pushtetit, por një kthim drejt thelbit.
Një bashkësi që i mëson shoqërisë shqiptare se morali është ligj më i lartë se çdo ligj, dhe njeriu i ndershëm është pasuria më e madhe e shtetit.
Pak fjalë për themeluesin dhe bashkudhëtarët:
Në këtë ditë, përulem me nderim para Arian Galdinit, që e ktheu pyetjen në vizion dhe vetminë në bashkësi.
Ai e provoi se drita e vërtetë nuk vjen nga mikrofonët, por nga përkushtimi i qetë.
Dhe përpara tij, përulem edhe para të gjithë atyre që kanë mbajtur dritën ndezur, njerëz të zakonshëm me zemra të jashtëzakonshme që i dhanë Lëvizjes jetë me durim, jo me bujë.
Ju jeni dëshmia e rrallë se politika nuk është profesion, por mision.
Ju jeni prova se Shqipëria ka ende njerëz që nuk kërkojnë shpërblim, por kuptim.
Fjala e fundit, si urim:
Në këtë pesëvjetor, le ta kujtojmë se çdo ideal ka çastin e vet të lodhjes, por idealet që burojnë nga ndërgjegjja nuk plaken.
Ato rilindin sa herë që ndokush ngrihet e thotë: “Unë besoj.”
Rrugëtimi ynë sapo ka filluar.
Rrugës së dritës i mjafton një drejtim.
Dhe ai drejtim quhet Rinisje.
🇦🇱
Gëzuar 5 - vjetorin e LRELëvizjes Rinisje, pesë vite dritë, sakrificë, virtyt dhe fillim i epokës së karakterit shqiptar.
Gent Sinani
NënKryetar i LRE - Rinisja
.png)










Comments