top of page

Poezi: Pragu!

Apr 26
2 min read


Nga Arian Galdini


Vjen një çast kur e mira

nuk të nxjerr nga vetmia,

por të çon te ajo,

si lumi te gryka e vet,

kur s’ka më fusha për t’u hapur

dhe duhet të hyjë në gur.


Atje bien zërat.

Bie dora që të mbante në të njohurën.

Bie fytyra që të rrinte pranë

sa kohë nuk i kërkoje të vërtetën.

Bie edhe jeta që kishe ngritur

si shtëpi të kujdesshme,

derisa një dimër i vetëm

ta mësojë

se nuk ishte bërë

për të mbajtur borën.


Dhe ti mbetesh te pragu,

i zhveshur deri te ajo bërthamë

që s’pranon të shitet,

kur frika të hap strehë,

kur malli të ndez një dritë të vjetër,

kur duart e së djeshmes

ta njohin emrin në errësirë.


Pragu nuk ndan dy kohë.

Ndan dy frymë.

Atje ajo që ka qenë

s’mund të marrë frymë më

në atë që do të vijë.


Nga njëra anë vjen e djeshmja,

me fytyrën e saj të dashur,

me zërin që di si të të thërrasë,

me ngrohtësinë që të mban prapa.

Nga ana tjetër

merr frymë ai që s’ka ardhur ende.

Prandaj s’mund ta marrësh me vete

të vdekurin që e do

në shtratin

ku pret fëmija që do të vijë.


Kështu nis udha e ashpër.

Jo me himn.

Jo me fitore.

Po me varrin e asaj që ishe

kur ende të duhej turma

që të dëgjoje veten.


Ajo që vjen

s’zë frymë

mbi atë që ruan.

Ajo vjen

mbi atë që mbulon me duart e tua,

që prej humbjes së saj

të ngrihet më në fund

njeriu që ecën

me qiellin mbi krye,

me heshtjen pas,

pa asgjë

që ta kthejë prapa,

dhe prapë

ta mbajë dritën ndezur.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page