top of page

Poezi: Ai që s’u shit!



Nga Arian Galdini


Në këtë kohë që i lyen plagët me ndriçim të rremë,

ku zëri del në shitje më lirë se buka

dhe heshtja ruhet si mall i rrallë

mbi tavolina që s’e njohin urinë,

ecën ende ai njeri

që s’e ndjek askush me sy kur kalon,

sepse nuk ka tribunë,

nuk ndez studio,

nuk mban kor pas vetes,

por ruan në kraharor

një copë qiell të palosur me kujdes,

si letër e vjetër prej shtëpisë.


Kthehet vonë,

me duar të varfra,

me shpinë të lodhur,

me fytyrë ku dita ka lënë pluhur e hekur,

dhe prapë ulet pranë fëmijës së vet

si pranë një altari të vogël

ku e ardhmja merr frymë pa zhurmë.

Aty nis lartësia e tij.

Jo në tribunë,

as në zhurmën e fitoreve,

po te mënyra

si nuk e lë zemrën

të bëhet send i lirë për treg.


Qytetet e ngritura mbi netët e të drejtëve

i ka parë derisa s’janë bërë më çudi.

Fytyra që qeshin me dhëmbët e frikës,

mjeshtra kohe

që e matin njeriun

me çfarë zotëron,

jo me çfarë shpëton prej vetes,

i kanë kaluar përpara

si vitrina të një pazari

ku çdo gjë ka çmim,

përveç atij tjetrit,

atij që humb pa u ulur,

që thyhet pa u shitur,

që e mban emrin e vet

si kandil të ulët

që nuk e zbukuron natën,

por e mund.


Mburoja e tij e vetme

është ajo pjesë e pamarrshme

që nuk del në ankand.

Nuk përkulet

para së keqes së veshur mirë.

Nuk e quan dritë

atë që vetëm shkëlqen.

Nuk vë dorë

mbi atë që do ta rriste në para

duke e zvogëluar në njeri.


Dhe kur koha i fut thonjtë më thellë,

kur humbja i troket në palcë,

kur bota i pëshpërit

se është vonë

për atë që s’blihet,

për atë që s’jepet,

për atë që rri drejt edhe vetëm,

pikërisht atëherë

ai hyn në provën e vet më të lartë,

si Krishti

në qendër të dhembjes,

duke mbajtur pa zhurmë

atë që s’duhet lëshuar.


Sepse njeriu matet

jo nga sa herë kaloi i paprekur,

por nga sa herë u ngrit

pa ia dorëzuar errësirës

emrin,

fëmijën,

atë që besoi,

derisa fytyra

të mos gjente më

asnjë vend kthimi.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page