top of page

Plaga nuk jep prokurë!



Nga Arian Galdini


Protesta lind aty ku plaga nuk gjen më derë shteti ku të trokasë.


Njerëzit dalin për tokën, për bregun, për pronën, për korrupsionin, për shtetin që nuk dëgjon, për fëmijët që ikin, për pasuritë publike që vendosen në tryeza ku qytetari thirret vetëm si figurë.


Kjo plagë është reale.


Ajo është arsyeja pse sheshi merr trup.


Por plaga nuk jep prokurë.


Askush nuk fiton të drejtën të flasë në emër të qytetarit vetëm sepse afrohet pranë dhimbjes së tij.


Askush nuk bëhet përfaqësues i popullit vetëm sepse mban mikrofon, flamur, ekran, foltore, avokatë, karvan, teori, parti, datë historike apo formulë kalimtare.


Në mjegull duken të gjithë bashkë.


Njëri kërkon drejtësi, tjetri pushtet kalimtar, njëri zgjedhje, tjetri referendum, njëri foltore, tjetri ekran, njëri flamur, tjetri marrëveshje.


Ka edhe nga ata që kërkojnë të lajnë të kaluarën e vet në plagën e qytetarit.


Fjala “kundër” i mban përkohësisht nën të njëjtën çadër.


Fjala “pas” i ndan.


Pas brohorimës fillon prova e vërtetë, kush flet, kush vendos, kush merr mandat, kush mban përgjegjësi dhe kush garanton që zemërimi i sotëm të mos kthehet në pazarin e nesërm mbi kokën e qytetarit.


Republika nuk ndërtohet me mjegull.


Ajo kërkon dritë. Kërkon dokument.

Kërkon mandat. Kërkon rend.


Kërkon ditën-pas.


Kërkon që askush të mos e përdorë plagën publike si shkallë për pushtetin e vet.


Turma mund ta thyejë frikën.


Vetëm rendi e mbron lirinë.


Kur mjegulla ngrihet, mbeten gjurmët, kush erdhi për plagën, kush erdhi për pronën mbi plagën, kush mbajti përgjegjësi dhe kush iku me zhurmën.


Unë nuk kërkoj pronar të ri mbi zemërimin shqiptar.


Kërkoj Republikë pa pronar.


Aty nis prova e Rinisjes.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page