top of page

Poezi: Guri që buzëqeshi!



Nga Arian Galdini


Në Maltë,

guri nuk më foli për moshën e vetë.


Rrinte i artë,

i ngrohur nga deti,

me atë durim të ishujve

që kanë parë shumë anije

dhe prapë nuk janë lodhur

nga ardhja e fëmijëve.


Valetta zbriste drejt ujit

me porta të qeta,

me ballkone që mbanin pak ajër blu,

me varka të vogla

që lëkundeshin në liman

si lodra të vjetra

që askush nuk pati zemër t’i hidhte.


Davidi ecte përpara

me shikimin e mbledhur,

sikur dita i kishte dhënë

një drejtim të vogël

për ta ruajtur në heshtje.


Martini qeshte pranë tij,

dhe ajri hapej menjëherë,

si ujë i cekët

ku një fëmijë hyn

pa pyetur nëse deti është i madh.


Unë ecja pas jush.


Nuk po kërkoja mbretëri,

as kalorës,

as emra të gdhendur në gur.

Ato ishin aty,

por atë ditë

nuk kërkonin të shpjegoheshin.


Historia, pranë jush,

nuk rrinte më si peshë.


Rrinte si mur i ngrohtë

ku dy fëmijë mund të kalonin

pa u trembur nga ajo

që kishte qenë para tyre.


Në Mdina,

ajri nuk dilte nga muret.


Ishte një enë e vjetër

me freski të ruajtur brenda,

një qytet që dinte

se hapat e vegjël

nuk hyjnë duke trokitur fort

në vendet që mbajnë kujtesë.


Prandaj edhe ju

ecët më ngadalë.


Jo nga frika.


Nga ajo mënyrë e çuditshme

si fëmijët, pa e ditur,

e ulin zërin

kur një qytet i vjetër

nuk kërkon të duket i madh.


Atëherë nuk mendova

për të ardhmen.


Pashë vetëm shpinat tuaja

duke lëvizur përpara,

detin në krah,

gurin pas jush,

dhe një pasdite

që u bë më e ngushtë,

më e saktë,

sa hapi juaj.


Një varkë u kthye ngadalë,

pa nxitim,

sikur edhe ajo donte të shihte

dy djem

që i linin ishullit

një kalim të gjallë

aty ku muri ruante emra.


Dhe guri,

ai gur që kishte mbajtur shekuj

pa kërkuar pushim,

atë ditë nuk mbajti më

vetëm të shkuarën.


Mbajti hapat tuaj.


Pastaj,

mbi muret ku ari rrinte pa zhurmë,

nuk pati më si të mbetej

veç gur.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page