top of page

Poezi: Mëngjesi nuk kërkoi leje!



Nga Arian Galdini


Mëngjesi nuk kërkoi leje.


Erdhi mbi tavolinë

me një shegë të çarë në mes,

të kuqe brenda,

si të kishte ruajtur gjatë

një lajm të mirë

pa ditur kujt t’ia thoshte i pari.


Në shtëpi askush nuk foli menjëherë.


Uji ziente ngadalë.

Një lugë preku gotën.

Nga oborri hyri aroma e borzilokut

dhe një zog, i padukshëm në degë,

e provoi ditën me zë të vogël.


Kaq mjaftoi

që muri të mos dukej më i lodhur.


Nata kishte qenë aty.

Kishte lënë mbi karrige

një palë heshtje të palara mirë,

dhe te dera

atë pluhur të hollë

që vjen nga mendimet e gjata.


Por gruaja mori thikën,

e hapi bukën ngadalë,

dhe avulli doli prej saj

si paqe që dinte

ku të ulej.


Fëmija qeshi në prag.


Qeshi sepse dielli i ra në faqe

dhe ende askush

nuk ia kishte rënduar

atë dritë të vogël.


Buka mbeti mbi tavolinë.

Shega ishte ende e hapur.

Borziloku hynte nga oborri.

Fëmija qeshte ende

para se dita

të gjente fjalë kundër tij.


Dhe tavolina rrinte aty,

e thjeshtë,

me thërrime të vogla pranë pjatës,

ndërsa buka, ende e ngrohtë,

rrinte aty

sikur mëngjesit

t’i mjaftonte kaq.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page