Poezi: Çelësi që nuk hapi urrejtje!
- Arian Galdini
- 2 days ago
- 4 min read

Nga Arian Galdini
Në hi gjeta një çelës.
Nuk e di nëse ishte çelësi i derës sonë,
apo i asaj jete që u mbyll
natën kur flaka hyri në shtëpi
me fytyrën e njeriut
dhe me duart e së keqes.
E mora nga toka
siç merret një eshtër nga vendi i vet,
me atë drojë që nuk vjen nga metali,
por nga kujtesa që metali mban ende në heshtje.
Ishte i ftohtë,
ndonëse kishte dalë prej zjarrit.
Dhëmbët i kishte të ngrënë në skaje,
sikur flaka të kishte dashur
t’ia shqiptonte fajin
me gjuhën e vetë.
Shtëpia nuk ishte më.
Çatia kishte rënë në vetvete
si një besim i mundur.
Muret mbanin ende erën
e gëlqeres së djegur,
dhe dyshemeja ishte bërë vendi
ku emrat tanë ecnin zbathur
mbi hirin e tyre.
Nuk kishte mbetur derë,
por dora ime mbante ende
zakonin e hapjes.
Njeriu nuk e humb menjëherë
gjestin e jetës,
edhe kur jeta i është shqyer
përpara syve.
Atë mbrëmje ai erdhi.
Qëndroi te pragu i djegur
pa trokitur,
siç qëndrojnë fajtorët
kur druri, guri dhe nata
kanë parë mjaftueshëm.
Në duart e tij kishte ende erë tymi.
Jo tymi i druve.
Jo avulli i zakonshëm i shtëpisë
që del nga oxhaku
dhe i jep dimrit një trajtë të durueshme.
Ishte një erë tjetër,
e rëndë,
e ulët,
e ngjitur pas mishit
si një e vërtetë
që nuk ndahet prej njeriut
as kur ai përpiqet të lahet
në të gjitha ujërat e botës.
E pashë.
Në mua u ngrit ajo
që ngrihet te shumica e njerëzve
përpara se të flasë ndërgjegjja:m,
jo drejtësia,
por etja për t’i veshur zemërimit
petkun e saj.
Dora m’u mbyll mbi çelës.
Dhëmbët e nxirë të metalit
m’u ngulën lehtë në pëllëmbë.
Aty e mora vesh
se njeriu rrëzohet
jo kur godet,
por pak çaste më parë,
kur ia jep të drejtën e vetes urrejtjes
dhe e quan këtë ndëshkim të ndershëm.
Urrejtja nuk hyn te njeriu
si bishë e huaj.
Ajo hyn
si një e drejtë e plagosur.
Të flet me zërin e dënimit,
të vesh dhimbjen me gjuhën e moralit,
të premton se do ta ngrejë dinjitetin tënd
duke e përkulur tjetrin
deri në baltë.
Kështu e keqja
merr duart e njeriut
pa ia ndryshuar menjëherë fytyrën.
Unë e kisha përpara njeriun
që më kishte djegur shtëpinë.
Në sytë e tij
nuk pashë një përbindësh.
Përbindëshat janë shpesh mënyra më e lehtë
për ta shpëtuar mendjen
nga barra e së vërtetës.
Pashë një njeri
që kishte lejuar përbindëshin
të punonte me duart e tij.
Kjo ishte më e tmerrshme,
por edhe më e vërtetë.
Atëherë m’u kujtua Ai
që nuk zbriti nga kryqi,
edhe pse mund ta kishte lëkundur
vetë drurin e vuajtjes
me një frymë të vetme.
Jo si stoli predikimi.
Jo si pamje e butësisë.
Por si prani e qetë
në vendin ku zemërimi kërkon fron
dhe shpirti duhet të zgjedhë
pa duartrokitje.
Nuk u bëra i butë.
Butësia e rreme
është shpesh vetëm frikë
që ka mësuar të vishet pastër.
Nuk u bëra as i shenjtë.
Unë mbeta i plagosur.
Kaq.
Por nuk pranova
ta ktheja plagën në ligj.
Shtëpia ime u dogj.
Kjo fjali nuk kërkon figurë.
Çatia ime u bë hi.
Muret e mia u nxinë.
Gjërat që kishin mësuar zërat tanë
mbetën pa gojë.
Dhe megjithatë,
çelësi në dorën time
nuk hapte më shtëpinë.
Ai mund të hapte vetëm
një burg tjetër.
Ky ishte çasti i vërtetë.
Jo kur ai më pa.
Jo kur unë e njoha.
Jo kur kujtesa m’i solli përpara flakët.
Por kur kuptova
se njeriu,
pasi i digjet shtëpia,
rrezikon të ndërtojë në vetvete
një shtëpi më të keqe.
Një strehë
ku urrejtja vendoset si zonjë
dhe kujdeset vetë
për dritaret, dyert, gjumin dhe gjakun.
Çelësi që mbaja në dorë
nuk ishte më i drurit dhe i drynit.
Ishte çelësi i atij burgu.
Nëse do ta rrotulloja,
nuk do të hyja te hakmarrja.
Do të hyja
te vetja ime e humbur.
Prandaj e hapa derën
jo për ta shpëtuar atë,
por për të mos u burgosur unë.
Falja nuk është larje.
Vë kufi
midis plagës dhe së keqes.
Nuk e shpëton fajin
nga emri i vetë.
E shpëton të plagosurin
nga kopja e fajit.
Për këtë arsye ajo djeg.
Jo me flakë,
por me peshë.
Ka net
kur njeriu mendon
se do të ishte më e lehtë të urrente.
I mjafton një shenjë,
një emër i zhveshur para të gjithëve,
një gjykim i lëshuar
para së vërtetës.
E kam parë njeriun
të marrë hua mllefin,
të quajë drejtësi
kënaqësinë për rënien e tjetrit,
të dorëzojë dinjitetin
pa iu dridhur fytyra.
Njeriu mbetet njeri
kur dora ndalet,
kur goja nuk i jep së ligës fjalën e vetë,
kur loti nuk pranon
të bëhet urdhër për helm.
Këtë e kanë ditur
edhe gurët tanë më të vjetër,
edhe pragjet e shtëpive
ku buka ndahej
para se të ndahej fjala,
edhe ata emra
që nuk hynë në libra,
por mbajtën mbi shpinë
dinjitetin e një fisi
pa i bërë zhurmë virtytit.
Më vonë zbrita te lumi.
Valbona rridhte
me atë qetësi
që nuk ka nevojë të quhet e lashtë
për të qenë më e vjetër se njeriu.
Ula dorën në ujë.
Lava çelësin.
Hiri nuk iku krejt.
Ashtu duhej.
Ka gjëra
që nuk pastrohen
pa mbetur diçka prej tyre,
si shenjë
se e vërteta nuk është kozmetikë
dhe se shpirti nuk bëhet i bardhë
duke gënjyer plagën e vetë.
E mbajta gjatë në pëllëmbë,
derisa e ftohta e tij
u bë si një ligj i qetë.
Pastaj e lashë
mbi një gur të ulët,
pranë ujit.
Nuk e hodha.
Nuk e shenjtërova.
Nuk e ktheva
në stoli të kujtesës.
E lashë aty
siç lihen gjërat
që kanë kryer shërbimin e tyre të fundit,
jo duke hapur,
por duke mos hapur.
Uji kalonte pranë tij
pa e marrë.
Guri e mbante
pa e pyetur nga vinte.
Atëherë pashë
se humbja nuk mbaron
kur shtëpia bie.
Mbaron më vonë,
ose nuk mbaron kurrë,
kur merr zërin tënd.
Dhe atë mëngjes,
pranë ujit,
mbi gur,
mbeti çelësi i nxirë,
i padobishëm për çdo derë,
por ende i rëndë
nga ajo që nuk hapi.
Arian Galdini
.png)