top of page

Poezi: Atdheun e kujt?

ree

Nga Arian Galdini


U premtova bijve një atdhe më të mirë,

Ky ku unë kam lerë është atdhe përzënës.

Ia rrëmben dritën diellit

Dhe ia zhubros buzëqeshjen hënës.


Të parët këtu m'janë tretur,

Mbi ta ka ecur koha pa pikën e mëshirës

Varret ua ka fshirë, asgjë nuk u ka mbetur,

Por ëndrrat këtu u endën, si ecje ndanë rrëpirës.


Në ekuliber marrëzie u kalamendën ëndrrat,

Filli ku qëndrojnë, nuk ua kthen më jetët,

Gëlojnë brenda nesh si thirrje e së djeshmes,

Të nesërmen na dëftojnë, e as varret s'kanë të vetët...


Të rejat kohë, kanë fshirë gjithçka me zell paturpësie,

Të parëve tanë ua kanë zhdukur varret, shpresën tonë për të nesërme, pa gjyq na e kanë vrarë,

Me çizme çmimkripura shkelin mbi të shkuarën,

Nuk duan aspirata. Duan të jenë Sundimtarë.


Sundimtarë që të shkuarën na e ndryshojnë sipas pazarit.

Bëjnë aq të shkuara, sa të jetë kërkesa,

Na shesin heronjtë, të parët dhe gurët e varrit,

Që vetëdije mos t'na mbetet e t'na vdesë kujtesa.


Premtimin që bijve të mij u kam bërë,

E kam betim sublim, e kam peshë të rëndë.

Droje kam se lufta ime ngjan me një kështjellë në rërë,

Të bëj më të mirë një atdhe, ku as unë s'kam vend.


Si ta bêj më të mirë një atdhe përzënës? Si?

Si ta bëj më të mirë një atdhe që o të largon, o të gjunjëzon?

Të bëj një luftë që do të tërheqë edhe bijtë e mij?

Apo të ndalem, e të them, se këtu mbaron?


Atdheun e kujt do bëjmë më të mirë?

Këtë atdhe ku nuk mbrojmë dot as kujtesën, e as mbajmë dot premtimin?

Atdheun që po na e rrënojnë e plaçkisin Sundimtarët,

Ku nuk kemi as të nesërme, e po na zhbëjnë edhe të parët?


Veç Zoti është arsye për qendresë,

Na ka lindur këtu, jo pa një qëllim.

Ai është fuqia për luftë edhe shpresë,

I Tiji është plani, Ai është burim.


Me gjithë zemër lutem, lutem me gjithë shpirt,

Që plani i Zotit, ta përmbushë premtimin tim.

Se dua që bijtë të rriten të dlirë, e të lirë,

Në një atdhe ku shpresa ka ngadhnjim.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page