Poezi: Karriget bosh nuk akuzojnë!
- Arian Galdini

- Apr 26
- 1 min read

Nga Arian Galdini
Nuk mbyllet shpresa
kur mbyllet dhoma
ku zëri rrinte gjatë
si bukë e prerë hollë
për duar që vinin,
për duar që mungonin,
për duar që ndoshta
e kishin humbur rrugën e tryezës.
Karriget bosh
nuk akuzojnë.
Rrinë aty, të qeta,
si pleq që e kanë parë njeriun
të rritet vetëm atëherë
kur nuk kërkon dëshmitar
për plagën e vet.
E palos të shkuarën
si rrobë pune,
me erën e viteve në pëlhurë,
dhe nuk e hedh.
E lë në kurriz të kujtesës,
atje ku sendet e lodhura
nuk urdhërojnë më,
por mësojnë të heshtin.
Unë dal pa listë emrash,
pa radhë pritjeje,
pa zhurmën që boshit
i vendos emrin e fatit.
Mbi tryezë vë vetëm fjalën e parë,
të ashpër, të ngrohtë,
si bukë që nuk pyet
sa veta do të ulen.
Tryeza nuk mban emra.
Mban vetëm vend.
Pastaj njeriu mbetet aty
ku s’e sheh askush,
me derën hapur,
dhe me atë heshtje
që mban më këmbë një shtëpi
edhe kur brenda saj
flet vetëm buka.
Arian Galdini
.png)



Comments