top of page

Qytetari i marrë hua!



Nga Arian Galdini


Asnjë shoqëri nuk rilind vetëm pse zemërohet.


Zemërimi mund ta çajë frikën.


Mund ta nxjerrë njeriun nga shtëpia.


Mund ta detyrojë pushtetin të dëgjojë atë që kishte zgjedhur ta përbuzte.


Por zemërimi nuk është rend.


Nuk është institucion.


Nuk është prokurë.


Nuk është Republikë.


Njeriu del në shesh si njeri.


Del me fytyrën e vet, me plagën e vet, me frikën e thyer, me atë copë dinjiteti që nuk pranon më të rrijë mbyllur.


Për një çast, ai nuk është ende popull, as turmë, as revolucion, as epokë.


Është fytyrë.


Pastaj fillon puna e emrave.


Dikush e quan popull.


Dikush e quan revolucion.


Dikush e quan fillim historik.


Dikush e quan shoqëri të ringritur.


Emri mund t’i japë dhimbjes formë.


Mund t’i japë edhe pronar.


Ky është çasti kur liria rrezikon të kthehet në administrim.


Ai del nga shtëpia me fytyrë.


Në shesh bëhet numër.


Në mikrofon bëhet popull.


Në letër bëhet mandat.


Në zyrë bëhet pronë.


Këtu fillon gjyqi i politikës.


Jo te madhësia e turmës.


Jo te bukuria e thirrjes.


Jo te ngrohtësia e fjalës “e re”.


Gjyqi fillon kur pyetet, kush flet në emër të kujt?


Kush e mban mikrofonin mbi kokën e njeriut?


Kush e kthen plagën në program?


Kush e çon britmën në zyrë?


Kush firmos ditën pas mbi emrin e tij?


Historia nuk i ka robëruar njerëzit vetëm me dhunë.


I ka robëruar edhe me shpresa të marra hua, me emra të pastër, me flamuj të rinj mbi zakone të vjetra, me horizonte që hapen si premtim dhe mbyllen si zyrë.


Asnjë vend nuk bëhet i ri duke i ndërruar emrin plagës.


Asnjë shpresë nuk bëhet e drejtë vetëm pse vjen me fjalë të pastra.


Asnjë liri nuk fillon duke e kthyer njeriun në numër, dekor, turmë, votë të marrë peng, apo dhimbje të administruar.


Ndryshimi pa gjykatë mund të bëhet sundim i ri.


Emri pa mandat mund të bëhet prangë më e hollë se dhuna, sepse njeriu e vesh vetë duke menduar se po çlirohet.


Kjo është prova e çdo vendi që kërkon të quhet i ri, fytyra të mos mbulohet nga emri, plaga të mos bëhet kapital, qytetari të mos kthehet në prokurë.


Vetëm atëherë mund të flitet për Shqipëri të Re.


Republika lind vetëm kur askush, i vjetër apo i ri, nuk guxon më ta marrë qytetarin hua.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page