Kur Odiseja dëgjoi Shqipërinë!
- Arian Galdini

- 4 hours ago
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Regjistrimi i fyellit duhej të mbaronte në gjashtë të mbrëmjes.
Barinjtë me të cilët Ludwig Göransson po punonte ngriheshin në katër të mëngjesit për tufat.
Për disa orë, një prodhim filmik ndërkombëtar iu përshtat një dite që vazhdonte edhe pas fikjes së mikrofonave.
Ekipi kishte afatin, bariu kishte shpatin, motin dhe kafshët që vareshin prej tij.
Në jug të Shqipërisë, Göranssoni regjistroi edhe iso-polifoninë, të cilën nuk e kishte dëgjuar më parë në film.
Fyelli dhe shumëzërëshi nuk janë dy emra për të njëjtën botë.
Fyelli del nga fryma e një njeriu të vetëm në shpat.
Në një nga format e iso-polifonisë, marrësi hap melodinë, kthyesi i përgjigjet, ndërsa grupi mban ison pa i mbuluar zërat solistikë.
Një nxënës mund t’i dijë fjalët, ta njohë melodinë dhe të hyjë herët.
Gjithçka që skedari mund t’i kthejë është aty, kënga përsëri nuk lidhet.
Mësuesi nuk e zëvendëson provën me një shpjegim.
Nxënësi dëgjon sërish, derisa të dallojë çastin kur fryma e grupit i hap vend zërit të tij.
Askush nuk ia mat atë çast me sahat.
Skedari ia kthen tingullin, vetëm prova me grupin i mëson ku duhet të hyjë.
Ai gabon, pret pak më gjatë dhe provon përsëri.
Kur më në fund hyn, zëri i tij as sundon, as zhduket.
Merr vendin që i lënë të tjerët dhe u përgjigjet me frymën e vet.
Nëse hyn para kohe, kënga nuk lidhet dhe prova nis nga e para.
Gabimi nuk shpallet nga një zë i vetëm, shfaqet në mënyrën si kënga arrin ose dështon të lidhet.
Mësuesi mund ta emërtojë gabimin, por vetëm ushtrimi e mëson trupin të mos e përsërisë.
Kadareja e vendosi magnetofonin përballë kësaj enigme në romanin Dosja H.
Atje pajisja dhe regjistrimet shkatërrohen.
Sot mund të ndodhë e kundërta, skedari mbetet, filmi udhëton, publiku dëgjon, ndërsa pakësohen ata që dinë ta krijojnë këngën e ardhshme.
Bota nuk është fajtore pse dëgjon.
Filmi mund t’i japë iso-polifonisë dëgjues të rinj dhe të zgjojë dëshirën për ta mësuar.
Një fëmijë mund ta gjejë mësuesin përmes ekranit dhe të hyjë në një grup larg fshatit të origjinës.
Forma që rikthehet përmes kinemasë mund të jetë ndryshe.
Ajo bëhet vazhdim kur kënduesit dinë ta dëgjojnë, ta korrigjojnë dhe t’ia mësojnë dikujt tjetër, pa humbur mënyrën si marrësi, kthyesi dhe isoja varen nga njëri-tjetri.
Kinemaja hyn në historinë e asaj që shfaq kur dëgjuesi bëhet nxënës.
Kjo mundësi na heq alibinë.
Dritat fiken pas një mbrëmjeje.
Nxënësi formohet gjatë viteve, përmes ushtrimit, korrigjimit dhe pranisë së duruar të një mësuesi.
Një natë mund ta paraqesë traditën, vetëm mësimi i gjatë formon kënduesit e këngës tjetër.
Arkivi mban interpretimin që ka ndodhur, njerëzit krijojnë tjetrin pa e marrë regjistrimin si masën e vetme, pa e ngrirë traditën në një kopje.
Odiseja është historia e kthimit në shtëpi.
Në gjashtë mbyllet regjistrimi dhe tingulli nis udhën drejt filmit e botës.
Në katër, bariu çohet për tufën.
Diku, një nxënës dëgjon, pret dhe, pas shumë provash, hyn në çastin që nuk shkruhet në asnjë orë.
Arian Galdini
.png)


Comments