Poezi: Ai që nuk e la botën vetëm!
- Arian Galdini

- 5 hours ago
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Ai nuk erdhi për ta ndryshuar botën.
Kjo do të kishte qenë shumë pak.
Edhe mendja e tij
kishte nxituar shpesh
atje ku duhej të dëgjonte.
Kishte parë njerëz
që e quanin ndryshim
çdo gjë që arrinin
ta përdornin ndryshe.
Kishte parë gurë
të shitur si kujtim,
ujë të matur me çmim,
xhama të ndezur
ku fytyrat kalonin
pa i kthyer askujt shikim.
Prandaj nuk erdhi
me zë profeti.
Nuk solli emër për veten.
Nuk solli shkop.
Nuk solli urdhër.
Vetëm ndaloi
përpara një guri.
Guri rrinte aty
me atë durim të errët
që kanë gjërat
kur kanë parë shumë
dhe nuk u ka mbetur askush
t’u besojë.
Ai e preku.
Jo për ta marrë.
Jo për ta shenjtëruar.
Jo për ta bërë shenjë.
E preku
siç preket balli i një të vdekuri
kur fjala vjen vonë
dhe nuk ka më çfarë të shpëtojë.
Guri nuk u hap.
Nuk kishte pse.
Por në të
kaloi një dridhje e vjetër,
si lodhje e mbledhur
nga ata që ranë
pa u numëruar,
që u mbuluan pa u thirrur,
që lanë në tokë
vetëm rëndesën e një hapi
dhe asnjë gojë
për t’i kthyer në njeri.
Ai e mbajti dorën aty.
Gjatë.
Dhe kuptoi
se bota nuk hesht
sepse është e zbrazët.
Hesht
sepse është përdorur shumë
nga duar
që nuk kanë dashur.
Pranë gurit
kishte dalë një fije bari.
E hollë.
Gati e pavënë re.
E vendosur të jetonte
pa kërkuar leje
nga pesha sipër saj.
Në atë gjelbërim të ulët
ai pa një grua.
Jo si vegim.
Si jetë.
Kishte dalë
nga një shtëpi e ngushtë,
nga një tryezë ku fjala e saj
kishte qenë gjithmonë më e vogël
se buka,
nga një dashuri
që i kërkonte bindje
dhe e quante paqe.
E kishin quajtur të pabindur
sepse nuk pranoi
të ishte mur
për frikën e të tjerëve.
I kishin hedhur gurë pas shpine.
Ajo nuk ndërtoi hakmarrje.
Me po ata gurë
ngriti një prag të ri,
jo për t’i mbyllur njerëzit jashtë,
por që vajzat që vinin pas saj
të mos hynin më në jetë
me kokën të ulur
si falje për lindjen e tyre.
Ai nuk e bekoi.
Bekimi i tij
do ta kishte përdorur përsëri.
Vetëm preku barin
edhe një herë
dhe ndjeu se jeta,
kur nuk lejohet të ngrihet,
mëson të dalë poshtë.
Pastaj hyri në qytet.
Qyteti ecte shpejt.
Njerëzit mbanin në duar
ekrane të ndezura,
ku bota dukej afër
dhe njeriu mbetej larg.
Ato jepnin fytyra
pa kthyer shikim.
Tregu blinte lodhjen
dhe e shiste si jetë.
Fjalët dukeshin të larta
derisa kërkohej karakter.
Askush nuk dukej fajtor.
Në një cep,
një fëmijë shikonte kalimtarët.
Nuk qante.
Nuk qeshte.
Shikonte
me atë vëmendje të pambrojtur
që të rriturit e humbin
kur mësojnë të shpëtojnë
nga ajo që shohin.
Ai u ul pranë tij.
Fëmija pyeti:
Pse rriten njerëzit
nëse pastaj mësojnë
të jenë më pak të gjallë?
Ai nuk iu përgjigj.
Pyetja mbeti aty.
Rrinte aty,
me fëmijën pranë,
me gurin ende në dorë,
ndërsa qyteti ecte.
Atëherë e kuptoi
se prekja më e vështirë
nuk ishte jashtë.
Ishte brenda.
E preku në veten e tij
atë vend ku e drejta
kishte filluar të vdiste ngadalë,
jo nga plagët e mëdha,
por nga lehtësitë e vogla
që njeriu i fal vetes
derisa nuk e njeh më rënien.
Aty gjeti frikë.
Gjeti sedër.
Gjeti fjalë
që kishin dalë para tij
kur duhej të dilte e vërteta.
Pastaj gjeti dorën e vetë
aty ku kishte prekur botën
pa e pyetur
nëse ajo po dhembte.
U tremb.
Ende nuk ishte humbur.
Ai nuk premtoi asgjë.
Vetëm uli dorën.
E vendosi mbi tokë,
pastaj mbi kraharor,
pastaj mbi shpatullën e fëmijës.
Asgjë nuk u ndriçua papritur.
Guri mbeti gur.
Bari mbeti bar.
Qyteti vazhdoi.
Ekranet dhanë fytyra të tjera.
Tregu hapi prapë gojën e vetë.
Por për një çast
bota nuk u përdor.
Për një çast
nuk ishte mall,
nuk ishte skenë,
nuk ishte send për t’u marrë.
Ishte botë.
E lodhur.
E plagosur.
Ende e gjallë.
Ai nuk e preku botën
për ta ndryshuar.
E preku
që të mos mbetej vetëm
në duart
që dinin ta përdornin,
por jo ta donin.
Dhe bota
nuk u bë sërish.
Vetëm mori frymë.
Arian Galdini
.png)



Comments