Poezi: Bijve!

Nga Arian Galdini
(Davidit dhe Martinit)
Te jaka juaj
mëngjesi kishte lënë
një kopsë paksa shtrembër,
supin pranë supit,
atë vijë të hollë mes jush
ku vëllai nuk duket,
por mban vend.
I madhi rrinte
si fjalë që matet para se të dalë.
I vogli kishte në sy
një derë ende të hapur,
pa ditur se më vonë
edhe hapat
mësojnë të ndalen.
Nuk gjeta arkë për t’jua lënë.
Vetëm një gabim që nuk u fsheh,
një lugë të larë pas darke,
një hidhërim
që u kthye mbrapsht
para se druri i derës
të njihte përplasjen.
Në gojën tonë,
“urdhëro” nuk ishte fjalë feste.
Rrinte te buka,
te karrigia që afrohej,
te kafshata më e mirë
që kalonte te tjetri
pa u numëruar.
Do të vijë një çast
me diçka të ftohtë mbi tavolinë,
që nuk ju përket,
me askënd aty
përveç dorës suaj.
Atëherë
nuk do të jem në kornizë.
Aty mbetet vetëm mëngjesi
para provës.
Do të jem te gishti
që kërkon vrimën e kopsës,
te jaka që drejtohet ngadalë,
te dora
që rri pak mbi të huajën,
pastaj zbret
te shpina e karriges
që dikur iu afrua tjetrit,
dhe del
pa marrë vendin
që nuk i takon.
Arian Galdini





Comments