top of page

Poezi: Nuk e kam diellin në shportë!

Updated: 2 days ago



Nga Arian Galdini


Bastun e bëra vdekjen,

jo fjalë, dru i vjetër,

me një gërvishtje ku gishti kthehet vetvetiu

kur shtegu rrëshqet.


Në krah mbaja shportën,

nën sqetull më shtrëngonte brinjën.

E vjetër. E çarë.

Me thërrime buke në fund

dhe me boshin që s’mbushet.


Këmbët i vija mbi gurë të ftohtë,

një shkallë që kërciste,

një prag që s’të falte,

pastaj iu ngjita shtegut

me sytë mes yjeve.


Hapat,

i ndjeja si gërvishtje në gju,

si thonj me pluhur,

si frymë që pritej një çast

dhe s’vdiste.


Koha më dilte përpara si urë druri

mbi një hon pa emër,

dërrasat kërcisnin,

hekurat therrnin,

dhe bastuni kërkonte gur.


Kur e lashë pas urën e parë,

e dija se një tjetër priste,

jo si kërcënim,

si ligj.


Ngutje s’kisha.

Vetëm një frikë e hollë,

të mos më rrëshqiste shikimi nga lart,

të mos e ktheja kokën poshtë

për t’u bindur se jam ende këtu.


Çdo hap më hapte një zgavër në kraharor,

si të më hiqte pak mish

që drita të hynte.


Çdo zgavër më afronte dritën e ftohtë.

Kur këmba hyri në ujë, nuk bija.

Thellësi që përpin gurin.


Dhe në ngjitje, nuk humbisja,

se humbja s’ishte rënie,

ishte të shtrija dorën

të kapja atë që s’më takonte.


Kur shporta më rëndonte në krah

dhe s’kishte asgjë brenda

që të ma ngrinte kokën,

veç një thërrimë e vetme.


S’e shita. S’e bleva.

E lashë të rëndojë.

Diellin nuk e mban në shportë.


Ora në kyç, ftohtë.


Në fund,

e vendosa shportën në tokë.

Bastunin e mbajta fort.

Dhe s’e zgjata dorën.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page