Sovraniteti i këngës së ardhshme!
- Arian Galdini

- 6 minutes ago
- 8 min read

Nga Arian Galdini
Hollywood-i di t’i japë përmasë së pamundurës.
Ngre anije mbi det të hapur, e vesh mitin me ujë, metal, erë e trup njerëzor dhe e sjell një botë të largët aq pranë, sa shikuesi harron për pak çaste se po vështron një rindërtim.
Në kinemanë e Christopher Nolanit, teknika fiton besueshmëri kur ndeshet me lëndën, dallga godet anijen, bronzi rëndon mbi trup, moti hyn në skenë pa kërkuar lejen e regjisorit.
Megjithatë, kur Ludwig Göranssoni ndërtoi botën zanore të Odisesë, studioja nuk mjaftoi.
Ai kërkoi aulosin, lirën, tingullin e metaleve dhe zhurmat që lindnin prej mjedisit fizik të filmit, udhëtimi e solli në jug të Shqipërisë, ku regjistroi iso-polifoninë, të cilën tha se nuk e kishte dëgjuar më parë në një film, dhe fyellin e barinjve.
Ngjarja do të humbiste kuptimin po të rrëfehej si çasti kur Hollywood-i “zbuloi” Shqipërinë.
Vendi ynë nuk fillon të ekzistojë kur e shqipton një emër i famshëm.
Përmendja nga jashtë nuk prodhon vlerë kombëtare, në rastin më të mirë, ajo tregon se dikush dalloi këtu një pasuri që ne rrezikojmë ta përdorim si zbukurim.
Një industri e aftë të ndërtojë botë të tëra kërkoi te një kulturë gojore shqiptare një lëndë që aparati mund ta regjistronte, ta përpunonte dhe ta shpërndante, pa qenë në gjendje të trillonte historinë njerëzore që i paraprinte.
Fuqia teknike mbërrin kështu në një paradoks.
Sa më afër i shkon përsosmërisë së përfaqësimit, aq më shumë rrezikon të tingëllojë pa prejardhje.
Kamera e zgjeron detin, mikrofoni kap dridhjen që mbërrin si tingull, programi e ndan regjistrimin në shtresa dhe krijon variante.
Gjithçka punon mbi një mënyrë frymëmarrjeje, një timbër, një gjykim dhe një praktikë që një brez ia ka përcjellë tjetrit.
Për ta bërë botën homerike të ndihet e banuar, kinemaja kërkoi një lëndë me biografi njerëzore.
Hollywood-i është edhe një fuqi e imagjinatës historike.
Një pjesë e madhe e publikut do ta takojë Trojën, detin e Odiseut dhe Itakën përmes ekranit, jo në greqishten e lashtë.
Kinemaja u jep fytyrë heronjve, ritëm betejave dhe temperaturë humbjeve, Homerin nuk e zëvendëson, por për shumë shikues bëhet dera e parë drejt tij.
Një material zanor shqiptar hyn kështu në mënyrën si shekulli ynë mund ta dëgjojë mitin homerik.
Göranssoni erdhi sepse kërkonte diçka që ekzistonte këtu.
Kërkesa e vërtetë është më e rëndë se lavdërimi, na vë përballë pyetjes nëse dimë ende ta vazhdojmë atë që bota e gjeti të nevojshme.
Shtrirja botërore e filmit mund t’i japë tingullit një jetë estetike të re.
Përgjegjësia jonë fillon aty ku mbaron kënaqësia e përmendjes.
Fyelli dhe iso-polifonia nuk janë dy sende të së njëjtës vitrinë.
Fyelli lind nga një trup përballë shpatit, motit, tufës dhe largësisë.
Fryma hyn në instrument, gishtat hapin e mbyllin vrimat, gjatësia e kolonës së ajrit ndryshon dhe tingulli merr lartësi.
Brenda tij mbeten ecja, puna, pritja dhe marrëdhënia e njeriut me një botë që nuk përgjigjet me fjalë.
Tingulli lind edhe pa publik, ndërsa dita shtrihet përpara bariut dhe detyra e tij nuk ka nevojë për skenë që të jetë e vërtetë.
Iso-polifonia vjen prej një kushti tjetër.
Në një prej formave të saj, marrësi çel këngën, kthyesi i përgjigjet me vijën e vet, ndërsa grupi mban ison.
Kënduesit sjellin timbrat e tyre, rolet përcaktojnë hyrjen, funksionin dhe kufirin.
Asnjë zë nuk e përfundon i vetëm këngën.
Pjesët solistike mbeten të dallueshme, isoja u jep mbështetje dhe tërësia lind prej marrëdhënies së tyre.
Strukturat ndryshojnë sipas mënyrës së interpretimit, ajo që mbetet është nevoja që secili ta dëgjojë tjetrin.
Në këtë marrëdhënie muzika shqiptare prek një problem të çdo qytetërimi.
Njeriu ka nevojë për një zë që përballon largësinë dhe për aftësinë për të hyrë mes të tjerëve pa i pushtuar e pa u tretur.
Liria shndërrohet në sundim kur një zë mbulon gjithë të tjerët, bashkësia bëhet turmë kur individi humb fytyrën.
Qytetari e mban pjesën e vet, pranon kufirin dhe kupton se prania e tij ndryshon tërësinë.
Muzika nuk na jep kushtetutë, na kujton se pluraliteti kërkon gjykim për çastin, vendin dhe përgjigjen.
Odiseu kthehet në shtëpi pasi deti, humbja dhe tundimi e kanë ndryshuar.
Kthimi i tij nuk e zhbën udhëtimin.
Ai duhet ta njohë përsëri Itakën, ndërsa njerëzit e saj duhet të njohin njeriun që u kthye.
Edhe një traditë, kur hyn në botë, merr kuptime që bartësit e saj nuk i parashikojnë dot.
Pyetja nuk është nëse do të mbetet kopje e vetes, por nëse do të gjejë njerëz që dinë ta njohin, ta sprovojnë dhe ta çojnë përpara.
Në rrëfimin e regjistrimit gjendet një hollësi që e shpëton këtë temë nga madhështia e zbrazët.
Seanca me fyellin duhej të mbyllej në gjashtë të mbrëmjes, sepse barinjtë ngriheshin në katër të mëngjesit për tufat.
Dy orare vendosën përballë njëra-tjetrës dy mënyra kohe.
Gjashta i përkiste projektit, pajisjeve dhe materialit që duhej marrë.
Katra i përkiste jetës që do të vazhdonte pasi ekipi të largohej.
Për disa orë, Hollywood-i iu përshtat ritmit të një bariu shqiptar, sepse tufa nuk priste.
Tingulli jeton brenda trupit.
Bartësit lodhen, plaken, largohen, mbajnë familje dhe punojnë në rrethana që skedari nuk i përmban.
Regjistrimi ka vlerë sepse ruan një gjurmë të qëndrueshme nga një interpretim që, pa të, do të mbetej vetëm në kujtesën e të pranishmëve.
Ai mund të pastrohet, të ngadalësohet, të ndahet në shtresa, të analizohet dhe t’i dërgohet një nxënësi në anën tjetër të oqeanit.
Regjistrimi ruan atë që ka ndodhur, prova me të tjerët e vendos nxënësin brenda asaj që po ndodh.
Një i ri mund t’i dijë fjalët, ta njohë melodinë, ta ketë dëgjuar interpretimin qindra herë dhe përsëri të mos e gjejë çastin e vet mes zërave.
Mësuesi mund ta ndalë këngën dhe t’i kërkojë të dëgjojë sërish.
Fjala e ndihmon, por nuk ia kursen pritjen.
Ai provon, gabon pa u përjashtuar dhe kthehet pa krenarinë e atij që ngatërron njohjen e materialit me aftësinë për ta ushtruar praktikën.
Me kohë, çasti pushon së qenuri urdhër i jashtëm.
Bëhet pjesë e mënyrës si trupi merr frymë mes të tjerëve.
Nxënësi ka mësuar më shumë se një këngë, sa vend mund të marrë pa sunduar, kur duhet të përgjigjet, si ta ruajë dallimin pa e çarë tërësinë dhe çfarë u detyrohet njerëzve me të cilët këndon.
Teknologjia mund ta bëjë regjistrimin të arritshëm dhe dëgjimin e përsëritur më të lehtë, gjykimi formohet te njeriu që ushtrohet mes të tjerëve.
Trashëgimia jomateriale ndahet kështu nga koleksioni.
Ajo mbështetet te njerëzit që dinë ta kryejnë një praktikë, të dallojnë cenimin dhe t’ia mësojnë dikujt tjetër.
Regjistrimi ruan një interpretim, njohja ndërkombëtare i jep dukshmëri, festivali krijon publik, tregu mund të hapë mundësi ekonomike.
Të gjitha kanë vlerë.
Asnjëra nuk zëvendëson personin që udhëheq provën e radhës dhe nxënësin që qëndron aq gjatë sa dija të kalojë nga veshi në trup.
Kadareja e vendosi magnetofonin në zemër të kësaj enigme te Dosja H.
Dy studiues irlandezo-amerikanë nga Harvardi vijnë në Shqipëri për të regjistruar këngëtarët e epikës gojore dhe për t’iu afruar çështjes homerike.
Romani vë përballë zërin e gjallë dhe pajisjen që përpiqet ta ruajë.
Epoka digjitale na çon drejt një frike të kundërt, skedari mund të kopjohet, të ruhet në shumë vende e të rikthehet pas dekadash, ndërsa njerëzit plaken, grupet shpërndahen dhe kompetenca shuhet pa zhurmë.
Materiali mund të mbijetojë më lehtë, ndërsa aftësia për të krijuar këngën që ende nuk është kënduar rrezikon të humbasë.
Filmi, tregu dhe platformat mund ta ndryshojnë këtë fat.
Odiseja mund t’i sjellë iso-polifonisë një publik të ri dhe dëshirë për mësim, një fëmijë shqiptar larg vendit të origjinës mund ta dëgjojë përmes ekranit dhe të kërkojë një grup.
Edhe një milion dëgjime nuk tregojnë nëse është formuar qoftë edhe një bartës.
Qarkullimi bëhet fuqi kulturore kur një pjesë e tij kthehet në mësim.
Mbetet një e vërtetë që na lëndon, një prodhim i huaj mund t’i japë këtij tingulli më shumë shtrirje estetike sesa institucionet tona i kanë dhënë përcjelljes së tij.
Filmi i hap një vend në imagjinatën e brezave të rinj, kjo nuk siguron vazhdimësinë e praktikës, por ngushton hapësirën e justifikimeve tona.
Bota nuk na varfëron kur dëgjon mirë.
Merita e saj e bën dështimin tonë më të matshëm.
Njohja ndërkombëtare nuk e ka hequr rrezikun.
UNESCO-ja ka shënuar varfërinë, mungesën e mbështetjes financiare dhe largimin e të rinjve si kërcënime për përcjelljen e iso-polifonisë, projektet e saj janë përqendruar edhe te kalimi i praktikës drejt brezit të ri.
Nisma me nxënës në Pilur, Delvinë e Sarandë tregojnë se mësimi vazhdon falë njerëzve që e marrin përsipër drejtpërdrejt.
Por një nismë e mbajtur mbi vullnetin e disa individëve nuk është ende politikë e qëndrueshme kulturore.
Dritat e një festivali ndizen për një mbrëmje, një këndues formohet gjatë viteve.
Sovraniteti kulturor nuk është titull pronësie mbi origjinën.
Ai është aftësia për të formuar njerëz që dinë ta gjykojnë, ta rikrijojnë dhe ta përcjellin atë që kanë marrë.
Prejardhja dëshmon lindjen, kompetenca tregon kush di ta praktikojë, përcjellja provohet kur dija kalon te një njeri tjetër, rikrijimi fillon kur nxënësi sjell diçka të re pa humbur marrëdhënien njerëzore që e bën traditën të dallueshme.
Një popull mund ta ruajë emrin, skedarin dhe ceremoninë, ndërsa mbetet pa kënduesit që i japin vazhdimësi.
Një variant mund të lindë në truall tjetër, me timbër tjetër dhe përpara një publiku tjetër.
Vijimësia e tij sprovohet brenda bashkësisë së njerëzve që njohin marrëdhënien e roleve, e vënë interpretimin në provë dhe formojnë një nxënës tjetër.
Ndryshimi nuk është vetvetiu tradhti, kopja nuk është vetvetiu besnikëri.
Folklorizmi politik kënaqet me përmendjen.
Shqiptarizmi kërkon që ne të mbajmë përgjegjësinë për atë që bota gjeti këtu.
Dinjiteti kombëtar fillon kur lavdërimi kthehet në detyrë.
Kultura është një dhuratë e marrë me kushtin që të mos përfundojë në duart tona.
Shteti nuk është pronar i iso-polifonisë.
Përgjegjësia e tij është të krijojë kushtet ku bartësi dhe nxënësi mund të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit aq gjatë sa kompetenca të kalojë.
Një Republikë pa pronar nuk mund të ketë kulturë me pronar.
Qytetarët marrin përkohësisht në kujdes diçka që u paraprin, e mësojnë, fitojnë gjykim dhe ia përcjellin një tjetri.
Republika bëhet marrëveshje ndërmjet brezave, ajo që na mbërriti nuk do të përfundojë me ne.
Diaspora hyn në këtë marrëveshje pa kërkuar leje nga një kuptim i ngushtë i territorit.
Toka e origjinës mban historinë, gjuhën dhe përvojën prej së cilës lindi praktika, ndërsa jeta e saj mund të vazhdojë në qytete të tjera dhe përtej oqeanit.
Përkatësia shqiptare nuk jep vetvetiu kompetencë, sikurse popullariteti nuk e bën çdo variant vazhdim.
Gjykimi fitohet përmes praktikës dhe sprovohet mes njerëzve që e njohin atë nga brenda.
Kinemaja mund ta ndryshojë mënyrën si kjo marrëdhënie dëgjohet, duke sjellë ritme, përmasa dhe përdorime që bartësit e mëparshëm nuk i kishin parashikuar.
Pyetja i kthehet njeriut, a e lë forma e re të mjaftohet me efektin e çastit, apo i jep arsye të kërkojë burimin, vendin dhe praktikën?
Kur qarkullimi lind marrëdhënie, filmi hyn në historinë e asaj që shfaq.
Kur mbaron te efekti, suksesi i përket qarkullimit, jo të ardhmes së praktikës.
Tingulli shqiptar hyn në Odisenë e Nolanit me një peshë më të madhe se krenaria e lajmit.
Mund t’i japë botës një mënyrë të re për ta dëgjuar Homerin dhe mund t’i hapë iso-polifonisë shtigje që bartësit e saj nuk i kishin parashikuar.
Në të njëjtën kohë, na vendos përballë pyetjes që asnjë njohje e jashtme nuk e zgjidh, çfarë bëjmë me atë që na është dorëzuar?
Filmi ka nisur të shfaqet në kinema në këtë korrik 2026, e çfarë do të prodhojë ky qarkullim për praktikën shqiptare mbetet ende e hapur.
Odiseu udhëtoi për t’u kthyer në shtëpi, ku njerëzit e tij duhej ta njihnin përsëri.
Göranssoni u largua nga studioja për të gjetur një tingull që teknologjia nuk mund ta trillonte pa histori.
Tani ai tingull merr udhën drejt botës.
Kthimi i tij nuk do të matet me numrin e artikujve, as me minutat e krenarisë sonë, por me atë që ndodh pasi dëgjimi të ketë mbaruar.
Një ditë, dritat e sallës do të ndizen dhe publiku do të dalë.
Kolona zanore do të vazhdojë në telefona, në platforma dhe në kujtesën e njerëzve që nuk e dinë prej nga erdhi ajo frymë.
Diku mes tyre mund të jetë një fëmijë shqiptar që nuk ka dëgjuar kurrë një grup nga afër.
Ai do të kërkojë këngën, pastaj vendin, pastaj njeriun.
Udhëtimi do të jetë kryer vetëm nëse dikush do të jetë atje për t’i bërë vend pranë kënduesve.
Jo me një skedar tjetër, as me një fjalim për lavdinë e kombit.
Fëmija do të hyjë keq. Prova do të ndalet.
Ai do të dëgjojë përsëri.
Dhe tingulli që u nis nga Shqipëria përmes filmit do të ketë gjetur rrugën e kthimit.
Arian Galdini
.png)



Comments