top of page

Hapni Kodin!



Nga Arian Galdini


Në demokraci, e reja nuk regjistrohet te sporteli i së vjetrës.


Lind, provohet, dëgjohet, kundërshtohet, rrëzohet ose ngrihet përpara qytetarit.


Kjo është arsyeja pse Kodi Zgjedhor nuk është mekanikë mandatesh.


Është një nga aktet më të thella të një Republike, aty shteti tregon nëse e sheh qytetarin si burim jete politike, apo si njeri që duhet të zgjedhë vetëm midis atyre që aparatet ia kanë lënë gjallë.


Shifrat vijnë më vonë.


Më parë vjen pyetja, a ka një ide e re të drejtë të marrë trup publik pa iu lutur rendit që ka mësuar të mbijetojë?


E drejta politike nuk është vetëm e drejta për të votuar.


Është edhe e drejta që një bindje, një bashkësi, një përpjekje, një zë i paprovuar ende nga pushteti, të dalë përpara njerëzve pa u trajtuar si rrezik para se të dëgjohet.


Një qytetar nuk është plotësisht sovran nëse i jepet vetëm çasti i fundit i zgjedhjes, ndërsa rruga ku lind përfaqësimi është kontrolluar më parë nga paraja, ekrani, administrata, varësia, fama e trashëguar dhe frika e vogël e përditshme.


Fleta e votimit nuk është e lirë vetëm sepse hidhet pa dhunë, është e lirë kur para saj qytetari ka parë mjaftueshëm jetë politike për të mos zgjedhur brenda një harte të ngushtuar nga të tjerët.


Kjo është e drejta e lindjes politike.


Pa të, demokracia mbetet një numërim i të mbijetuarve të sistemit.


Një Kod i drejtë nuk pyet vetëm si ndahen mandatet. Pyet si lind një mundësi.


Pyet nëse ligji e ndihmon shoqërinë të rigjenerohet, apo e detyron të riciklojë të njëjtët aktorë me emra, ngjyra, marrëveshje dhe armiqësi të përkohshme.


Pyet nëse qytetari mund të shohë përfaqësim tjetër përpara se ta gjykojë, apo nëse çdo përpjekje e re duhet të kalojë më parë nëpër një provë të ndërtuar nga ata që nuk e duan të lindur.


Kur ligji zgjedhor nuk e mbron këtë të drejtë, ai nuk është më thjesht i padrejtë.


Ai bëhet instrument sterilizimi politik.


Fjala është e rëndë, por nuk ka fjalë më të butë për një mekanizëm që nuk të ndalon të flasësh, por të bën të padëgjueshëm, nuk të ndalon të ekzistosh, por të kërkon të jesh i madh përpara se të të lejojë të rritesh, nuk të ndalon të hysh në garë, por e organizon garën në mënyrë që lindja jote të duket e panevojshme, e parakohshme, e padëshiruar.


Demokracia nuk vritet vetëm me grusht.


Shqipëria e ka parë dhunën e zhveshur.


28 maji 1996 nuk është pronë morale e asnjë pale.


Është plagë e Republikës.


Ajo ditë nuk duhet përdorur për t’i dhënë njërës palë virtyt të përhershëm dhe tjetrës faj të përhershëm.


Duhet përdorur si ndalim moral kundër çdo pushteti që nuk duron dot kundërshtimin.


Por një vend nuk ka mësuar asgjë nga dhuna e djeshme nëse vetëm ka zëvendësuar dorën e rëndë me mjetin e butë.


Dhuna e hapur dhe kontrolli i rafinuar nuk janë e njëjta gjë, por mund të dalin nga i njëjti instinkt, frika se qytetari mund të prodhojë diçka që nuk është parashikuar nga pushteti.


Plaga e vitit 1996 nuk mund të bëhet mburojë për kontrollin e sotëm.


Nuk mund të thuash se e dënon dhunën ndaj opozitës dhe njëkohësisht të ndërtosh rregulla që ia vështirësojnë lindjen opozitës së re.


Nuk mund të flasësh për kujtesë demokratike dhe ta përdorësh atë kujtesë për të ruajtur një rend ku e reja duhet të marrë certifikatë nga forcat e konsoliduara.


Kujtesa që nuk bëhet standard kthehet në dekor.


Dhe dekorët moralë janë ndër armët më të rrezikshme të pushteteve që duan të duken të penduara pa ndryshuar instinktin.


PS dhe PD nuk kanë pronësi mbi Republikën.


Ato mund të kenë histori, vota, plagë, struktura, merita, faje dhe peshë reale në jetën publike.


Por nuk kanë të drejtë ta shkruajnë jetën politike si dy trashëgimtarë të një prone të përbashkët.


Shteti nuk është album i dy familjeve politike.


Parlamenti nuk është dhomë ku e ardhmja hyn vetëm nëse nuk prish rehatinë e atyre që kanë qenë aty prej kohësh.


Partitë e mëdha mund të fitojnë.


Mund të humbasin.


Mund të mbajnë peshën e tyre.


Por nuk mund të jenë zyra ku lëshohet leja e lindjes për çdo alternativë tjetër.


Nëse një forcë e re duhet të fitojë dukshmëri përpara se të lejohet të marrë dukshmëri, ligji nuk po mat pjekuri.


Po kërkon mrekulli.


Nëse një ide e paprovuar duhet të dëshmojë se ka masë përpara se t’i jepet mundësia të shkojë te njerëzit, atëherë sistemi nuk po e provon, po e dobëson.


Nëse qytetarit i shfaqen vetëm ata që kanë kaluar më parë përmes filtrave të vjetër të parasë, ekranit, administratës dhe zakonit, atëherë zgjedhja e tij është e varfëruar para se të bëhet akt.


Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj një partie.


Është zvogëlim i qytetarit.


Një Kod i tillë i mëson njeriut të mos provojë.


I mëson të riut se politika nuk lind nga bindja, por nga leja.


I mëson shoqërisë se përfaqësimi është privilegj i atyre që kanë mbijetuar në aparate dhe jo e drejtë e atyre që duan të ndërtojnë kuptim të ri publik.


Një vend që e jep këtë mësim për shumë vite nuk humb vetëm cilësi zgjedhjesh.


Humb guximin e qytetarit për të krijuar.


Kodi i padrejtë nuk vret vetëm mandate.


Vret guximin para se ai të bëhet organizim.


Prandaj debati për përqindje, lista, koalicione dhe formula nuk mund të mbahet mbi një boshllëk moral.


Numri nuk është kurrë krejt i pafajshëm kur vendoset në një realitet të pabarabartë.


Një kusht që duket i njëjtë për të gjithë mund të ketë efekt krejt të ndryshëm mbi ata që hyjnë me pushtet të grumbulluar dhe ata që hyjnë vetëm me qytetarë, fjalë, punë dhe besim.


Rregulli i barabartë mbi jetë të pabarabarta mund të bëhet padrejtësi me fytyrë të rregullt.


Kjo duhet t’u thuhet edhe partnerëve perëndimorë me dinjitet, jo me lutje.


Reforma Zgjedhore nuk duhet matur vetëm nga aftësia e partive të mëdha për të rënë dakord.


Në një vend ku pushteti dhe opozita historike janë mësuar ta trajtojnë jetën publike si hapësirë të tyren, marrëveshja e të mëdhenjve nuk është gjithmonë provë pjekurie.


Ndonjëherë është mënyra më e qetë për ta mbyllur atë që duhej të hapej.


Një tekst ligjor mund të ketë pamje europiane dhe efekt të vjetër kontrolli.


Mund të duket i pastër në procedurë dhe të jetë i padrejtë në pasojë.


Standardi duhet të jetë tjetër.


A e lejon Kodi lindjen politike?


A e lë qytetarin të shohë më shumë se ata që ia ka ruajtur sistemi?


A e pranon shoqërinë si burim të përfaqësimit, apo e detyron të riciklojë vetëm ato forma që nuk e shqetësojnë rendin ekzistues?


A e mbron demokracinë nga fragmentimi, apo e përdor frikën nga fragmentimi për të mbrojtur oligopolin?


Këto pyetje nuk janë teknike.


Janë pyetje mbi dinjitetin e Republikës.


Rinisja Kombëtare, në kuptimin e saj më të thellë, nuk është kërkesë për një karrige tjetër në një rend të vjetër.


Është çasti kur një popull nuk pranon më të ndërrojë vetëm fytyrat e pushtetit, por kërkon një marrëdhënie tjetër mes njeriut, shtetit dhe së vërtetës.


Ajo fillon kur qytetari nuk pranon të jetë publik ceremonial i një Republike që flet në emër të tij, por e lë jashtë vendimit.


Fillon kur shqiptaria nuk mbetet kujtim që ngroh, por bëhet përgjegjësi për një shtet ku njeriu mund të lindë politikisht pa kërkuar leje nga aparatet e vjetra.


Rinisja Kombëtare nuk kërkon privilegj.


Kërkon që Republika të mos ketë pronarë.


Kërkon që ligji të mos bëhet kujdestar i aparatit të vjetër dhe ndalues i lindjes së re politike.


Kërkon që një qytetar të mos trajtohet si njeri i pjekur vetëm ditën kur voton, por si burim i pjekur i jetës publike që në çastin kur kërkon të ndërtojë përfaqësim.


Kërkon që shteti të mos ketë frikë nga lindja politike, sepse një shtet që i trembet lindjes së së resë, në të vërtetë i trembet vetë popullit të vetë.


Kjo është arsyeja pse Kodi Zgjedhor nuk është punë komisioni.


Është çështje qytetërimi politik.


Një Kod që e trajton të renë si shqetësim për të vjetrën nuk reformon. Restauron.


Një ligj që i kërkon lindjes politike të provojë madhësinë para se t’i lejohet të marrë frymë nuk mbron demokracinë.


Mbron frikën e aparateve.


Një rregull që i jep qytetarit vetëm ato alternativa që ia ka lënë gjallë sistemi nuk e respekton sovranin.


E thërret në fund, pasi e ka varfëruar fillimin.


Shqipëria nuk ka nevojë për një Kod që numëron vetëm votat pasi e reja është dobësuar, filtruar, zvogëluar ose nxjerrë jashtë dukshmërisë.


Ka nevojë për një Kod që mbron çastin para numërimit, çastin kur një ide bëhet zë, kur një zë bëhet bashkësi, kur një bashkësi bëhet mundësi, kur qytetari e sheh atë mundësi dhe vendos vetë nëse e pranon apo e refuzon.


Aty fillon Republika.


Jo në aritmetikën e fundit.


Në të drejtën e parë për të lindur politikisht.


Këtë herë, prova nuk është kush e kujton më bukur 26 a 28 majin 1996.


Prova është kush ka guxim të mos e përsërisë me ligj atë që dikur u bë me dhunë.


Nëse Shqipëria do Europën, duhet ta provojë në vendin ku demokracia nis përpara numërimit, te e drejta që një qytetar të krijojë përfaqësim pa kërkuar leje nga aparati që ka mësuar të mbijetojë.


Një Kod që e mbron këtë të drejtë hap Republikë.


Një Kod që e mbyt nuk reformon zgjedhjet.


Administron pronësinë e vjetër me gjuhë të re.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page